Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“SHTATORI I ZI” SHQIPTAR, KRYEMINISTRI ITALIAN ROMANO PRODI ANULON FLUTURIMIN DREJT TIRANËS


Azem Hajdari, vrasja e gabuar, pjesa e katërt

(Botuar në “Illyria” në 5 shtator 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i tridhjetë e pestë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Siç ju informuam në shkrimin e javës së shkuar alarmi në qeverinë italiane të Romano Prodit rreth ngjarjeve që po zhvilloheshin në Shqipëri qe shumë i madh dhe se në Romë po merrnin kundërmasa sipas vlerësimit që kishte dhënë ministri i Mbrojtjes, demokristiani Beniamino Andreata: \"Druhem se mos krijohet një situatë që mund të riprodhojë atë që në Liban u verifikua në Shtatorin e Zi\".
Pra Tirana mund të shndërrohej në një Bejrut.
Për italianin e thjeshtë që lexonte në gazetë apo dëgjonte në televizion këtë paralelizëm, mjaft më i informuar për zhvillime ndërkombëtare se ai shqiptar, kjo donte të thoshte një luftë civile e shkaktuar kryesisht prej faktorësh të brendshëm e që pati zgjatur pesëmbëdhjetë vite me radhë (1970-1995).
Përplasja shumë e përgjakshme në Liban pati ndodhur mes popullsisë së krishterë katolike dhe myslimanëve. Kushdo që në Itali kishte gjasa ta besonte sadopak këtë hamendje kujtonte se Fatos Nano qe një i krishterë (ortodoks), kurse Sali Berisha një mysliman.
Ndërkohë Andreata, ndërsa përsëriste \"Druhem se mos krijohet një situatë që mund të riprodhojë atë që në Liban u verifikua në Shtatorin e Zi\", paraqiste edhe një burim tjetër shkaku: ai i trëmbej rrezikut të ndërhyrjes në ngjarjet e Tiranës edhe të njësiteve të armatosura kosovare që mbështetnin ish-presidentin Berisha.
Këtë gjë ato mund ta bënin duke u rreshtuar me manifestuesit, pati saktësuar Beniamino Andreata.
Lexuesi italian i shtypit apo ndjekësi i radiove dhe i televizioneve të shumta të vendit të vet gjithashtu e dinte se si qe shkatërruar e djegur pëllëmbë për pëllëmbë kryeqyteti i Libanit, shteti i cili para se të shpërthente lufta vëllavrasëse, për shkak të zhvillimit të hovshëm ekonomik dhe paqes së brendshme thirrej “Zvicra e Lindjes së Afërme”.
Gjatë pasdites së 13 shtatorit 1998 të dhënat më të shpejta se çfarë veprimesh po kryente qeveria italiane mjaft e shqetësuar për çfarë po ndodhte përtej Adriatikut, e jepte teleteksti shumë i informuar i RAI-t, grupit të televizionit publik. Në orën 15.58 ai njoftoi me titra se Ministria e Jashtme Italiane \"në pritje të verifikimit të zhvillimit të gjendjes nuk këshillonte tani për tani që italianët të shkonin në Shqipëri\". Në orën 17.00 u bë ditur nga teleteksti se qeveria italiane ishte futur në një mbledhje urgjente. Në mbyllje të këtij lajmi informohej opinioni publik se kryeministri Romano Prodi pati bërë thirrjen: \"Të ndalohet dhuna në Shqipëri\".
Komunikata e qeverisë italiane u transmentua nga ANSA në orën 19.34. Në të, mes të tjerash, thuhej: \"Ndërkohë që pritet që autorët e gjestit të ndiqen menjëherë nga ligji, qeveria italiane nënvizon në shpirtin e miqësisë që karakterizon marrëdhëniet mes dy vendeve, nevojën që t\'i jepet fund dhunës dhe që i gjithë vendi dhe forcat e tij politike të përsërisin angazhimin e tyre për të kapërxyer vështirësitë në emër të interesit suprem dhe të përbashkët për të përcaktuar kushtet e një bashkëjetese civile\".
Më pas: \"Pushimi i çdo akti dhune nga secila palë dhe stabiliteti i institucioneve janë kushtet e domosdoshme për rinisjen e dialogut politik dhe demokratik dhe për vazhdimësinë e mbështetjes ndërkombëtare për rindërtimin e vendit\".
Po atë mbrëmje të 13 shtatorit 1998 qarkulloi në rrethe të ngushta në Romë edhe lajmi se Prodi kishte lajmëruar një vizitë blic në Tiranë dhe për këtë gjë edhe Farnezina pati kërkuar fillimisht një korridor ajror.
Pjesa tjetër e përfoljes së këtij sekreti shtetëror mbërriti në Ambasadën Shqiptare në Romë pas orës njëzetë: Udhëtimi i kryeministrit italian qe anulluar në çastet e fundit për arsye sigurie.
Kjo rrethanë e rëndonte edhe më shumë çfarë po ndodhte në Shqipëri dhe çfarë kobi pritej më tej, përderisa ishte vënë në shenjë vrasjeje edhe Fatos Nano.
Këtë ua pati bërë të ditur italianëve që në orët e para të mëngjesit të 14 shtatorit gazeta e djathtë dhe mjaft e afërt me Partinë Demokratike Shqiptare, “Il Giornale”. Ajo kishte një tirazh prej 330.000 kopjesh. Në krye të faqes 13 ajo botonte shkrimet \"Shqipëri, rrezik i luftës civile\" dhe \"Alarm në Romë, mbledhje me Prodin\". Artikulli i parë kishte për autor Marko Ventura. Në një fragment të tij thuhej: \"... Berisha i rrethuar mes bashkëpunëtorëve të tij del në ballkon: \"Ne nuk jemi terroristë, por në rast se Nano nuk dorëhiqet nuk dimë se çfarë do të ndodhë\". Një britmë nga turma \"Vriteni,vriteni,vriteni Nanon\".
Shtypi italian i 14 shtatorit po përshkruante një tmerr. Në “Corriere della Sera” gazetari i specializuar për ngjarjet ndërkombëtare Masimo Nava për çfarë po ndodhte në Tiranë ngulte këmbë se në Shqipëri zhvillohej një jetë e brishtë politike, se atentati kundër Azem Hajdarit kishte një vulë politiko-mafioze, se opozita me në krye Sali Berishën valviste flamurin e nacionalizmit. Po ashtu se veriu i vendit qe i mbushur me refugjatë kosovarë, të cilët përbënin prapavijën e luftës së bashkëkombësve të tyre brenda territorit të Jugosllavisë. Sipas Navës, “Fatos Nanos që është rreshtuar në pozicionet e bashkësisë ndërkombëtare, jo në favor të hipotezës së shkëputjes së Kosovës, i duhet të luajë mes solidaritetit etnik dhe maksimalizmit”.
Menjëherë më poshtë: “Në Tiranë qarkullojnë zëra të ndryshme, njeri prej të cilëve thotë se kjo vrasje hyn në një plan për dobësimin e mbështetjeve kryesore për guerriljen kosovare”.
Konkluzioni i Masimo Navës më në fund ishte i prerë: “Për rrjedhojë qendrueshmëria e Shqipërisë mbetet akoma një ëndërr”.
Gazeta tjetër italiane, me sektor shumë të fuqishëm për të analizuar situtat jo vetëm në Ballkan apo Evropë, por në tërë botën, “La Stampa”, publikonte në faqen e parë artikullin \"Rebelim në Tiranë, kthehet ankthi i luftës civile\". Autor qe Vinçenso Tesandori dhe ndërsa shkrimi i tij vijonte në faqen pesë titulli këtu ishte formuluar më tronditshëm: \"Një ditë lufte civile në Tiranë\".
Nëntitulli përdorte fjalët \"Njerëzit e Berishës sulmojnë pallatin e qeverisë\". Mes të tjerash Tesandori spikaste se \"Ish-shefi i Shteti kërcënon: \"Nano duhet të ikë brenda 24 orëve ose do të jetë më keq për të\".
Këtë atmosferë të paimagjinueshme për lexuesin italian, e cila vetvetiu shkaktonte tmerr dhe panik, sepse Shqipërinë e kishin te porta dhe rrëmujat e saj u përplaseshin si halle që nuk ua kishin ngenë, e shtonin edhe ato çfarë thoshin eksponentët e opozitës shqiptare.
“La Stampa” botonte një intervistë me Genc Pollon, shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Atij i bëheshin shtatë pyetje dhe në përgjigjet e veta ai akuzonte kryeministrin Nano si përgjegjës direkt të vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Pollo u thoshte italianëve se “Fatos Nano me vrasjen e Hajdarit do të vijojë eliminimin një nga një të opozitarëve dhe se kryeministri shqiptar duhet të japë dorëheqjen. Ndryshe do të ketë dhunë të pakontrolluar. Sinqerisht dëshirojmë që kjo gjë të mos ndodhë”.
“La Repubblica” e 14 shtatorit 1998 në faqen e parë paraqiste fillimin e shkrimit të Renato Kapriles \"Tiranë, vrasja politike djeg pallatin e qeverisë\". Në brendësi botonte për këtë temë në dy faqet 6 dhe 7. Kaprile qe dërguar me urgjencë nga redaksia në kryeqytetin shqiptar. Artikullin e niste me fjalët e Azem Hajdarit thënë në një miting antikomunist në dhjetor 1990: “Unë jam gati të vdes i pari”. Sipas Renato Kapriles, Hajdari qe talent për të tërhequr pas vetes turmat popullore. Dhënien e jetës, shkruante ai, e pati parashikuar si një profet.
Në thellësi të shkrimit Kaprile arsyetonte: “Po atëherë kush e vrau Azem Hajdarin dhe përse? Ishte me të vërtetë Fatos Nano që urdhëroi ekzekutimin? Berisha nuk ka asnjë dyshim se qe ai urdhëruesi, porositësi. Dhe se vrasësi ishte një krijesë sipas vetë Nanos, Jaho Salihi Mulosmani, shef i policisë në zonën veriore të Tropojës. Ky ishte te parë në vendin e krimit. Edhe më shumë se kaq. Qe parë duke hapur zjarr mbi të shkretin Hajdari. Është e vërtetë kjo apo false? Kush e di. Megjithatë ministri Brendshëm Perikli Teta ka pohuar se Mulosmani është “në kërkim” dhe se qeveria shqiptare do të paguajë 100 mijë dollarë (afërsisht 170 milion lireta) personin që mund të japë informacion të dobishëm mbi vrasjen e parlamentarit të PD-së. Porse të tjera mund të jenë shkaqet e vdekjes së Hajdarit. Prej atyre private: kishte shumë armiq dhe duart të futura në më tepër se një trafik. Sidomos në ato ku çështja kosovare ndodhej si në një përzjerje e bisnesit dhe e politikës. Por këto të gjitha janë hipoteza. Deri tani asgjë nuk është e qartë. Ajo që mbetet e sigurtë është fakti që Tirana ndodhet në flakë. Gjuetia për vrasësin e Azemit është shndërruar në gjueti ndaj socialistëve në pushtet. “Nano ka 24 orë kohë të japë dorëheqjen, ndryshe do të ketë katastrofë”, kërcënon një Berishë i etur për hakmarrje. Dhe kështu pas një nate relativisht të qetë dje në mëngjes mijra aktivistë të Partisë Demokratike u derdhën në rrugë duke e vënë nën zjarr dhe hekur qendrën e Tiranës. Me thirrjen “vdekje Nanos” ata fillimisht goditën me gurë dritaret e Ministrisë së Brendshme dhe pastaj sulmuan selinë e Këshillit të Ministrave: xhamat copa-copa dhe një e mbathur e madhe e nëpunësve dhe e funksionarëve. Njërës nga makinat e shërbimit të rojes, e parkuar para hyrjes së godinës së qeverisë, iu vu zjarri dhe për orë të tëra u mbulua nga një re e zezë tymi. Të revoltuarit iu turrën edhe makinave të tjera, ndërsa policia përpiqej t’i shpërndante duke shtënë në ajër.
Mirëpo prej kësaj ndodhi edhe një i vdekur. Një udhëheqës i Partisë “Balli Kombëtar”, formacion politik i së djathtës afër Partisë Demokratike, u godit nga një plumb qorr që vërtitej në ajër. Quhej Skënder Kalenja”.
Pak më poshtë artikulli i Masimo Navës shkruante: “Pastaj, rreth mesditës, gjendja iu rikthye qetësisë, por sot, ditën e funeralit të Hajdarit, pritet të shkojnë punët më keq”.
Disa rradhë më tej: “Ishte një njeri i vështirë Hajdari, por kishte mjaft pasonjës. Dinte të fliste. Për këtë arsye Sali Berisha e thirri pranë vetes që ta rindërtonin partinë dhe për të provuar që të hakmerreshin ndaj Nanos”.
Sikur të mos mjaftonin të përditshmet e mësipërme që siguronin kontakt me të paktën dy milion lexues, “La Repubblica” botonte edhe një shkrim tjetër shumë tronditës. Kishte për autore Stefania di Lelis. Titullohej “Nano është fajtori, Shqipëria do të kryengritet”.
Thuhej në të: “NANO ka vrarë një hero dhe tani duhet të paguajë pasojat e kësaj vrasjeje. Ka nisur momenti më dramatik që ndonjëherë Shqipëria ka kaluar. Zërin Sali Berisha e ka të ngjirrur si pas mbylljes së një mitingu. Nga telefoni i selisë së Partisë Demokratike para të cilës u vra Azem Hajdari ulërin ultimatumin e tij ndaj kryetarit të qeverisë socialiste: “Ose dorëhiqu ose do të përballesh me katastrofën”.
“President, si mund ta akuzoni shefin e qeverisë Fatos Nano për vdekjen e Azem Hajdarit?”
“Gjithçka është shumë e qartë. Krimi u krye tridhjetë metra nga selia jonë dhe ka dëshmitarë që e kanë parë makinën t’i kalojë në bri dhe vrasësit të hapnin zjarr mbi Hajdarin dhe truprojet e tij. Këto që po them nuk janë akuza, por realitet i dukshëm. Ai që qëlloi ishte shefi i policisë kriminale të Tropojës, Jeho Salhi Mulosmani, një njeri i Fatos Nanos. Nuk mund të vazhdojnë të gënjejnë, të vënë shpërblime false duke bërë sikur kanë merak të gjejnë vrasësin. Ministri i Brendshëm Perikli Teta tha që Mulosmani ishte në kërkim, por pikërisht sot në mëngjes u kap një bisedë e tij telefonike në të cilën i bënte komplimente Mulosmanit për “punën e mirë” që kishte kryer. Kemi prova për këtë”.
“Po përse u godit pikërisht Hajdari?”
“Azemi nuk ishte një person çfarëdo, qe një simbol, një hero. Ishte ai që udhëhoqi revoltën e studentëve në 1991. Ishte ai që interpretoi dëshirën për pluralizëm të këtij vendi kundër marksizmit. Nano i cili qe prej palës komuniste, pjesë e këtyre ideve dhe që kurrë nuk u largua prej tyre, përherë e ka parë Hajdarin si një armik. Nuk është e rastit që ai dy herë u përpoq ta eliminonte: shtatorin e shkuar, kur një deputet i tij e qëlloi madje në parlament dhe disa muaj më vonë në një atentat në veri të Shqipërisë. Këtë herë ia doli, por duhet të kuptojë që ky krim nuk do të mbesë pa u ndëshkuar. Vendi nuk do ta lerë të padënuar.”
“Selia e qeverisë tashmë është sulmuar, kishte një të vrarë dhe disa të plagosur. Gjendja rrezikon të rikthehet në ditët e përgjakshme e dramatike të revoltës së 1997”.
“Gjendja është më e rëndë se atëherë. Ka filluar momenti më dramatik që Shqipëria ka kaluar ndojëherë. Sot (dje-shënim i gazetares Stefania de Lelis) mijra persona kanë zbritur në shesh në Tiranë dhe tronditja e madhe ka përfshirë tërë vendin. Nano është paralajmërur: populli është me të vërtetë i trazuar dhe gati për të vepruar”.
“Ju po bëni thirrje për revoltë?”
“Nuk jam unë që po u bëj thirrje shqiptarëve të rrëmbejnë armët. Përkundrazi sapo u bëra një thirrje për ta nderuar me një përkujtim paqësor kujtimin e Hajdarit dhe të truprojes së tij, të paktën deri sa të përfundojë funerali. Trupat e tyre janë ekspozuar, sipas vullnetit të popullit, në sheshin Skënderbej, i cili është zemra e Shqipërisë dhe mijra njerëz po e nderojnë. Kam kërkuar qetësi deri në orën njëmbëdhjetë të të nesërmes (sot në mëngjes-shënim i gazetares di Lelis) pikërisht për të shprehur në mënyrë të merituar nderimin për demokracinë dhe antikomunizmin, por më pas nuk e di çfarë do të ndodhë. Përshtypja ime është se zemërimi i vendit me të vërtetë është i madh. I takon Nanos t ZGJIDHë”.
“Me ç’mënyrë?”
“Duhet të dorëhiqet. Ky është një ultimatum: duhet të largohet deri nesër (sot-shënim i Stefania di Lelis), në orën dymbëdhjetë, para përfundimit të funeralit të Hajdarit dhe të truprojes së tij. Kjo është mënyra e vetme për një zgjidhje politike të mundshme që të shmangë shkatërrimin. Qeveria dhe bota duhet ta dinë këtë, janë ende pak orë para se gjithçka të jetë tepër vonë. Komunistët që sot ndodhen në pushtet janë të urryer nga shumë në Shqipëri. Policia nuk do të lëvizë asnjë gisht për të mbrojtur Nanon dhe të tijtë kur populli të ngrihet në këmbë”.
“Qeveritë perëndimore, Bashkimi Evropian, organizatat ndërkombëtare që vëzhguan zgjedhjet e vitit 1997 dhe rikthimin e rendit publik në Shqipëri e kanë dënuar vrasjen e Hajdarit, por kanë kërkuar nga Partia Demokratike dhe nga ju veçanërisht të mbani qetësinë. Si i përgjigjeni kësaj?”
\"Kurrë dhe kurrë nuk do t’i drejtohem forcës, partia ime nuk dëshiron të vijë në pushtet duke nxitur revoltat e sheshit. Unë jam një besnik i Zotit dhe i votës së lirë dhe dua që njerëzit ta zgjedhin rrugëzgjidhjen paqësisht: të krijohet menjëherë një qeveri teknike, e cila të organizojë zgjedhjet e reja. Është qeveria e Nanos që po provokon popullin me vrasje barbare, jo Partia Demokratike”.
“E megjithatë prej disa javësh tamam ju dhe Azem Hajdari në mënyrë të përsëritur keni udhëhequr turma të dhunshme kundër qeverisë, shpesh duke thyer ndalimin që u ka bërë policia”.
“Ato kortezhe demonstruesish qenë përgjigja për një akt shumë të rëndë të qeverisë Nano: me stilin perfekt të diktatorëve komunistë, në gusht gjashtë ministra dhe funksionarë të administratës së shkuar u arrestuan në shtëpitë e tyre dhe u akuzuan për krime kundër njerëzimitnë shtypjen e revoltës së vitit të shkuar. Qenë akuza false, pretekste për të likujduar opozitën me metoda të një regjimi policor. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se si po qeveriset Shqipëria. Po u kuptua kjo do të kuptohet edhe çfarë mund të ndodhë”.
Këtë intervistë kyçe për të kuptuar strategjinë e veprimit politik të ish-Presidentit Sali Berisha për herë të parë po e përkthejmë të plotë këto çaste, pra 21 vite më pas, sepse në paraditen e 14 shtatorit 1998 nuk kishte asnjë mundësi kohe dhe energjie njerëzore, duke qenë i vetëm në Zyrën e Shtypit të Ambasadës Shqiptare në Romë, të shqipëroja një lëndë shkrimore prej 12-15 faqesh speciale të gazetave italiane. Ndërkohë që më duhej të raportoja edhe për çfarë patën komunikuar televizionet kryesore.
Mes tekstit shumëfaqesh që i dërguam Tiranës, të hartuar prej meje, por sigurisht të miratuar nga I Ngarkuari me Punë Shpëtim Çuçka, ishte ky: “Në intervistën me z. Berisha (i bëhen shtatë pyetje) ai akuzon Fatos Nanon për vrasjen e Azem Hajdarit, sepse Nano që në fillim e ka parë si një armik. Më pas zoti Berisha i thotë gazetares se kryeministri duhet të japë dorëheqjen brenda orës 12 të së sotmes dhe se ky është një ultimatum. Policia nuk do të lëvizë asnjë grusht për të mbrojtur atë. Kur gazetarja i thotë se \"që prej javësh ju dhe Azem Hajdari në mënyrë të përsëritur keni udhëhequr marshime të dhunshme kundër qeverisë\", ai përgjigjet \"këto masa njerëzish kanë qënë një përgjigje ndaj një akti shumë të rëndë të qeverisë Nano\".
Sot e kuptoj se raportimi duhej të qe më i gjerë se kaq. Jo sepse çfarë i deklaronte gazetës “La Repubblica” nuk i pati thënë një për një në median shqiptare. Në orën 18.00 të 13 shtatorit të gjitha partitë e spektrit të djathtë patën bërë një deklaratë ultimative: \"Deri nesër, në orën 12.00, Fatos Nano të japë dorëheqje. Ndryshe partitë e djathta nuk mbajnë përgjegjësi\". Kryetari i republikanëve qe më i avancuar: \"Jo dorëheqje nesër në orën 12.00. Nano duhet të japë dorëheqje menjëherë. Ai e ka mbushur kupën që në Lisbonë, kur bëri deklaratën për Kosovën\".
Raportimi im për intervistën e Berishës në “La Repubblica” të 14 shtatorit duhej të qe më i plotë sepse në Tiranë qe e domosdoshme ta shihnin më mirë çfarë ai i komunikonte opinionit italian. Ndërkohë që pak nga pak po bindeshim përse përveç dy agjencive të zbulimit të fshehtë italian, SISMI dhe SISDE, të dhënat se mund të ndodhte një Liban e Bejrut i ri, pra të kishte në Shqipëri një Shtator të Zi të ri, i shpallte vetë ish-Presidenti.
Ishte e qartë. Sidoqë të zhvillohej lufta politike në Tiranë për vendin tonë tashmë sërish kishte një problem të madh imazhi të rëndë. Tepër e vështirë për ta qartësuar atë dhe Shqipëria të dukej një vend gogol. Këtë ditë të 14 shtatorit 1998, e cila nga disa ngjarje që do të ndodhnin afër mesditës do të shndërrohej në një ditëzezë të prestigjit të saj, vetëm gazeta e partisë së qendrës së majtë në qeverisje, “L\'Unita\", me tirazh 260 mijë kopje, do të botonte një intervistë të gazetarit Umberto de Xhovanxheli, me Pavllo Zërin, pjesëtar i kabinetit të Fatos Nanos. Titullohej: \"Ja që po mbërrijnë për të vrarë Nanon\". Zërit i bëheshin 5 pyetje dhe ai tregonte hollësisht se si u sulmua selia e qeverisë. Fjalët e fundit të tij qenë: \"Një gjë është e qartë: Shqipëria ka zgjedhur rrugën e demokracisë. Askush nuk do t\'ja dalë të kthehet mbrapsht\". Pavli Zëri në motet 2004-2005 do të qe ambasador i Shqipërisë në Romë.
Ndërkaq në faqen 5 “La Gazzetta del Mezzogiorno\" botonte katër shkrime, në njërin prej të cilëve nuk harronte të nënvizonte se \"Dhe në Kosovë ka refugjatë dhe viktima të reja”.
Ditë pas dite, të shkëputur nga përjetimi konkret i ngjarjeve në Shqipëri, do të kuptonim se kishte jo pak ndryshim mes asaj që thoshin gazetat, televizionet dhe opozitarët e djathtë në Tiranë nga ajo që ngjante në të vërtetë. Pas dy javësh në Romë do të vinte deputeti i të majtës socialiste Spartak Braho dhe mes shumë të dhënave të reja, do të më tregonte edhe këtë episod. Sipas tij, \"akuzat e Berishës për Fatos Nanon si gjoja urdhërvrasës janë bërë kaq të rëndomta sa që qarkullon edhe një barsaletë. Berisha po mbante fjalim në një miting të njerëzve të vet, ndërsa këta të fundit po shanin Fatos Nanon. Sali Berisha po thoshte se Nano kishte vrarë anëtarin e Partisë Demokratike, ta zëmë të Burrelit, filanin. Ai e thoshte të vrarin me emër e mbiemër. Pastaj shtonte se Fatos Nano kishte pushkatuar kryetarin e komunës dhe anëtarin e PD-së, filan fistëkun. Më pas përsëri se edhe veprimtarin e shquar të partisë së tij, iksin, Nano i kishte vrarë. Kishte shkuar në plumb edhe një të katërt, anëtar kryesie të PD-së në fshatin...Kështu ishte i gjithë fjalimi, me të vrarët e Fatos Nanos. Kur tek vazhdonte numëronte shembujt një zë nga mitingu i thërret \"O zoti Sali, e kanë vrarë edhe Tosin\". Berisha iu përgjigj menjëherë \"Edhe Tosin e ka vrarë Nano\".

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 4 shtator 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com