Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

AKTORI FRANCEZ MISHEL PIKOLI: “TË RROJË PARTIA DHE SHOKU ENVER!”


Pjesa e gjashtëmbëdhjetë e ciklit

(Botuar në “Illyria” në 19 mars 2020)

Në 4 gusht 1979 ambasadori shqiptar në Paris, Misto Treska, i raportonte ministrit të Jashtëm Nesti Nase për zbatimin e të gjitha urdhërave e porosive të dhëna nga Tirana rreth çështjes së padisë gjyqësore kundër Ismail Kadaresë. Siç kemi thënë në shkrimet e mëparshme aktpadinë e patën kryer Labrand dhe Kuperberg për të ndaluar kontratën e re që autori i romanit të zëshëm “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pati firmosur me aktorin e shumënjohur francez Mishel Pikoli.
Karakteristikë e radiogramit të Misto Treskës për shefin e tij qe fryma e bindjes pa asnjë diskutim se për çështjen e mësipërme duheshin kryer të gjitha shërbimet e domosdoshme. Udhëheqja në Tiranë nuk lejonte asnjë grimë ngathtësie apo indiference burokratike.
Po këtë ditë të 4 gushtit sërish një shkresë e ambasadorit Treska drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, thoshte që në fillim: “Në bazë të porosisë tuaj, po ju dërgojmë bashkëngjitur komplet dosjen e korespodencës që disponojmë për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e zhvilluar midis Ismail Kadaresë dhe Kuperberg-ut”. Në vijim emërtoheshin gjashtë dokumente.
Në 9 gusht nënministri i Jashtëm Reis Malile këtë dosje, shoqëruar me një shkresë shpjeguese, ia dërgoi Jorgo Melicës, ato çaste në udhëheqje të përkohshme të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme.
Por ndërkohë njëzetë e katër orë më parë, në 8 gusht 1979, prej Georges Klejman, avokat në Gjykatën e Lartë të Parisit, Misto Treskës i vinte një informacion i hollësishëm me titullin “Çështja Ismail Kadare-Shoqëria e Whodunit”.
Në të Klejman i thoshte ambasadorit shqiptar në kryeqytetin francez se “shqyrtova padinë që i është ngritur zotit Kadare dhe dosjen që i dorëzuat bashkëpunëtores time, avokates Martine Coiane”.
Më poshtë ai vinte në dukje se çështjen e Ismail Kadaresë do ta mbronte vetë personalisht, por gjithsesi i duhej edhe një bashkëpunëtore tjetër, e cila do të mobilizohej për këtë rast. Ajo qe avokatja Izabela Nattyssena.
Pastaj më poshtë Georges Klejman shpjegonte gjithë strategjinë e tij të ndjekjes së çështjes gjyqësore si edhe të fitores së saj. Më tej theksonte se ishte “në dispozicionin tuaj dhe të Kadaresë për të diskutuar”.
Paragrafi i fundit i letrës për ambasadorin Misto Treska parashtronte këto fjalë: “Do të na ishte e dëshirueshme që për shpenzimet dhe honoraret e Kabinetit tim të më derdhet një shumë prej 10.000 frangash që, parimisht, duhet të më mjaftojnë për procedurën e instancës së parë, në rast se nuk do të ketë incidente veçanërisht të komplikuara gjatë periudhës së kësaj procedure”.
Në 4 shtator 1979 Jorgo Melica, me porosi nga lart piramidës shtetërore, i dërgoi Reis Maliles këtë njoftim të rëndësishëm: “Me porosi të shokut Manush, po ju dërgoj 19 copë dokumente që flasin për marrëdhëniet e Ismail Kadaresë me shoqëritë kinematografike franceze...”
Një muaj më pas, në 5 tetor, Drejtoria e Dytë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, firmosur nga Reis Malile nën shënimin “Ne mungesë të Ministrit”, me një shkresë të protokolluar nr. 2978, i dërgonte Këshillit të Ministrave këtë përmbajtje raportuese: “Bashkëngjitur ju përcjellim një informacion të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme mbi vizitën që bëri në vendin tonë aktori francez Mishel Pikoli me të shoqen dhe regjisori italian Luçian Tovoli, të cilët erdhën për të zgjidhur disa probleme lidhur me xhirimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë”.
Ky informacion për qeverinë rezulton i datuar 2 tetor 1979, përmban numrin protokollar dhe titull “Mbi vizitën e aktorit freng Mishel Pikoli me të shoqen dhe regjisorit italian Luçiano Tovoli”.
E ka dërguar Javer Malo.
Që në fillim thuhet: “Prej datës 4 deri në 11 shtator 1979 erdhën në vendin tonë aktori freng Mishel Pikoli me bashkëshorten e vet dhe regjisori italian Luçiano Tovoli.
Qëllimi i ardhjes së tyre ishte zgjidhja e disa problemeve që lidhen me xhirimin e filmit “Gjenerli i ushtrisë së vdekur” sipas motiveve të veprës me të njëjtin titull të shkrimtarit Ismail Kadare.
Ata morën kontakte me Kryetarin e Komitetit Shqiptar për Marëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme, Javer Malo, me shkrimntarin Ismail Kadare, me drejtorin e Kinostudios “Shqipëria e re” Vangjush Zallëmi etj”.
Më poshtë: “Që në bisedat e para Pikoli theksoi se një film siç është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nuk duhet të kalojë në shpenzime më tepër se 4 milion franga franceze (1 milion dollarë U.S.A), ndryshe ka rreziqe”.
Shpjegon Javer Malo: “Me sa vumë re ne, nuk është Pikoli që do të financojë prodhimin e filmit. Ai do t’i drejtohet firmës së njohur Gaumont (firmë e madhe kjo) dhe mendon se me të do t’ja arrijë qëllimit.
Pra gjendja e punëve gjer tani është kjo: “Nuk është gjetur akoma një burim për financimin e filmit” (kjo fjali është nënvizuar me vijë makine shkrimi-shënimi ynë)”.
Vijon kryetari i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme: “Për ta gjetur e siguruar këtë, Pikoli përpiqet t’i ulë në minimum shpenzimet dhe për këtë kërkon ndihmën tonë, siç shihet nga lista e kërkesave që Pikoli na i dërgoi pardje, më 29 shtator dhe që po ja bashkëngjit këtij relacioni. Me sa kuptuam ne Pikoli me Tovolin erdhën në Shqipëri për të eksploruar edhe mundësitë për të bërë filmin e tyre një film të përbashkët franko-shqiptar.
Ata pyetën që në fillim nëse Shqipëria ka bërë ndonjë film në bashkëpunim me ndonjë shtet tjetër.
I thamë se janë dy filma që janë bërë në dy vitet e para pas çlirimit në bashkëpunim me sovjetikët, por i theksuam se këto filma janë xhiruar në një kohë të tillë kur kinematografia jonë ishte në fillimet e saj, pra dhe nuk janë bashkëpunime në kuptimin e mirëfilltë”.
Javer Malo gjithnjë e më shumë bëhet argumentues në informacionin e vet: “Një problem tjetër që prekën disa herë si në takimin me mua si edhe në takimin që patën në Kinostudion tonë ishte problemi i ndihmës teknike, figurantëve si dhe disa personazheve kryesorë në këtë film si specialisti, mullixhiu, etj.
Gjithmonë sipas tyre, dhënia e kësaj ndihme teknike (për të cilën thanë se do të kërkojnë), si edhe aktorëve dhe figurantëve, do të evitonte shpenzime të shumta për transportimin e teknikës, të mjeteve, të njerëzve, etj.
Lidhur me ndihmën teknike, V. Zallëmi, pa marrë ndonjë angazhim, u tha të paraqesin një listë të hollësishme me kërkesat e tyre në mënyrë që të shohin mundësitë konkrete për të ndihmuar, sepse mjetet që disponohen janë të planizuara për prodhimet që bën vetë studioja e jonë”.
Më tej: “Përsa i përket pjesëmarrjes së aktorëve tanë në këtë film si p.sh. për rolin e specialistit (dhe për këtë insistuan shumë, sepse sipas tyre një specialist shqiptar duhet të sillet si shqiptar, duhet të flasi shqip dhe këtë mund ta bëjë vetëm një artist shqiptar), Ismail Kadare ua refuzoi në mënyrë kategorike. Për këtë ai, Ismaili, na tha se ka marrë udhëzime të veçanta”.
Duke e vazhduar rrjedhshëm shpjegimin e tij rreth vizitës në Shqipëri të Mishel Pikoli dhe Luçiano Tovoli, Javer Malo hyn në thelb dhe sqaron: “Tani si janë punët lidhur me filmin nga ana e Pikolisë dhe Tovolit?
Skenarin e filmit po e punon Tovoli në bashkëpunim me Pikolinë dhe Mastrojanin. Këta dy të fundit do të interpretojnë respektivisht rolin e priftit dhe të gjeneralit. Tovoli dhe Pikoli gjatë kontakteve që patën me Ismailin konsultuan shumë probleme të skenarit.
Përveç bisedimeve ata shfaqën dëshirën të vizitonin vendin për të parë se ku mund të bënin xhirime të filmit. Ju sugjerua të bënin vizitë në drejtim të jugut të vendit, sepse në ato zona janë vendosur edhe ngjarjet e romanit.
Ata pranuan propozimin tonë, po thanë se në një udhëtim të dytë do të dëshironin të shihnin edhe veriun, pasi ndoshta do të gjenin vende edhe më të ashpra të cilat do të qenë më të përshtatshëm për xhirim.
Sugjeruan që këtë vizitë të dytë ta bëjnë në dhjetor të këtij viti”.
Në vazhdim të informacionit të Javer Malos për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe këta dërguar Këshillit të Ministrave, pra Mehmet Shehut dhe Manush Myftiut: “Para se të shkonin në vizitat në rrethe, Pikoli dhe Tovoli bënë një vizitë në Kinostudion “Shqipëria e re”, ku panë studiot dhe ateljetë e saj dhe shprehën kënaqësinë e tyre për gjithçka.
Përshtypje të veçantë u bënë sallat e gjera dhe të pajisura mirë të zërit, aparaturat e reja, moderne e të kushtueshme.
Me këtë rast Pikoli dhe Tovoli thanë se për artistët francezë apo italianë, kushte të tilla pune janë të paimagjinueshme. Për xhirimin e tyre ata shpesh përdorin për atelje baraka të madhe dërrase provizore ose në rastin më të mirë një apartament me qera që kthehet në një farë ateljeje.
Tovoli theksoi se artistët shqiptarë me sa duket nuk i ndjekin fare problemet financiare të subvencionimit të filmave dhe se preokupacioni i vetëm i tyre ishte krijimtaria artistike”.
Më tej: “Së fundi, ata panë filmin “Lulëkuqe mbi mure”, i cili u pëlqeu për realizimin dhe natyrshmërinë e interpretimit të fëmijëve dhe aktorëve profesionistë. Ata e vlerësuan shumë këtë film, i cili për ta ishte një zbulim i kinematografisë shqiptare.
E informon qeverinë Javer Malo: “Në rrethe kineastët vizituan plazhin e Durrësit, amfiteatrin dhe qytetin. Në Fier bënë vizita në dy familje kooperativiste në fshatin Grecalli dhe Mbrostar. Në Gjirokastër vizituan qytetin, Obeliskun, Muzeun e Armëve, grykën e Selckës, kalanë, shtëpitë muze të Luftës Nac-Çl.
Në Sarandë vizituan Ksamilin, Butrintin, Lukovën, shtëpinë muze të Vasil Laçit në Piqeras, shtëpinë muze të vëllezëfrve Nushi në Vuno dhe familjen e një kushëriri të Nushajve.
Gjatë gjithë udhëtimit të tyre në rrethet që përmendëm më sipër, kineastët u interesuan për të gjetur vende të përshtatshme për xhirim. Për këtë në shumë vende Tovoli fotografoi dhe mbajti shënime duke bërë edhe piketime në hartë. Ju kushtuan vëmendje sidomos pejsazheve të shkreta me relieve të thyera”.
Po ashtu Javer Malo shkruan: “Gjatë vizitave në familjet e kooperativistëve në Grecalli dh Mbrostar, atyre u la përshtypje të thellë mikpritja e ngrohtë e fshatarëve, të cilët i gostitën me të gjitha të mirat. Në të dy familjet fshatare ata dëgjonin me vëmendje bisedat e fshatarëve pleq mbi vuajtjet dhe shtypjen e egër sociale të asaj krahine nga bejlerët dhe mbi jetën e lumtur që u ka krijuar atyre Partia dhe pushteti popullor. Kur njëri prej fshatarëve ngriti një dolli për Partinë dhe shokun Enver dhe Mishel Pikoli e përsëriti urimin në gjuhën frënge”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 mars 2020


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com