Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ISMAIL KADARE NGA PARISI: MBROHENI NGA FASHIZMI SERB POPULLIN TIM!


(Botuar në “Illyria” në 13 qershor 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i njëzetë e tre i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Në mëngjesin e 3 prillit 1999 në Romë do të mbetesha i pagojë kur në teletekstin e radiotelevizionit shtetëror italian RAI dhe në atë të kompanisë mediatike private të Silvio Berluskonit, Mediaset, do të shihja një lajm me autor Ismail Kadarenë.
Ai i kishte dhënë, me sa dukej në 2 prill, një intervistë gazetës franceze “Liberation”, ku kushtronte një thirrje jo vetëm për opinionin publik evropian, po edhe për tërë udhëheqësit e aleancës që po bombardonte Sllobodan Millosheviçin dhe strukturat e tij mbështetëse.
Thelbi kryesor i kushtrimit të Kadaresë qe: Shpëtojeni popullin tim nga shfarrosja që po i bëjnë fashistët serbë!
Shkrimtari i shumënjohur pati qenë protagonist në Konferencën dhe pastaj Marrëveshjen e Rambujesë, pra ishte non stop i informuar, por deri ato çaste më ishte dukur se nuk mund të kishte dijeni për ato pjesë të popullsisë së Kosovës, të cilët nuk patën dalë jashtë kufirit, por po mbroheshin e mbijetonin nëpër lugina malesh të mbushura nga bora e të mbuluar gra e fëmijë, pleq, vetëm nga mushama plastike.
Besoj edhe tani, si ato çaste kur në Ambasadën Shqiptare në Romë mblidhja informacion mediatik për t’ja dërguar pa pushim qendrës tonë, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: Ismail Kadare nuk ka ditur asgjë për këto kështjella të brendshme qendrese.
Por e kishte ndihmuar, për ta kuptuar këtë ekzistencë, jo thjesht parandjenja, por fryma e fortë e kombëtarizmit. Kjo është më e fortë se çdo lloj telepatie apo ndjesie paranormale. Ta shton gjeninë.
Në mbyllje të shkrimit të herës së shkuar, duke cituar një fragment nga libri “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, 2007, nëpërmjet oficerit të lartë shqiptar Dilaver Goxhai kujtova për lexuesin e tanishëm një episod nga mbijetesa brenda territorit kosovar, në vetëm një hapësirë, të afro 15.000 bashkëkombësve.
Po e përcjell më tej këtë ngjarje: “Kur më në fund, pas disa orë marshimi, iu avitën malit të kërkuar, bënë kthesën për në komandën e zonës operative të Nerodimës, në fshatin Mollopollc. Këtu Bislimi u kërkoi njerëzve të UÇK-së së asaj zone operative të gjenin një vend të përshtatshëm për vendkomandën e re të asaj pjese kryesore të Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa ai vetë shkoi në Budakovë, ku zhvilloheshin luftime. E shoqëroi komandant Drini”.
Siç edhe e theksova në shkrimin e herës së shkuar, duke e ndjekur dinamikën e asaj lufte nëpërmjet medias italiane (dhe asaj të Tiranës, po ashtu edhe televizionit francez, të cilin e interceptoja privatisht në banesën time në Viale Libia në Romë), më qe krijuar përshtypja se në muajt e parë të 1999 Kosova ishte zbrazur pothuaj krejtësisht nga popullsia e vet. Të gjithë patën ikur në Shqipëri, në Maqedoni dhe Itali, jo pak shpërndarë edhe nëpër të afërmit e tyre në kontinent.
Kur më 9 qershor 1999, pra plot njëzetë vite të shkuara, ndoqa dhe regjistrova të gjitha lajmet për ditëçlirimin e Kosovës, largimin e armatës serbe, hyrjen e tankeve britanikë dhe aksionin e beftë të trupave ruse për marrjen nën kontroll të aeroportit të Prishtinës, një telegazetare italiane në kronikën e saj, tek tregonte grupe të mëdha kosovarësh, shumica fëmijë, që shoqëronin me brohorima ardhjen e blindeve të NATO-s dhe të trupave të saj tokësore, spikati një konstatim të saj befasues me këto fjalë: Këta fëmijë duket sikur kanë mbirë papritur nga toka, nuk e kuptojmë dot ku ishin fshehur deri tani dhe si patën shpëtuar.
Me pak fjalë, ja edhe një provë tjetër se në Kosovë kishte pasur një pjesë të rëndësishme të popullsisë së saj, e cila nuk i pati lënë trojet e veta dhe i qe kundërvënë me guxim të madh operacionit ushtarak “Patkoi”. Ky si objektiv kryesor kishte pasur zbrazjen totale, dëbimin e të gjithë shqiptarëve, deri tek më i fundit.
Ndërkaq pati dështuar jo vetëm ai, por paralelisht edhe “Patkoi” diplomatik e mediatik i Sllobodan Millosheviçit, me mbështetje nga larg dhe nga afër, ditënatë, të rusëve.
Kur në pranverë 2002 do të rikthehesha në Shqipëri, në administratën qendrore të Ministrisë së Jashtme, vit pas viti do të gjeja informacion të ri se si në 31 mars 1999, kur nëpër Evropë u pleksën mjaft thirrje ndaj Aleancës së Atllantikut të Veriut që të ndërpriste bombardimet ajrore, grupet “paqedashëse”, të cilat niseshin nga Beogradi apo Moska, në thelb mbanin të fshehur veprimet e egërsuara të kundërveprimit ushtarak serb ndaj rezistencës së armatosur të popullit shqiptar të Kosovës, por edhe kundër popullsisë civile pa armë.
Kësaj rrethane shumë vlerësuese për luftën çlirimtare nuk kish se si të mos i hapja vend në dy librat e mi, të cilat, siç ju kam informuar më parë, i publikova në 2007 dhe 2008: “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës” dhe “Lamtumirë kallashnikov!”
Tek “Koloneli” dëshmova se nëpër natën e 1 prillit, në një veprim për të thelluar forcën e qëndresës së UÇK-së ndaj operacionit shfarrosës “Patkoi”, Shtabi i Përgjithshëm i saj u nda në dy pjesë dhe kur njëra prej tyre po marrshonte drejt vendkomandës së re, u bë dëshmitare nga fare afër i një mase prej mijra njerëzish, pleq e fëmijë veçanërisht, që mbijetonin në akullimën e Grykës së Shalës.
Njerëzit e Shtabit e dinin këtë si fakt, e patën njohur të raportuar me gojë apo me shkrim, por nuk e kishin parë me sytë e tyre.
Po e vijojmë për pak çaste këtë rrëfim: “Dilaver Goxhai bashkë me zëvendëskomandantin e zonës, komandant Ferrin, pas dy apo tre ditë kërkimesh mbërritën në Devetak, i cili ashtu siç sllavisht thoshte emri, kishte vetëm nëntë shtëpi. Mbi fshat gjetën një lëndinë të rrethuar me pyll ahu. Ajo ishte e madhe, butazi e pjerrët. Në mes të saj kishte gjerdhe me pemë e në qendër të tyre panë të ndërtuar koçekë misri. Këta ishin shumë të gjatë dhe UÇK-ja e zonës i kishte mbushur me rezerva ushqimore, kryesisht konserva dhe miell. Pranë koçekëve ishte një shtëpi me dy dhoma.
Pikërisht këtu u vendosën.
Prej këtej ajo pjesë e rëndësishme e Shtabit të Përgjithshëm operativisht dhe në shkallë të gjërë do të drejtonte vazhdimin e luftës me “Patkoin”.
Shumë më tej shkruhet: “Më 2 prill 1999 iu bë thirrje të gjithë shqiptarëve, kudo ku ndodheshin, që të vinin në luftë. Tekstin fillestar e hartoi Dilaver Goxhai bashkë me Sokol Dobrunën dhe pasi u miratua, u transmentua nëpërmjet satelitit. Qëllimisht thirrja nisi jo me fjalët “Shqiptarë të Kosovës”, por “Gjithë shqiptarët të vijnë vullnetarë në luftë, të rrëmbejnë armët nga mosha tetëmbëdhjetë vjeç deri në pesëdhjetë!”
Për dy javë pas kësaj thirrjeje në Durrës numuri i vullnetarëve të zbarkuar arriti në dymbëdhjetë mijë. Vinin grupe-grupe, një pjesë prej tyre kishin blerë edhe uniformat. Tragetet e mbushur plot dëshmonin se ishin nga e gjithë diaspora shqiptare, anë e kend botës.
Me të marrë lajmin në Shtabin e Përgjithshëm pothuaj mbetën të pafjalë. Megjithë dëshirën e mirë, nuk e kishte përfytyruar këtë fluks të madh”.
Pas botimit të librit “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, protagonisti i tij kryesor, Dilaver Goxhai, do ta vazhdonte punën për ta detajuar edhe më shumë dukurinë e moszbrasjes tërësore të Kosovës gjatë luftës dhe të krijimit të qendrave të mbijetimit. Do të tregonte atë të Maleve të Berishës.
Rezistenca e këtyre kështjellave të përhapura nëpër gjithë territorin e Kosovës bëhej vetëm nëpërmjet trupit të gjallë dhe pa armë të popullit të thjeshtë. Kështu, me këtë qendrestari paqësore të vërtetë, para lufte shqiptarët e Kosovës patën organizuar demostratat me fletë të bardha nëpër duar ose me vetëm copë bukësh.
Nëpër këtë traditë mori formë ajo që duhet pohuar publikisht dhe njëkohësisht spikatur që të ruhet e paharuar në tërë historinë e shqiptarëve: roli i Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”. Duke pasur vijë mbrojtjeje prej 33 km, fillimisht 800-1300 luftëtarë të vendosur me dendësi 40 për km/front, ajo iu vu në mbrojtje dhe shpëtoi për pesë muaj jetën e 35 fshatrave të pashpërngulur.
Po ashtu edhe Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, Radion “Kosova e lirë”. Ndërkaq që përballë Brigada 21 kishte çdo ditë më shumë se dyfishin e forcave të armatës serbe. Për të ruajtur epërsinë nga njësia shqiptare luftohej çdo ditë me veprime të shpejta kundërvepruese. Mes njëri-tjetrit luftëtarët dhe komandantët e tyre këmbëngulnin se kjo që po bënin më shumë se strategji partizane, eksperiencë nga Lufta e Dytë Botërore, qe përvojë ngadhënjimtare e pesë shekujve të shkuar, e kohës së Skënderbeut.
Me përballë superperandorinë më të fuqishme të kohës Gjergj Kastrioti nuk e la kurrë vendin e vet, pra principatat e përbashkuara nën Lidhjen e Lezhës, të zbrazej, edhe pse osmanët kur i mundje, prej zemërimit, i sharronin trupat e shqiptarëve që kapnin apo me kafkat e tyre ngrinin pirgje.
Brigada 21 në thelb nuk mbronte vetëm popullsinë civile të 35 fshtrave në Malet e Berishës, por në një mënyrë të tërthortë tërë Kosovën, nëpër të cilën njësi të tjera të UÇK-së, me vetmohimin e tyre shkruanin histori.
Në Malet e Berishës mbrohej tërë Kosova, sepse në këtë hapësirë ndodhej çelësi i gjithë territorit të saj. Kush e ka në dorë këtë hapësirë strategjike e zotëron të tërë atë, nënvizon koloneli Dilaver Goxhai, zëvendës shef operativ i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare. Ai argumenton: “Me humbjen e këtij territori Kosova do të ndahej në dy pjesë pa asnjë lidhje me njera-tjetrën, dhe do t’i jepte armikut mundësinë ta shpartallonte krejt UÇK-në; kështu që rimarja e atij territori nga UÇK-ja do të ishte e pamundur”.
Serbët e kishin provuar përpjekjen për marrjen e kësaj kështjelle gjatë operacionit të tyre të verës së vitit 1998. Armata e tyre e pajisur me gjithçka i pati shndërruar fshatrat e vendosura në malet e Berishës në gati një shkretëtirë. “Kaloje një fshat, dy, tre, dhjetë dhe kudo syri s’të zinte veçse gërmadha”, rrëfen Goxhai.
Ndërkohë kur një mot më pas Sllobodan Millovisheviçi dhe pas tij, për solidaritet gjeostrategjik, por edhe etnik, qeveria ruse lëvizi në vijë të parë të sulmit dërgatat “paqësore” për ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, pra më 31 mars 1999, armata sërbe e rrethoi me 15.000 forca këtë kala qëndrese të popullsisë civile shqiptare që nuk donte të largohej dhe kështu Beogradi zyrtar të realizonte pastrimin e plotë njerëzor të Kosovës.
Mirëpo këtë ditë kyçe Brigada 21 dhe tërë forcat e UÇK-së që mbronin Malet e Berishës, qenë shtuar edhe me 4000 luftëtarë të tjerë. Në mëngjezin e 1 prillit, ndërsa qe dita e dymbëdhjetë e operacionit pastrues “Patkoi”, rrethimi i ushtrisë serbe u shpërthye, u ça. Kështu ai frenoi, nuk mundi të shkonte më tej. Kishte dështuar. Rrugëdalje pati vetëm tërheqjen.
Këtë fitore të madhe popullsia civile e festoi në një mënyrë prekëse, që nuk duhet harruar. U vendos që fëmijëve, po të kishin mundësi, t’u jepej nga...një copë bukë. Kaq kishin prindërit për ta. Lufta nuk ka torta.
Në të vërtetë Sllobodan Millosheviçi dhe ushtria e komanduar prej tij po bënte një luftë të urrejtshme, e cila vështirësonte çdo shpresë se dy popujt do të miqësoheshin ndonjë ditë. Mbetet kuptimplotë ky episod i treguar me këtë rast nga koloneli Goxhai: “...ma ka ngulitur në zemër një dialog shumë i shkurtër i një foshnje me nënën e saj, dialog që ma kapi veshi rastësisht në mesnatën e 31 marsit 1999, në fshatin Divjakë, mes tre shtëpive të Nezir Selim Zogaj, ku qe vendosur selia e Shtabit të Përgjithshëm, në kohën kur po shkoja në godinën ku ishte sistemuar Drejtoria Operative, ku më prisnin shokët të diskutonim për mënyrën se si do të shpërthehej atë natë rrethimi. Kishte aq shumë popull të grumbulluar e ulur mes borës e nën shi, të mbuluar me plastmase a batanie, ku “nuk kishe vend ku të hidhje mollën”. Dëgjoheshin veç krisma të largëta mitralozësh dhe artilerie. Duke cur me vështirësi përmes kësaj mase gjigande njerëzish të të gjitha moshave dhe, në moment që dëgjova zërin e asaj foshnje që pyeste mëmën a gjyshen e saj, (që ishin sistemuar nën një plastmas të madh, nën të cilin kishte shumë gra e fëmijë të tjerë), mbajta këmbët në momentin kur dëgjova zërin e asaj foshnje: “Serbët, nënë, si janë?”
Dhe unë tërë kurreshtja qëndrova në vend dhe bëja sikur kërkoja diçka nëpër xhepa, për të dëgjuar se si do t’i përgjigjej mëma apo gjyshja asaj foshnje. Dhe më befasoi ajo përgjigje profetike e asaj femre që foli: “E, si të ta thotë nëna, shpirti nënës . . . Serbët, të keqen nëna, vrasin e presin,… por nga pushka e babit tënd një ditë do të vdesin!”
Në prag të 2 prillit 1999 dymbëdhjetë ditët e “Patkoit” në Kosovë kishin mbaruar. Kjo po ndodhte pikërisht kur dërgatat jugosllavo-ruse, të cilat bënin presion për ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, gjendeshin në kulmin e vetëparaqitjes si misionare të paqes,.
Në 3 prill 1999, siç e spikatëm në krye të këtij shkrimi dhe atëherë ia dërguam menjëherë Tiranës, teleteksti i radiotelevizionit publik italian RAI, si edhe ai kompanisë private të Silvio Berluskonit, Mediaset, përcollën lajmin se \"shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare i bën thirrje botës për të mbrojtur popullin e tij nga fashizmi serb\". Lajmi thoshte se kjo intervistë qe botuar në gazetën franceze \"Liberation\". Sipas lajmit, Kadare kishte thënë se ai nuk e donte luftën, por në këtë rast ajo ishte \"një e keqe e nevojshme\".
Intervista në kohën e duhur, pothuaj si të qe pjesë e vetëndjerë e jetës të bashkombësve në Kosovë në qëndresë heroike kundër “Patkoit”, ishte kryer prej gazetares franceze të së përditshmes së majtë “Liberation”: Annette Levy-Willard.
Aneta pati qenë edhe diplomate, saktësisht këshilltare për kulturën në ambasadën e vendit të saj në Izrael, Tel Aviv.
“Populli im është duke u shfarrosur” qe titulli i fortë i shkrimit, vendosur në variantin online të gazetës pas mesnatës, ora 0.34, duke u gdhirë 3 prilli 1999.
“Populli im, populli shqiptar, thoshte Kadare që në rreshtin e parë, ndodhet në syrin e një cikloni”. Pak më pas: “Kjo është një luftë e cila vë përballë njëri tjetrit qytetërimin e Evropës me barbarinë e fashizmit ballkanik të Serbisë”.
“Çdo ditë gjërat përshpejtohen në mënyrë dramatike dhe peshojnë shumë rëndë mbi një popull të vogël dhe të brishtë. Shqetësimi im kryesor është që populli të ruajë vetveten. Duhet që të gjithë ata që merren me këtë luftë dhe mbi të gjitha udhëheqësit, të preokupohen në strategjinë e tyre të përgjithshme dhe komplekse për fatin e këtij populli, për mbijetimin e tij, që ai të mos shfarroset. Po të ndodhte kjo do të qe rast i rrallë në histori”.
Më poshtë: “Unë jam shkrimtar dhe duhet të pranoj se bombardimet ajrore më trishtojnë, unë nuk ndjej asnjë gëzim para këtyre operacioneve ushtarake. Unë nuk e dua luftën, po ndërkohë e di që ajo është një e keqe e nevojshme”.
Fraza e fundit e asaj që Ismail Kadare i pati deklaruar Annette Levy-Willard ishte: “Unë uroj përditë që kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe mbi bazat e marrëveshjes së paqes të firmosur në Rambujé (Rambouillet), e cila, siç edhe e kam thënë gjatë bisedimeve për të, është një marrëveshje e mirë. Por gjithsesi kjo aleancë evropiane tani nuk duhet të tërhiqet. Të kthehesh mbrapsht para një krimi do të ishte fatale për fatin e botës”.
Ndësa intervista më në fund qe mbyllur gazeta afëreurokomuniste “Liberation”, me një frymë që dallonte jo pak nga simotra e saj në Itali, “Il Manifesto”, kujtonte se Ismaïl Kadare qe autor edhe i një libri të publikuar në 1998 nga shtëpia botuese shumë e njohur franceze, “Fayard”: “Trois Chants funëbres pour le Kosovo».
Sqaronte se ai qe përkthyer nga shqipja: “Tre këngë zie për Kosovën”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 qershor 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com