Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

5 MAJ 1999, ORA 17.00: AVIONI SEKRET ME IBRAHIM RUGOVËN ZBRET NË AEROPORTIN ÇAMPINO TË ROMËS


(Botuar në “Illyria” në 6 mars 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i nëntë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Rreth orës 19.30 të 5 majit 1999 ambasadori Leontiev Çuçi firmosi raportin informativ mediatik të sapohartuar prej meje. Ndryshe nga rregulli i zakonshëm, sipas të cilit adresa e marrjes qe Ministria e Punëve të Jashtme dhe dy drejtori të saj, këtë herë i pari pritës ekskluziv do të ishte Kabineti i Kryeministrit.
Pra, Pandeli Majko.
Lënda shkrimore e nisur me urgjencë thoshte fjalë për fjalë: “Sipas teletekstit të Mediaset dhe pastaj njoftimit në orën 17.59 në programin “Prima\" të Raiuno, Ibrahim Rugova ndodhet në Romë, i ftuar i qeverisë italiane.
Deri në këtë orë atë e kishte pritur nënsekretari kryeministror Marko Miniti.
Lajmi nënvizonte se bisedimet po kryheshin për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit në Kosovë.
Ky lajm konfirmonte se Rugova në Romë gjendet bashkë me familjen e tij”.
Në vijim të raportit qenë edhe këto fjalë të tjera: “Për këtë problem Ambasadorit i kërkoi opinion agjencia e njohur italiane e lajmeve Adnkronos. Në këtë intervistë Ambasadori mbajti këtë qëndrim:
-\"Unë personalisht dhe qeveria shqiptare përkrahim çdo impenjim për zgjidhjen paqësore të konfliktit lidhur me krizën kosovare. Uroj që Rugova të ketë ardhur në takim me mandatin e UÇK-së dhe të forcave të tjera politike kosovare. Me një mandat të tillë Rugova mund të jetë më efektiv në bisedimet me qeverinë italiane. Sidoqoftë urojmë që të ketë rezultat në këtë takim\".
-Pyetjes \"A dini gjë nëse Rugova ka ardhur me ndonjë mandat special?\" Ambasadori iu përgjegj: \"Nuk di se me çfarë mandati ka ardhur, di vetëm që një ditë më parë ishte peng\".
-Pyetjes \"A do të dëshironit ta takonit Rugovën?\" Ambasadori iu përgjegj: \"Nuk kam asnjë paragjykim për ta takuar, madje do të synoj që ta takoj\".
Në fund të raportit informativ u vendos ky shënim: “Sapo morrëm vesh (ora 19.30) se Ibrahim Rugova është në takim me Masimo D\'Alemën dhe Lamberto Dinin.
Deri tani nuk ka ndonjë deklaratë nga të dy palët”.
Nga kaq të dhëna kuptohej dhe provoheshin në mënyrë të padyshimtë se Presidenti i Kosovës kishte mbërritur realisht në Itali dhe se deri këtë çast ajo ngjarje qe mbajtur krejtësisht në top sekret.
Ajo do të çsekretohej vetëm një gjysmë ore para mbërritjes në aeroportin e dytë të Romës, civilin, por mbi të gjitha edhe qeveritarin: Çiampino.
Topsekreti qe kyçi i tërë asaj ngjarjeje jo vetëm në kryeqytetin Italian, por edhe atë të Jugosllavisë së mbetur, Beograd. Ja pse në orën 17.00 gazetarët italianë nuk dinin asgjë dhe prej tyre ishte të siguroje ndonjë informacion. Zyra e Shtypit e qeverisë italiane pikërisht në momentet kur avioni special pati lënë hapësirën ajrore të Ballkanit dhe hyrë në mënyrë të sigurt në atë të Italisë, kishte njoftuar me shpejtësi disa nga televizionet kryesore të vendit, pak nga gazetat më të lexuara si edhe tre apo katër prej agjencive më të njohura të lajmeve.
Ajo nuk mund ato çaste ta zbatonte protokollin me të gjithë armatën e njerëzve të medias, sepse ndryshe në aeroportin e Çampinos, ku po vinte avioni të zbarkonte Rugovën, prej turmës së madhe do të krijohej vështirësi komunikimi dhe madje edhe rregulli.
Për qeverinë italiane, protagoniste e parë në këtë episode që po mbante frymën e tërë botës, rëndësi kishte të shpërndahej lajmi live, sepse kështu do të besohej. Jo vetëm në Itali, por në të tërë globin duhej ta shihnin me sytë e tyre mbërritjen e vërtetë në Romë të Presidentit të Kosovës. Për kaq mjaftonin të qenë në aeroport disa media me ndjekshmëri të lartë.
Duket prej kësaj rrethane e mori vesh çfarë do të ndodhte edhe Maria Grazia Napolitano dhe më telefonoi urgjentisht. Ora e kishte kapërcyer gjashtën e prag mbrëmjes së 5 majit 1999.
Kërkonte sa më shpejt një prononcim të Ambasadorit.
Me Marien, gazetare e agjencisë së lajmeve AdnKronos, në sektorin e jashtëm të saj, bijë e një gazetari të njohur për kurajë civile, kryeredaktorit të së përditshmes “Il Crotonese”, pata nisur bashkëpunimin që në ditët e para të vitit 1998, jo më shumë se dy muaj nga momenti i fillimit të punës në Ambasadën Shqiptare në Romë.
Deri ato çaste prej agjencive kisha kontakt vetëm me ANSA, agjencinë shtetërore, një makinë gjigande për grumbullimin, analizën dhe shpërndarjen e lajmit. Ballkanin ajo e njihte në majë të gishtave dhe për famën e saj nuk qe në vendin e parë në Itali, por ndër më të spikaturat në Evropë dhe botë.
Atë kohë, në fillim të vitit 1998, unë nuk kish si t’a njihja të gjithë rrjetin informativ të lajmshpërdarjes italiane. Mendoja se ai niste dhe përfundonte me televizionet të cilat i shihnim në Shqipëri që nga koha e realkomunizmit, gazetat me tirazh të dukshëm si edhe nga ANSA.
Në këtë agjenci e pata kryer vizitën e parë si edhe takimin përkatës zyrtar brenda muajit të parë të mbërritjes në Romë, dhjetor 1997, dhe (mbase episodin e tregoj në vijim të ciklit) shkoi shumë mirë. Në të vërtetë, për aq sa, para largimit nga Tirana dhe fillimit të misionit në Romë, kisha shfletuar në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ANSA ruante një traditë shumë të mirë bashkëpunimi me Shqipërinë, madje që në dekadat e periudhës së shtetit monist.
Në këtë gjendje painformimi dhe për pasojë, pa dashje, edhe ngathtësie, në fundjanar 1998 qe Maria Grazia Napolitano e cila m’u afrua dhe kërkoi të mbanim lidhje, madje u gëzua shumë që pranova.
Ndërkohë mora mësimin e parë: Italia kishte jo vetëm një agjenci lajmesh (ANSA), por edhe një tjetër: AdnKronos. Do të ishte befasi ajo që rezultoi më pas dhe për të cilën stimuluese pati qenë prezantimi me Marien. Brenda vitit 1998 pak e nga pak do të hartoja, për nevoja pune, një listë të të gjitha agjencive dhe të gazetave apo revistave italiane vetëm informative.
Rezultati më la “pa mend”: qenë plot 71.
Ambasada jonë ishte tërë kohën nën vëmendjen e medias dhe duhej të ishe në lartësinë e kësaj rrethane të jashtëzakonshme, thikë me dy presa. Të paktën që nga 1991, me kulmime të vijuara në katër mote rresht, në 1996, 1997, 1998 dhe në muajt e parë të 1999-tës, Shqipëria ishte dëshmuar një fabrikë e madhe lajmesh, me intensitet dhe larmi, si edhe e mbushur me çudira dhe anormalitete prej një vendi që dukej krejt i sëmurë nga mendtë.
Kjo ishte fat për gazetarët italianë, të cilët si të kishin zbuluar “far westin” e Evropës, bënin “vrap” të gjenin një pikë kontakti informativ, ca më tepër po të qe punonjës në Ambasadë. Ndërkohë unë si person isha joshës, sepse pata qenë në vendin tim autor artikujsh dhe librash, shumica me tematikë jetën politike shqiptare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kështu ndodhi që në fillim të vitit 1998 Maria Grazia Napolitano iu ngazëllye gatishmërisë time për të bashkëpunuar me të, por në të vërtetë brenda vetes time isha unë ai që e provoja sinqerisht këtë ndjenjë. Por edhe më pëlqeu ajo vajzë e re me shtat mezatar dhe përherë vëzhguese e përpirëse e çdo fjale. Që në fillim pata përshtypjen se Maria në profesion ishte “in gamba”, e zonja. Më kryesorja: mjaft korekte në hartimin dhe shpërndarjen sa më të shpejtë të lajmit.
Deri në pasditen e vonë dhe prag mbrëmjen e 5 majit 1999, ndërsa erdhi në Ambasadë për të intervistuar Leontiev Çuçin, ajo kish dhënë disa prova sigurie e mirëbesimi me ne. Bashkë ishim miqësuar dhe nuk m’u zemërua kur i thashë se gjithçka do të bisedonte me ambasadorin unë do ta regjistroja me aparatin tim personal.
Kur i dërguam Kabinetit të Kryeministrit dhe Ministrisë së Jashtme informacionin e orës 19.30, lëndën e intervistës e hartova për çfarë pata regjistruar dhe ende nuk e dija nëse Maria Grazia Napolitano ndërkohë ja kish dalë të rikthehej në Agjenci, në rrugën Via Ripetta 73, në mes të Romës, për ta përpiluar lajmin dhe përhapur.
Ai doli pa shkuar ora 20.00 dhe në italisht qe ky: “KOSOVO: AMB. ALBANESE, AUGURO OGNI SUCCESSO A MISSIONE RUGOVA
Roma, 5 mag. - (Adnkronos) - \'\'Tutto il governo albanese augura ogni successo alla missione di Ibrahim Rugova in Italia\'\'. Secondo l\'ambasciatore albanese in Italia, Leontiev Cuci, l\'arrivo a Roma del leader moderato kosovaro potrebbe essere il primo passo sulla via di una soluzione della crisi nel Kosovo. \'\'Auguriamo il successo di ogni tentativo che possa condurre alla pace e a una soluzione della crisi nel Kosovo - ha detto l\'ambasciatore all\'Adnkronos - Mi auguro che Rugova sia venuto in Italia anche con il mandato dell\'Esercito di liberazione del Kosovo (Uck) e delle altre forze politiche kosovare, perche\' solo cosi\', e con l\'aiuto del governo italiano, si potra\' tentare di arrivare a una soluzione della crisi nel Kosovo\'\'. L\'ambasciatore Cuci ha poi espresso l\'auspicio di poter incontrare il leader kosovaro, \'\'che ancora fino a ieri era ostaggio delle autorita\' di Belgrado\'\'.
Isha i sigurt që Maria lajmin do ta hartonte me përpikmëri dhe ndërgjegje të pastër, sepse anësimi më i vogël mund të shkaktonte keqinformim të rëndë publik, në mos edhe incident shtetëror pikërisht në momentin më delikat të zhvillimeve të Luftës së Kosovës. Megjithatë u bëra i lumtur kur pashë lajmin e shpërndarë, të cilin pikërisht për t’ia provuar ndjenjën time të atëhershme, lexuesit ia përcolla në gjuhën italiane.
Duhej atëherë, por edhe sot, për të trasmentuar forcën e komunikimit, perceptuar në gjuhën origjinale të atyre që do t’i informonte.
Shpresoj se kush po lëçit tani në italisht lajmin sadopak merr përshtypjen se ai qe hartuar në mënyrën më të përsosur diplomatikisht.
Por ndërkohë, për ta bërë sa më të qartë elegancën e mënçurinë e këtij njoftimi, thelbin e tij, po e shqipëroj. Sipas Maria Grazia Napolitanos, ambasadori shqiptar i uronte sukses misionit të Ibrahim Rugovës, madje këtë ia uronte edhe e gjithë qeveria shqiptare. Sipas Leontiev Çuçit, mbërritja në Romë e udhëheqësit të moderuar kosovar mund të qe hapi i parë në rrugën e zgjidhjes së krizës së Kosovës. Deklaronte ai: “I urojmë sukses çdo përpjekjeje që na çon në paqe dhe në zgjidhjen e krizës së Kosovës”.
Po ashtu Maria Grazia Napolitano kishte vendosur në lajm mjaft butë dhe natyrshëm, thënien me nëntekst të ambasadorit Çuçi se “Uroj që Rugova të ketë ardhur në Itali edhe me mandatin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Uçk) dhe të forcave të tjera politike kosovare, sepse vetëm kështu dhe me ndihmën e qeverisë italiane mund t’i dilet për të arritur një zgjidhje të krizës së Kosovës”.
Në rreshtin e fundit të këtij lajmi të shkëlqyer, të parit që po shprehte për këtë ngjarje një diplomat i lartë i shtetit shqiptar, thuhej se Ambasadori Çuçi pati shprehur dëshirën e tij për ta takuar liderin kosovar, “i cili deri dje ishte peng i autoriteteve të Beogradit”.
Ndërsa nxitoja të zbritja shkallët për të shkuar sa më ngutshëm në apartamentin tim në Viale Eritrea për të kapur sa më shpejt dhe për t’i regjistruar edicionet kryesore të lajmeve televizive, dëgjova shifrantin, Alfred Alikon, i cili po bënte shaka me Drini Bellon, punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror, me detyrë konsull si edhe kolonelin Mehdi Pogaçe, punonjës i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë në Ambasadë.
“I pari që i ka dërguar Tiranës njoftim për Rugovën ka qenë Drini, thoshte Fredi, pastaj ti Mehdi”.
Tek ngutesha të ikja, vura buzën në gaz: Unë paskësha qenë i treti!
Në shtëpi mbërrita me një frymë dhe nisa regjistrimin. Ora qe njëzetë pa pesë. Rai Uno po mbyllte emisionin “Prima” të Davide Sasolit, me temë ato çaste refugjatët kosovarë dhe ndihmat që po u jepnin të dërguarit e Mbrojtjes Civile Italiane. Një punonjës i kësaj strukture po i thoshte Sasolit se ajo që i kishte bërë më shumë përshtypje nga ditët e shërbimit në Shqipëri nuk i pati ngjarë kur qe në këtë vend, por kur u kthye në Itali. Sapo pati zbritur në aeroportin e Romës kishte kuptuar se cila ishte mbresa më e fortë. “Një orë larg prej këtej, tha ai, po zhvillohet një luftë e vërtetë”.
Me në sfond shkruar “Dita 43 e Luftës” Enrico Mentana, folësi i edicionit kryesor të lajmeve TG5 të Canale 5 (Mediaset, grupi mediatik i Silvio Berluskonit), shqiptoi fjalët: “Për fat dita dyzetë e tretë e luftës solli një ngjarje të re. Pamjet që do të shihni tani në të gjithë ekranin dokumentojnë mbërritjen surprizë në Romë të liderit të moderuar të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ishte njoftuar si i vrarë në ditët e para të kësaj lufte me bombardime dhe pastrim etnik. Të shohim bashkë momentin kur mbërriti. E priti në Çampino nënkryeministri Marko Miniti. Siç po e dalloni ai ka ardhur bashkë me familjen dhe këto çaste po vështroni në ekran edhe fëmijët e tij”.
Një sekuencë më pas u shfaq Marko Miniti, i cili po i fliste italisht Ibrahim Rugovës dhe ky komunikonte me të nëpërmjet një përkthyesi. Ky person i fundit duhej të qe nga Kosova, sepse dy përkthyesit zyrtarë të qeverisë italiane ne i njihnim. Qenë një shqiptar i Tiranës, gjuhëtar pedagog me një dekadë jete në Romë si edhe një arbëreshe, studjuese.
Enriko Mentana i vuri në dijeni dëgjuesit e vet se shumë shpejt Ibrahim Rugova do të takonte kryeministrin Masimo D’Alema dhe ministrin e Jashtëm Lamberto Dini. Më pas Mentana shpjegoi përse ishte e rëndësishme kjo mbërritje e Ibrahim Rugovës në Itali: “E para, sepse Rugova është emblemë në të gjitha aspektet, emblemë e Kosovës demokratike, emblemë e asaj pjese të Kosovës që ka zgjedhur rrugën demokratike për autonomi, éshtë emblemë sepse mendohej që ishte mbyllur dhe nënshtruar, mundur”.
Pastaj Enriko Mentana mëshoi: “Regjimi i Beogradit ka bërë një gjest hapjeje duke i çelur rrugën Rugovës për të ardhur në Itali”.
“Tani po shihni se si në vilën Pamphili, vijoi Mentana, po vjen kryeministri D’Alema dhe pak çaste më vonë edhe ministri Dini. Ja edhe momenti i takimit të Rugovës me ta”.
Kur i shtrëngoi dorën Masimo D’Alema e përshendeti Ibrahim Rugovën në frëngjisht: Bon soir! (Mirëmbrëma!), çfarë nuk i shpëtoi Enriko Mentanës, i cili theksoi se biseda mes të dy palëve do të zhvillohej në gjuhën franceze.
Për rreth tridhjetë sekonda sekuenca e rradhës e TG5 qe përcjellje e bisedës së atyre çasteve mes D’Alemës dhe Rugovës, ku përdornin frëngjishten dhe një çast u dëgjua shumë qartë, mbase sepse e mëshoi fort vetë Rugova, fjalët e tij: “Unë jam shumë i preokupuar për gjendjen në Kosovë”.
Ndërkohë edicioni i TG1 i Rai Uno dha si lajm të parë praninë e presidentit amerikan Bill Klinton në një bazë ushtarake të NATO-s në Gjermani duke theksuar fjalët e tij se nuk do të bënin asnjë hap prapa në çështjen e Kosovës deri sa të mbërrinin në objektivin e tyre: rikthimin e të gjithë popullatës së larguar dhe vetëqeverisjen.
Atë mbrëmje qe TG1 e cila bëri të ditur orën e mbërritjes së Ibrahim Rugovës në aeroportin e Çampinos: 17.00.
Ndërkaq, paralelisht, TG1, shoqëruar me pamjet e Rugovës të mbërritur në Romë, po thoshte se “mbi gjashtëdhjetë për qind e popullit të Kosovës, e cila ishte dy milionë, mbështeste mënyrën e butë, jo të dhunshme të presidentit të tyre për zgjidhjen e krizës, çfarë qe në kundërshtim të plotë me atë të fajkonjve të rinj, guerriljerëve të UÇK-së, të cilët në konferencën e Rambujes e kishin trashur zërin dhe lënë në periferi. Ai, Ghandi i Ballkanit, megjithë agresivitetin e serbëve ja kishte dalë të krijonte në Kosovë një shtet paralel me shkolla, institucione kulturore dhe sistem arsimor”.
Atë mbrëmje të 5 majit 1999 lajmet dhe komentet për këtë ngjarje erdhën duke u shtuar, por njëkohësisht edhe duke “u ftohur” nga emocionet e para. Për shembull ndërsa në orën njëzetë Enriko Mentana në edicionin kryesor të lajmeve iu turr Sabri Godos, i cili që nga Tirana e kishte dënuar si të gabuar çdo veprim dhe deklarim të butë të Rugovës ndaj serbëve, në prag të mesnatës kjo hollësi u hoq.
Ndërkaq në orën 22.50 u transmentua emisioni \"Pinokio\" i drejtuar prej gazetarit italian, hebreut Gad Lerner, i cili që në fillim të konfliktit ishte rreshtuar haptas me shqiptarët.
Atë prag mesnate Lerner kreu një çudi: që prej oborrit të një manastiri në Bukuresht ritransmentoi intervistën e Mirjana Markoviçit dhënë kanalit televiziv amerikan Cbs.
Markoviç qe bashkëshortja e Sllobodan Millosheviçit dhe për ekzistencën e një libri-ditar të saj të përkthyer në italisht, siç kam thënë në shkrimin e tretë të këtij cikli, pati lënë të nënkuptohej Edi Rama në debatin e tij në emisionin e Bruno Vespës “Porta a Porta” të 18 majit.
Nuk dija asgjë për këtë botim dhe Gad Lerner e Edi Rama do të mjaftonin të vihesha në kërkim të gjetjes së tij. Duhej ta blija patjetër, mundësisht me ndonjë çmim paksa të ulur, sepse e tërë rroga ime mujore si diplomat me gradën e Sekretarit të Parë qe 700 dollarë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 5 mars 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com