Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

GOGOLI I “TËRMETIT TË DURRËSIT”


(Publikuar në FB në 7-8 dhjetor 2019)

Një autor bashkëkombës mes të tjerash këto ditët e fundit shkruante se “Nga kronikat e vjetra rezulton se ky qytet është shkatërruar pothuaj plotësisht në vitet 177 para Krishtit, 334 ose 345 pas Krishtit, 506, 1273, 1279, 1869 dhe 1870”.
Tashmë tejzmadhimi i pasojave, përhapja e një biografie historie apokaliptike të tërmetit të rirënë në Durrës më 21 shtator dhe 26 nëntor të këtij viti, rrezikon të na bëhet psikë, mënyrë të menduari.
Nuk e kemi fjalën për prirjen e politizimit të këtij tërmeti, sepse ata që janë në qeverisje e hiperbolizojnë për të spikatur rolin e tyre shpëtimtar, ata që ndodhen në opozitë për t’i larguar me këtë rast nga pushteti rivalët e tyre (gazeta “MAPO” sot në këndin e saj më fletëluftarak të qëndrimit të vet politik, atë të karikaturës, shënonte se muri i pas tërmetit që duhej rrëzuar ishte Edi Rama).
Po ashtu për gogolizimin aktual të tërmetit të Durrësit nuk bëhet fjalë në këtë shkrim rreth dallaveraxhinjve të sipërmarrjes së pistë, të cilëve u duhen ndërtesa sa më shumë të shëmbura si të pabanueshme, sepse përfitojnë hapësira të reja për grehina. Për ta tregu imobiliar i porsaenjtur është një fat i rënë nga qielli.
Për djallëzimin e këtij tërmeti, shndërrimin e tij në kuçedër që nxjerr flakë nga goja, janë mjaft të interesuar edhe hajdutët e shumtë shqiptarë, ajo lukuni që fekondohet e shtohet kur dallon se solidariteti i sinqertë i bashkëkombësve bën të rrjedhë si lumë floriri ndihma me para të thatë, të cilën këta brejtës e gëlltisin virtualisht, me internet dhe një kompjuter të vogël a telefon xhepi. Pa lënë fare gjurmë si ai çifti burrë-grua, nëpunës shteti, që vesin e kreu duke hedhur në krahë thasë apo kuti me veshje e ushqime.
“Tërmeti i Durrësit”, siç e ka të regjistruar emrin në kujtesën historike të latinëve (italianëve sot), goditja e të cilit si e të gjithë trandjeve të nëntokës nuk mund të parashikohet, të paktën mund të shpjegohet, të krahasohet, të interpretohet. “Tërmeti i Durrësit”, edhe pse i shkallës së fortë, nuk mendojmë se është aq i tmerrshëm, sa po i përhapet nami. Durrësi i ditëve të sotme (dhe i vendbanimeve në shumë afërsi) në thelb e përballoi atë. Qe ai që e “shkatërroi” tërmetin dhe jo ky i fundit atë. Me ndërtime mjaft problematike, për tre dekada rresht të diskutuara për keq mes popullit dhe të pandaluara asnjëherë nga shteti, ai gjithsesi nëpërmjet disa qindra e qindra banesave ku nuk ndodhi asnjë krisje në muret ndarës e jo më në ata mbajtës, dëshmoi se ndërtime me standarte korekte antisismikë e kthejnë atë tërmet në një zero efekt dëmtues. E shkuara shumë shelullore është tjetër gjë, e sotmja moderne pothuaj krejt e pangjashme.
Le të përqendrohemi për pak çaste tek e kaluara e kësaj shkundjeje të madhe nëntoke, tek simotrat e saj. E nisim që nga vendndodhja e “Tërmetit të Durrësit”. Sipas IGJEUM, Institutit shqiptar të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, tërmeti i shtatorit dhe ai i nëntorit kanë të njëjtën vatër:
“Date: 21/09/2019; Time: 14:15:49; M=5.3; Place: 14 Km V Durres; 41.45° N, 19.47° E; Depth: 38 KM”
“Date: 26/11/2019; Time: 02:54:11; M=6.3; Place: 15 km V, Durres; 41.45° N, 19.44° E; Depth: 38 KM”.
Kjo është edhe vatra e tij historike.
“Tërmeti i Durrësit” këtë herë pati dy goditje. Ajo e 21 shtatorit qe paragoditje dhe goditja kryesore ishte e 26 nëntorit. Kjo do të thotë se goditje të tretë, pra një sizmë më të madhe se ajo e fundnëtorit, nuk pritet. Përse?
Nga historia e këtij tërmeti të regjistruar si fakt që në shekullin e parë të Para Krishtit, por jo të rrëfyer hollësisht, kemi për fat një rast ku është regjistruar në letër. Na ka dhënë ndihmë historiani dhe studiuesi greko-bizantin George Pachymeres (1242–1310). “Tërmeti i Durrësit” ra 1273, kur ai ishte gjallë, dëshmitar real në kohë, edhe pse jo në vendin e ngjarjes- Disa detaje të këtij përshkrimi: “Brenda muajit të korrikut, zhurma të pazakonta e bënë tokën të lëkundet në mënyrë të vazhdueshme, zhurma që ne normalisht do i quanim rënkime”, “Frika që mbërtheu disa njerëz, i bëri të shkojnë dhe të gjejnë strehim jashtë qytetit”, “Nata ra me zhurmën e fortë të ditës së mëparshme dhe bashkë me të, erdhi një tërmet i fuqishëm, më i fortë se cilido tjetër që mbahej mend. Nuk ishte, siç mund ta përshkruajë ndokush, një tronditje e tokës që lëvizte sa majtas djathtas, por ishin goditje të forta dhe lëkundje sa që, pa hapur e mbyllur sytë, i gjithë qyteti ishte kthyer përmbys dhe rrafshuar përtokë. Shtëpitë dhe ndërtesat e larta, që nuk rezistuan as edhe një sekondë, i zunë nën vete banorët e tyre”, “Tronditjet ishin të tilla që të mbijetuarit, të gjendur përballë fryrjes së detit, imagjinuan se kjo ndoshta ishte...fundi i botës”, “Tërmeti zgjati për jo pak kohë deri kur asgjë nuk mbeti në këmbë. Gjithçka brenda qytetit ishte shembur dhe kish zënë banorët, me përjashtim vetëm të akropolit, i cili i mbijetoi tërmetit”.
Me ndihmën e gazetës “Durrësi”, marrë prej saj nga revista “Diturija”, 1 frur (shkurt) 1927, nr. 4, opinioni ynë publik u njoh së fundi edhe për një veprim sizmik tjetër të këtij tërmeti. Ja disa hollësi: “Më 17 Dhjetor 1926 ra në Durrës një tërmet, në orën afër shtat’e gjysmë të mëngjezit, dhe një i dytë, shum’ ma i fortë se i pari, ngjau në orët afëro një e giysmë”, “Lëkundja e tokës u ndje në Tiranë, Kavajë, Lushnjë, Berat, Vlorë, dhe Shkodrë, po forca e saj ishte në Durrës dhe Kavajë: në këtë qytet panika dhe dëmet qenë aqë të fortë sa edhe në limant anë detit, dhe të dy u rrëzuanë minaret e xhamivet.
Që n’atë datë të tundurit e dheut nukë pushoj, shumë herë tri dhe katrë herë ditën, më një mënyrë që sot, as në Durrës, as në Kavajë s’ka mbeturë shtëpi e shëndoshë”, “Disa njerës që vunë re besuanë se tronditjet e dheut s’ishin një farësh: të parat qënkan orizontale, do me thënë nga e djathta më të mëngjrë, të dytat vertikale, së poshtmi siprë. Padyshim se këto janë pandehje, mungesa e një sismografi, e një observatori sismologjik(2) nukë na permeton që të dimë me hollësi as naturën, as numurin, as dhe kohën e lëvizjevet të dheut”.
Të përbashkëtat dhe të ngjashmet me dy rëniet e mëparshme të përshkruara me shkrim me atë që ndodhi sëfundi, është fryrja e detit, egërsimi i tij dhe “vlimi” i tij, por jo cunami. Ujë deti mund të ketë depërtuar në ndonjë pike të ulët të ranishtes, por asnjë në qytet, ca më tepër ta përmbyste. Në 26 nëntor, shtatë minuta pas rënies së tërmetit, ING, Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe i Vullkanologjisë në Napoli, lëshoi sinjalin për cunam që pritej të ndodhte tek brigjet italiane, por siç deklaruan vetë, më pas e anulluan.
“Tërmeti i Durrësit” mund të ketë qenë në korrik 1273 pak më i fortë se i 26 nëntorit 2019 apo disi më i zbutur se i 17 dhjetorit 1926, por i ka manifestuar tiparet kryesore të tij. Përshembull ai si rregull jep dy goditje, pavarësisht sa kohë i ndan ato nga njëra-tjetra.
Po ashtu përmban goditje të zgjatur.
Gjithashtu ka fillimisht lëkundje sa majtas djathtas dhe në pjesën e dytë të trandjes nga poshtë-lart dhe anasjelltas. Një dukuri e tillë u vu re edhe në disa video pamjesh të tërmetit të 26 nëntorit.
Duhet thënë se në shekullin e trembëdhjetë në Durrës ka patur vetëm një tërmet, ai i vitit 1273, aspak një tjetër pesë vite më vonë apo një i tretë më parë, siç gjoja është ai në 1267. Të përhapësh fjalënajën se në 15 vite (1267-1273-1279) Durrësin e kanë goditur dhe shkatërruar tre supertërmete, është papërgjegjësi e madhe. Ka qenë vetëm një dhe dy të tjerët po ai i mbartur pasaktësisht në datim. Njëri prej atyre që e shpërndau si të dhënë shkencore këtë gabim kronologjik qe një studjues i huaj, shumë mik me shqiptarët, edhe ai sepse i besoi historiani francez, Alain Ducellier.
“Tërmeti i Durrësit”, duke qenë se është i fortë, ka një periudhë të gjatë pasgoditjesh, ndonjë mundet edhe inatçore, por kurrë më të madhe se goditja kryesore.
Ky tërmet vatrën e thellë dhe për këtë shkak forcën në burim mjaft të egërsuar, e shpërndan deri në Itali, duke e zbutur sadopak në sipërfaqen e dheut të shqiptarëve.
Me pak fjalë “Tërmeti i Durrësit” përveç se nuk është apokaliptik dhe është i përballueshëm prej njeriut modern (madje edhe tek varianti i tij më i rëndë, 1273, u ruajt i paprekur Akropoli), por shfaqet edhe tepër i rrallë në kohë. Kalojnë shumë e shumë dekada, në mos shekuj, gjersa të përsëritet në formën e tij klasike.
Gjithsesi ai është aty ku u shfaq sërish dhe ka ekzistuar para se të krijohej njerëzimi. Strehëza e tij historike mbetet deti Adriatik dhe nëntoka në afërsi të Kepit të Rodonit. Kjo vatër e stërlashtë ka bërë që ilirët, atyre ndoshta trasmentuar prej më të hershmëve banues të atyre trojeve, i kanë vënë emrin këtij kepi prej Redonit, hyjit (perëndisë) së tyre të detit.
Ishte ai i gjithfuqishëm që shungullonte në det dhe në tokë njeherësh.
Në trojet e shqiptarëve ai kep është rezidenca e vetme dhe më e saktë e zotit të tyre të detrave dhe kjo nuk vjen prej fantazisë, por të vërtetës së gjenerimit aty të supertërmeteve.
Ndoshta folëm shumë, por qe një përpjekje modeste për të bindur veten dhe të tjerët se “Tërmeti i Durrësit” nuk mund të kategorizohet tek shkatërrimtarët e qytetit, ca më tepër tani, në kohët moderne.
Kur atë e përballon fare thjesht: me ndërtime korrekte.

Ylli Polovina

Tiranë, mbrëmje e 7 dhjetorit, ripunuar në mesditën e 8 dhjetorit 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com