Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

PRILL 1944, DIPLOMATI SPECIAL DHIMITĖR BERATI I SHKRUAN MINISTRIT TĖ JASHTĖM BAHRI OMARI: QEVERIA JONĖ E KA HARRUAR KOSOVĖN
PĖRFUNDIMI I KRIZĖS SĖ ARMATOSUR TĖ SHTATORIT 1998: DORĖHIQET FATOS NANO
NĖ RRUGĖN KU ISHTE THEMELUAR PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE PLUMBA MBI MINISTRIN KOSOVAR AHMET KRASNIQI
NĖ TIRANĖ NUK BIE QETĖSI: NĖ 21 SHTATOR 1998 DINAMIT NĖ BANESĖN E POLITIKANIT MINORITAR GREK VASIL MELO
“KOKĖKRISJE”: SULMOJ MEDIAN ITALIANE PĖR SHTRĖMBĖRIME TĖ IMAZHIT TĖ SHQIPĖRISĖ DHE JA DAL
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PARA KRYEMINISTRISË PROVA E PARË DEMOSTRUESE ME ARKIVOL NË DUAR: 4 SHTATOR 1998


(Botuar në “Illyria” në 25 korrik 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i njëzetë e nëntë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Në 1 shtator 1998 \"La Stampa\" botonte artikullin “Manifestim në Tiranë. Berisha udhëheq revoltën kundër qeverisë\". Në të thuhej se \"Pas dy orësh e gjysëm është mbyllur manifestimi i madh i protestës, i ndaluar nga policia dhe i organizuar në Tiranë nga Partia Demokratike e ish-presidentit Sali Berisha, sot udhëheqës i opozitës. Nuk kishte incidente. Burime të Partisë Demokratike megjithatë kanë thënë se forcat e rendit kanë ndaluar disa manifestues. Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë e kryeministrit socialist Fatos Nano, duke premtuar se \"do ta rrëzojë këtë regjim me çdo mjet\". Mijëra demonstrues mbanin në duar banderola dhe thërrisnin parrulla kundër \"kthimit të komunizmit\". Ndërkohë një depo e ushtrisë shqiptare është sulmuar dhe plaçkitur në qytetin e Krujës, 50 kilometra nga kryeqyteti; e kanë njoftuar burime zyrtare\".
Në 2 shtator, siç ia vumë në dukje lexuesit në shkrimin e javës së shkuar, në Ambasadën tonë në Romë erdhi fotografi mik dhe autori i një albumi shumë cilësor për Shqipërinë e pas diktaturës, Bruno Kalvo.
Në 3 shtator, pra vetëm një ditë pas vizitës së Kalvos, sigurisht për të marrë ndonjë informacion për çfarë po ndodhte rrëmujshëm dhe papritur në vendin tonë, erdhi edhe botuesi Kostanco D’Agostino (Costanzo D’Agostino). Pak ditë më parë ai kishte bërë gati për shtypshkrim një guidë tetëfaqeshe të ilustruar dhe të pajisur me të dhënat e nevojshme për sipërmarrësit italianë që donin të investonin në Shqipëri. Ua garatonte suksesin jo vetëm me referimet për një paketë ligjesh lehtësuese të qeverisë së Tiranës, por edhe me vetë titullin e broshurës informative. Shkruar në letër speciale ai kishte fjalët: “Albania verso il terzo millennio” (“Shqipëria drejt mijëvjeçarit të tretë”).
Redaktorë të saj ishim Visar Zhiti dhe unë. Me ideimin grafik qe angazhuar italiani Adriano Koci (Adriano Cozzi).
Ndërkohë pas një takimi koordinues mes dy palëve, dy përfaqësuesve të Ambasadës dhe botuesit D’Agostino, qe vendosur që disa kohë materiali të ishte projekt dhe publikimi të kryhej në mes apo në fund të vjeshtës së atij viti. Në të v vërtetë shpresonim në një përditësim më të mirë të të dhënave. Ndërkohë bashkë me Visarin dhe D’Agostinon, pra ne të tre, kishim nisur në të njëjtën kohë punën edhe për një botim të ndërlikuar dhe mjaft të domosdoshëm, një libër i vërtetë në italisht, për Nënë Terezën dhe shqiptarinë e saj.
Kjo do të ishte një vepër “diplomatike” shumë serioze.
Në të vërtetë Kostanco ishte një guximtar i vërtetë, kokëshkretë madje, kokëkrisur. Bocetet e tij për botim ndonjëherë qenë kuturisje përtej fantazisë, por ishte aq këmbëngulës në të vetën (qe siçilian) saqë, edhe pse jo sipas idesë të shkëlqyeshme fillestare, projekteve të tij ia dilte mbanë.
Sikur të mos kishim dy punë në duar atë 3 shtator 1998 Kostanco D’Agostino, me një gjendje emocionale të ngritur dhe me një turbullim që përpiqej ta fshihte, erdhi në Ambasadë me një projekt tjetër. Dukej si i sajuar enkas për atë situatë, ide e lindur në mos njëzetë e katër orë më parë, patjetër jo më tepër se një javë shkuar.
Do të ishte një broshurë propagandistike me titullin “Shqipëria, vendi i mrekullive”.
Ah, kjo, jo! “Shqipëria e mrekullive” ishte tepër. Kostanco duhej frenuar dhe ulur me këmbët në tokë. Ky projekt qe e domosdoshme të shtyhej për një kohë tjetër. A nuk e shihte D’Agostino çfarë lajmesh vinin nga vendi ynë? Ku qe mrekullia atje?
Ia thamë me kujdes këtë, në formën më rrufjane të mundur, por ku tundej ai. “Pikërisht sepse po bëni trazirë prapë, si në 1997, këmbënguli Kostanco, duhet kundërsulm për ta mbrojtur imazhin e Shqipërisë”.
Hall i madh po na dukej mbushëmendja e tij, sepse po të mos e bindje ai të nesërmen të vinte në Ambasadë me ndonjë njëmijë kopje të broshurës së porsabotuar, dreqi e dinte, edhe nëpër natë shtypur!
Por më në fund ai mik i dashur dhe i sinqertë i Shqipërisë u tërhoq përkohësisht dhe ne për minuta të tëra e morëm me të mirë, sepse ai për mirësi kishte ardhur atë ditë të 3 shtatorit: të na rrinte pranë në këtë gjendje të re të luftës politike shumë të ashpërsuar në Tiranë. Kaluam një orë së bashku dhe kur iku, na u duk me një gjendje emocionale më të qetësuar.
Sidoqoftë që prej këtij çasti i vumë një nofkë: \"D\'Agostino dei Miracoli\", i cili donte të thoshte \"D\'Agostinua që bën mrekullira\".
Ky person fantastik dhe i çuditshëm në prill të vitit 1992 kishte sponsorizuar në Tiranë një gazetë me titullin \"Çok\" dhe me shënimin e dukshëm \"Humor dhe satirë, çmimi 4 lekë\".
Ideator dhe kryeredaktor i saj ishte Bujar Kapexhiu. Në numrin e parë, të cilësuar \"botim i jashtzakonshëm\", pothuaj në shumicën e hapësirës së katër faqeve të saj, u publikua shkrimi \"Mrekulli në Tiranë\".
Ai fillonte me fjalët: \"Në Tiranë një zë përhap mrekullinë. Diçka e jashtzakonshme që nuk mund t\'i shkonte në mend askujt, ka ndodhur këto kohët e fundit në kryeqytetin e Shqipërisë në një moment të veçantë të historisë së këtij vendi: tre fshatarë po gërmonin pus uji dhe befas shpërtheu gjëmimi. Doli naftë\".
Pastaj përshkruhej jo vetëm gëzimi i madh i shqiptarëve për këtë mrekulli që u kishte ndodhur, por edhe se parashikimet më të sigurta përflisnin se rreth vitit 2000 të gjithë banorët e Shqipërisë, të porsadalë nga varfëria e komunizmit, do të bëheshin të pasur.
Në fund të katërfaqëshit me titullin \"Çok\", kryeredaktori dhe karikaturisti i njohur shqiptar sqaronte se ajo që kishte shkruar nuk ishte veç një shaka e vogël dhe se atë numër të parë gazete si edhe shakanë pa të keq e kishte botuar me shpenzimet e një miku italian. Nuk ia citonte emrin Kostanco D\'Agostinos, por nuk harronte të shtonte se \"pasuri më të madhe se të gjitha puset naftëmbajtëse kemi lirinë, hapjen e vendit, miqësinë me popujt e botës\".
Gazeta më pas nuk u botua më edhe pse dëshira e sponsorizimit të numurit të dytë nuk mungoi. Veç u zbulua se këtë stil të mrekullive D\'Agostino kishte kryer më parë edhe në atdheun e vet, në Itali, në fund të dhjetorit 1989.
Tamam për Vitin e Ri ai kishte botuar papritur në Romë një gazetë me titullin \"Projekti i Madh\" dhe në mijra kopje e kishte transportuar dhe shpërndarë në qytetin e tij të lindjes në Mesina. Në shumicën e gjashtëmbëdhjetë faqeve të gazetës së tij befasuese ai kishte përshkruar \"mrekullinë\" që kishte arritur të merrte vesh dhe të tjerët nuk e dinin. Kjo kishte të bënte me gjetjen në gjirin detar të Mesinës të një thesari të mbretit Tobruk, afro 240 vite para lindjes së Krishtit, vlera e të cilit çmohej me shifrën prej 130 mijë miliardë liretash.
Tamam aq sa edhe ishte defiçiti i bilançit të Shtetit të tyre!?
Në të gjitha faqet e gazetës surprizë përshkruhej se si flota luftarake italiane rrethoi mistershëm vendin ku u gjet thesari dhe nisi fshehurisht nxjerrjen e tij, si u gëzua kryeministri Xhulio Andreoti apo e uruan atë Ledi Diana dhe Mihal Gorbaçovi, Xhorxh Bushi dhe Helmut Kohli, Hysni Mobaraku dhe Filipe Gonzalesi...
Gazeta e përpi, por shumë shpejt karabinieria e qytetit të vendlindjes u desh të mblidhte me ngut kopjet e mbetura për të penguar sadopak përhapjen edhe më të madhe të shakasë së rrezikshme.
D’Agostino ishte larguar pa ardhur mesdita, ndërkaq që në Shqipërinë që ai donte të ishte sa më e lulëzuar, \"Koha Jonë\" në faqen e parë ravijëzonte: \"Lazarat. Pas një dite e nate të tensionuar e mbushur me breshëri e shpërthime, tragjedia do të niste rreth orës 9.00 të ditës së djeshme. Forcat policore, përfshi në to forcat speciale të Ministrisë së Brendshme, morën nën kontroll rrugën e bllokuar prej së cilës personat e armatosur dhe grabitësit u tërhoqën gjatë natës pa bërë rezistencë, hynë në lagjet e fshatit rreth orës 8.00, duke synuar kontrollin e disa banesave për armë e sende të vjedhura. Ndërsa grupi i parë i policisë me një makinë ka depërtuar deri afër qëndrës së fshatit e më pas ka zbritur sërish poshtë për t\'u shoqëruar më vonë nga automjetet e tjera me forca, kanë nisur menjëherë drejt tyre breshëri të shumëllojta armësh...Drejt tyre është gjuajtur me një arsenal armësh nga pozicione të shumta përfshi dritare, bunkerë, rrëpira etj.
Një dëshmitar: \"U gjendëm në një vend që ishte i pafavorshëm dhe që gjendeshim të ekspozuar. Policët tanë u përpoqën të shpëtonin nga breshëritë e plumbave dhe predhave, por ata ishin të rrethuar. U desh dy orë që ata të tërhiqeshin nga ai shesh zjarri. Vetëm makina e blinduar ka mundësuar shpëtimin e forcave speciale që u shpëtoi jetën atyre. Pas kësaj tërheqjeje në sheshin e fshatit mbetën katër automjete të policisë, të cilave më pas u është vënë zjarri\".
Ndërkaq \"Rilindja Demokratike\" u paraqiste lexuesve të vet këta tituj: \"Nesër prova e re e demokratëve. Të gjithë në shesh kundër neodiktaturës\", \"Tirana do të zbojë Fatos Nanon\", \"Protesta të fuqishme në Fier, Peqin, Ballsh dhe Krujë: Sot Elbasani dhe Pogradeci në shesh. Gjithë Shqipëria thërret: \"Lironi të burgosurit politikë! Të shporret qelbësira!\", \"Fatos Nano urdhëroi gjakderdhjen në Lazarat\".
Në këtë shkrim të fundit thuhej: \"Dy autoblinda dhe 500 policë sulmojnë fshatin antikomunist. Kundër shtëpive qëllohet me të gjitha llojet e armëve. Mbeten të plagosur 7 policë, të cilët deklarohen në spital kundër konfrontimit me popullsinë. Situata vijon të jetë e tensionuar. Gjatë natës së djeshme priteshin sulme të reja policore mbi fshatin\".
Ngjarjet në Lazarat ishin vënë edhe nën vëmendjen e shtypit italian. \"Corriere della Sera\" botonte në mes të faqes 13, në rubrikën \"Harta e botës\", lajmin \"Shqipëri, kthehen vatrat e revoltës\". I botuar me gërma të zeza lajmi qe ky: \"Lazarat, fshat në Shqipërinë jugore, banorët e të cilit që prej tre ditësh janë në revoltë. Simpatizantët e Partisë Demokratike (PD) të ish-presidentit Sali Berisha, dje në mëngjes kryengritësit i kanë bërë një pritë repartit Renea (trupa speciale të rendit) duke plagosur tetë prej tyre. Katër janë në gjendje shumë të rëndë\".
\"Il Manifesto\" publikonte në krye të faqes 7 artikullin \"Betejë e pritë në Gjirokastër\". Nëntitulli kishte fjalët: \"Tetë policë shqiptarë të plagosur (tre po vdesin) në një pritë të njerëzve të armatosur të Berishës që kishin bllokuar rrugën kombëtare për në Greqi\". Ai qe shkruar nga Ester Nemo dhe shoqërohej me një foto, në të cilën tregohej një polic me automatik në kokën e një të ndaluri prej tij. Teksti shoqërues i fotografisë qe \"Përleshje në Elbasan gjatë vitit të shkuar. Një pamje që po kthehet?\"
\"Il Manifesto\" po ashtu në faqen 5 botonte shkrimin \"Jelcin-Klinton: \"Në Kosovë vetëm armëpushim dhe negociata\". NATO jashtë loje\". Pati autor një nga drejtuesit e kësaj të përditshmeje radikalkomuniste: Tomazo Di Françesko (Tommaso di Francesco).
Në 4 shtator 1998 media elektronike italiane nuk trasmentoi asnjë lajm mbi Shqipërinë, kurse për Kosovën, ishte gazeta “Il Foglio” që shkroi vetëm dy rreshta. Në to njoftoi se një ditë më parë qenë vrarë 20 luftëtarë të UÇK-së.
Në 4 shtator në Tiranë ndërsa \"Zëri i Popullit\" titullonte “Lazarat, policia nuk tërhiqet. Siguri në aksin rrugor nacional\", “Rilindja Demokratike\" theksonte: \"Lazarati është bastion i pamposhtur antikomunist\".
Këtë ditë, sipas kësaj të përditshmeje, Azem Hajdari kishte deklaruar: \"Si kryetar i Komisionit Parlametar të Mbrojtjes denoncoj klikën në pushtet të Fatos Nanos për politikën e izolimit, në të cilën ajo zhyti Shqipërinë...Kjo është një qeveri, e cila ka zhvilluar krimin e organizuar, trafikun e organizuar dhe korrupsionin e organizuar dhe është shpallur qeveria më e korruptuar në Evropë\". Ndërkaq vinte në dukje se në mitingun e orës 18.00 mbi tetëmijë vetë patën mbushur në Tiranë sheshin \"Skenderbej\" në pritje të liderit të tyre Sali Berisha dhe ndërsa ky po vonohej, mitingun e \"nxehu\" Azem Hajdari. Kur ish-presidenti erdhi e doli para pasuesve të tij, nuk vonoi që t\'i sillnin në tribunë një arkivol me fotot e Enver Hoxhës, të klasikëve të marksizëm-leninizmit, të Sllobodan Millosheviçit dhe të Fatos Nanos.
Më pas, ndërsa mitingu në shesh përfundoi, masa e njerëzve mori rrugën drejt bulevardit \"Dëshmorët e Kombit\" dhe u ndal para godinës së kryeministrisë.
Përpara turma mbante arkivolin e Fatos Nanos.
Aty ja vunë zjarrin menjëherë dhe flakët i shoqëruan me britma kënaqësie. Me gjuhët e përndezura të zjarrit ndëshkues u bashkuan edhe shkëlqimet e dhjetra bliceve të fotoreporterëve të gazetave. Pastaj, krejt papritur, prej qiellit u zbraz një shi i rebeshtë, i cili i shuajti flakët mbi arkivol dhe i shpërndau demonstruesit.
Pasdite Fatos Nano udhëzoi krerët lokalë të Partisë Socialiste që të inicionin tryeza bisedimesh, ku nuk duhej të përjashtohej as opozita. Ai shtoi se \"me Partinë Demokratike mund të dialogohet\" dhe se \"do t\'i mundim me dashuri\".
Në orët e para të mëngjezit të 5 shtatorit \"Rilindja Demokratike\" në faqet e para rradhiste titujt: \"Tirana: qërohu Nano!\", \"Ta shporrim, ta shporrim, ta shporrim qelbësirën\", \"Sot Korça në shesh, ultimatum Nanos\", \"Protesta të fuqishme për të rrëzuar klikën\", \"Durrsakët kërkojnë shporrjen e Nanos\", \"Nano po destabilizon vendin\", \"Tirana: Qërohu Nano!\", \"100 mijë demokratë kulmojnë protestat në Tiranë. Ta shporrim qelbësirën. Berisha: Nano, mos prek Lazaratin, se beteja zhvillohet në Tiranë\", \"Berisha: Uragan popullor kundër Nanos\", \"Nano: Paratë e dritave të blihen plumba\".
5 shtatori ishte edhe dita e përkujtimit të vitit të parë të vdekjes së Nënë Terezës. Në mbrëmje TVSH transmentoi në lajme edhe pamje nga koncerti jubilar për humanisten e shqiptaren e famshme. Ai u mbajt në qendrën spitalore, e cila ndërtohej në Tiranë me nismën e saj. Në skenë qe edhe Ana Oksa.
Këtë ditë speciale botërore të 5 shtatorit shtypi italian i çeli hapësirë ngjarjes, veçanërisht e përditshmja me tirazhin më të lartë, \"Corriere della Sera\". Ajo theksonte “ta kujtojmë këtë motër shqiptare\".
5 shtatori ishte edhe dita kur në Itali \"La Gazzetta del Economia\" në faqen e parë njoftonte publikun se të shtunën kryeministri Romano Prodi do të përuronte Panairin e 62-të të Lindjes në Bari (Fiera del Levante). Në faqen 12 kishte një intervistë me presidentin e Panairit, Divela, në të cilën përmendej tërë programi i tij. Qe përfshirë në të edhe “Dita e Shqipërisë”. Divela informonte opinionin se më 16 shtator do të ishte në Bari edhe kryeministri Fatos Nano.
Shënojmë: Në 5 shtator sërish për temën shqiptare kishte heshtje të madhe të grupeve televizive RAI dhe MEDIASET
Në 6 shtator për Nënë Terezën shkruajtën përsëri \"Corriere della Sera\", \"La Repubblica\", \"La Stampa\" dhe \"Il Messaggero\". Media italiane nuk hapi vend për çfarë po ndodhte në luftën e brendshme politike në Shqipëri, kurse në mbrëmje pati vetëm një rast, ku lajmi u përcoll me figurë dhe bënte fjalë për Kosovën. Qe mbledhja e Salizburgut, për të cilën Raidue, ora 22.50, tha se ajo nuk mori asnjë sanksion kundër Beogradit, miratoi ndihma financiare për refugjatët kosovarë dhe iu përgjigj ashpër krahut radikal shqiptar, duke deklaruar se nuk do të miratonin në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës. Këtë lajm Rai nuk e dha në teletekst, por e veçoi Mediaset.
Kështu në 6 shtator 1998 Sllobodan Millosheviçi dhe doktrina e tij shtypëse vazhdonin të qenë në revansh. Ajo që ndodhte në Kosovë dhe në Shqipëri tashmë qenë si dy enë uji, të cilat komunikonin me njëra-tjetrën me zbrazje dhe mbushje. Kryeserbi ia kish dalë ta kryente përmbytjen atje ku i lypej shpëtimit nga kriza e vërtetë.
Ndërkaq në 7 shtator në Durrës Azem Hajdari kishte bërë deklaratën publike të rradhës: \"Revoltat antidiktatoriale do ta përmbysin Nanon dhe komunistët në pushtet, të cilët erdhën me djegie, vrasje, dhunë, shkatërrime dhe vjedhje një vit më parë\".
Në 8 shtator, ditë e martë, në faqen e parë të “Rilindjes Demokratike\" spikatnin titujt: \"Klika nis të tërhiqet. Kryeministri urdhëron Gjykatën të zbuzë vendimet...Demokratët njësoj të vendosur në protestën e tyre. Nano të shporret dhe të kërkojë falje. Kryeministri përdhosi ditën e përkujtimit të Nënë Terezës. Ai provoi se i ka urdhëruar vetë arrestimet e 22 gushtit. Opozita do t\'i japë përgjigjen e merituar provokimit\".
Po ashtu në faqen e parë: \"Nano fsheh dorën e thikës\", \"Nesër Shijaku kundër Nanos\", \"Orët tona në burg janë orët e fundit për Nanon\", \"Durrësi: Nano largohu!\", \"Peshkopi, revoltë masive kundër Nanos\".
Këtë ditë të 8 shtatorit në Itali \"La Repubblica\" e riktheu vëmendjen tek vatra kryesore reale e konfliktit në Ballkan: “Votim në Kosovë brenda tre muajsh\". Autore qe Ingrid Badurina.
Në të thuhej se ky lajm qe konfirmuar nga Beogradi e madje edhe nga mjedise të Lidhjes Demokratike të Prishtinës. Sipas kësaj të fundit, në zgjedhje do të kishte edhe vëzhgues të huaj. Në këtë shkrim thuhej po ashtu se në Kosovë po vepronte tani edhe FARK (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) të afërta me Bujar Bukoshin. Madje këmbëngulej se “ka tension mes FARK dhe UÇK-së, por në të vërtetë deri tani, theksonte, luftimet po zhvilloheshin mes UÇK-së dhe trupave speciale jugosllave”. Po kjo gazetë në rubrikën \"Opinione nga bota\" citonte disa rradhë nga gazeta \"Herald Tribune\" në të cilën përpiqej të argumentonte se edhe alternativa e rrugës ushtarake të Millosheviçit edhe ajo e ndërhyrjes së NATO-s qenë e do të ishin pa efekt e rezultat.
Kështu në 8 shtator presidenti serb Millosheviç qe edhe më shumë në revansh mbi shqiptarët. Dukej sikur koha po punonte për të.
Më 9 shtator \"Il Sole 24 Ore\" botonte në fund të faqes 2 shkrimin \"Vitin e ardhshëm 60 miliardë ndihma italiane për Shqipërinë\". Ai fillonte me fjalët \"Kriza kaloi. Vendi tashmë është në konsolidim të institucioneve demokratike, por angazhimi italian për rilindjen e Shqipërisë nuk ngadalësohet e mbetet vazhdimisht i përqendruar në ristrukturimin e forcave të rendit dhe në organizimin e burgjeve\".
Më pas lajmi i referohej deklarimit të një dite më parë të gjeneral Franko Anxhonit, të ngarkuarit të jashtëzakonshëm të qeverisë italiane për ndihmat ndaj Shqipërisë, mbajtur në Komitetin e Koordinimit të përbërë nga përfaqësues të dikastereve dhe sipërmarësve të pranishëm në Tiranë, ku u paraqitën të gjitha strukturat e ndihmave që Italia i jepte Shqipërisë dhe në sektorët përkatës. Pasi përmendeshin disa shifra të njohura, artikulli shkruante se \"një listë e projekteve dhe e ndërhyrjeve do të diskutohen më 15 shtator në Romë në takimin që Romano Prodi do të bëjë me udhëheqësin shqiptar Fatos Nano\".
Ndërkohë “Il Messagero\" botonte si nëntitull të shkrimit të saj fjalët \"Dhe në Shqipëri Italia do të investojë 60 miliardë të tjera. Anxhoni: edhe në Tiranë do të ngrihet \"113\".
113, ishte fjala për një repart special të ruajtjes së rendit.
Por a ishte i sigurt rendi publik në Shqipëri?
Konflikti mes pushtetit serb dhe shqiptarëve të Kosovës qe zhvendosur në Tiranë. Që nga Roma kjo dukej qartë. Në Tiranë bashkë me qindra e mijra kosovarë të rezistencës së armatosur, pothuaj tashmë të shpartalluar nga armata e Millosheviçit, a nuk ishin mbartur në kryeqytetin e Shqipërisë, prapavija e vetme e tyre, edhe grupe diversionistë?
Pra bashkë me këta të ikur thua nuk kishin depërtuar, të maskuar mirë, edhe agjentë të Beogradit, një veprimtari e tyre nëpër dekada të tëra për ta dobësuar Shqipërinë dhe mbajtur nën kontroll? Deri ato çaste shërbimi i fshehtë serb i përmbahej rregullit që në çdo gjashtë jugosllavë, një të ishte informator i shtetit. Për Kosovën kjo zbatohej shumë rigorozisht. Madje flitej se më e pakta një agjent ishte deri edhe në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës, prej ku ai merrte vesh çdo gjë.
Po në Tiranë? Serbët gjithnjë qenë mburrur se nëpër Shqipëri e kishin shumë funksionale rrjetin e agjenturës së tyre, të shumuar gjatë moteve 1944-1948, të goditur përkohësisht në fund të viteve dyzetë e në përpjekje rigjallërimi pas vdekjes së Stalinit dhe drejtimit të Moskës nga Nikita Hrushovi. Në fund të moteve gjashtëdhjetë dhe fillim të atyre shtatëdhjetë qenë në veprim dhe pas goditjes së tretë nga Enver Hoxha dhe Sigurimi i tij, u rindjenë të zotë për misionin e tyre informativ në nisje të viteve tetëdhjetë, ndërsa morën hov gjatë ndryshimit të regjimit në motet 1991-1992.
Tashmë që lufta e brendshme politike në Shqipëri kishte hyrë në një kacafytje a mund të rrinin ata duarkryq? Trazirat e rendit publik janë përherë mjegull për të vepruar dhe humbur gjurmët.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 23 korrik 2019

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com