Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SI NUK U VRA DOT ENVER HOXHA


Nga një punëtor pastrimi në një pallat të Nju Jorkut që donte të përmbyste regjimin komunist në Shqipëri. Ja kishte dalë të shpërthente eksploziv në dy ambasadat tona në Romë dhe Paris.

Pjesa e parë

(Botuar në “Shqiptarja.com” në 30 tetor 2018)

Kur kishte kapërcyer viti 2000 dhe shkrimtari Mihallaq Qilleri, pas një periudhe emigracioni në SHBA qe rikthyer në Shqipëri, për arsye që ishin fare spontane, i afroi shtypit të Tiranës një temë shpërthyese: si kishte ndihmuar të rindërtonte në një libër kujtimet e personit që kish dashur të vriste Enver Hoxhën.
Ky bashkëkombës spektakolar ishte i emigruari politik në SHBA, Abdyl Banushi.
Sipas rrëfimit të Qillerit, ato që ky i fundit i vuri përpara “Ishin ca shënime të mbajtura nëpër burgje, me fletë të zverdhura e të shkruara me lloj-lloj ngjyrash e lapsash, sepse autori kishte kaluar nëpër një sërë peripecish, vuajtjesh e dënimesh që, të mbledhura së bashku, do të bënin një rast unikal. Plot 31 vite burg, të ndarë në dy periudha. 1945-1961 dhe 1975-1990. Ndërkohën e kishte kaluar në arrati. Vitet e para në Greqi, pastaj në SHBA. Në ato vite erdhi me misione disa herë në Shqipëri, derisa u kap e u riburgos”.
Shpjegon Mihallaq Qilleri: “Ai erdhi të kërkonte punën time, sepse askush nuk kishte pranuar ta ndihmonte. Madje as të afërm të tij që e quanin veten shkrimtarë. Sigurisht edhe unë u tremba kur i lexova këto kujtime. Po të kihet parasysh pasiguria politike e fillim viteve ’90, dyzimi, mosbesimi. Menjëherë mendova se një agjent kundër vendit tënd, është një agjent. Pushteti nuk merret me dhunë në demokraci. Kam kundërshtuar disa herë të merrja përsipër redaktimin e shënimeve të tij. Dhe kur u binda kam bërë jo vetëm redaktimin, por kurimin e tij deri në detaje. Sepse autori i vërtetë nuk e kishte idenë se si shkruhej një libër. Madje as gjuhën letrare shqipe nuk e njihte sa duhej”.
Qilleri gjithashtu shpjegon: “Në këto shënime, befas gjeta 30 faqe të shkruara për një aventurë udhëtimi në pyjet e Amazonës, kur autori gjendej në SHBA, në periudhën mes dy burgosjeve. Dhe, i formulova e i botova një libër me titullin “Udhëtime në Amazonë”, me kuriozitetin se Avdyl Banushi duhej të ishte shqiptari i parë që shkelte e takohej me fiset e egra të atij vendi misteresh. Por, z. Banushi nguli këmbë se i duhej më shumë jeta e tij politike. Dhe, unë vendosa ta formuloja librin “Një zë nga errësira”, sigurisht duke hequr prej atyre shënimeve shumë fantazi, të pavërteta, duke ulur disi zjarrin e urrejtjes antikomuniste, sepse shpesh herë këto shënime më ngjanin të shkruara me metodën e socrealizmit”.
Në fund Qilleri bën dy saktësime. E para: “Libri u botua me një cilësi shumë të dobët, në një shtypshkronjë province. Mbaj mend se ai ua shpërndau miqve e të afërmve të tij, ndërsa dhjetëra kopje i dërgoi në SHBA ku vazhdonin të jetonin personazhet e tij”.
Saktësimi i dytë: ai libër “ishte më shumë një hakmarrje, sepse ai qe bir i një familjeje golemase të Kurveleshit të lidhur me Luftën Antifashiste. E vërteta është se nuk u vlerësua sa duhej pas ndryshimit të sistemit, për të cilin ai kishte sakrifikuar aq shumë!”

Akuza kundër guximtarit kokëkrisës Abdyl Banushi: ai është vegël e amrikanëve

Në 13 prill 1976, pas një procesi pyetjesh që pothuaj mbushi vitin, u formulua akt-akuza zyrtare kundër Adbyl Banushit. Atë e kryen Sokrat Çomo dhe Dhimitër Beshiri, hetues të specializuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Madje Çomo pati qenë zbulues politik i kamufluar si diplomat në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në OKB dhe nga ky pozicion e kish mbajtur nën vëzhgim e monitorim Banushin.
Aktakuzën e dy hetuesve e miratoi edhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Dhori Panariti.
Çuditërisht në këtë material fortësisht akuzues, në të kundërt me atë që pritej, nuk ka asnjë rresht e fjalë për ndonjë atentat të kryer apo edhe të dëshiruar, madje as të projektuar, kundër Enver Hoxhës. Mirëpo Abdyl Banushi këtu e kishte vlerën e tij që shkaktonte tërheqje dhe kërshëri, admirim tek disa, por edhe shpresë për të të mbeste në histori.
Thua hetuesit pikërisht se e dinin këtë plan e qëllim të tij nuk ia spikatën fare çështjen e atentatit, ia censuruan, ia gremisën dhe lëshuan thellë në pusin e gjërave të rëndomta, të njëllojta me historitë personale të qindra e qindra të tjerëve kundërshtarë të regjimit komunist?
Apo kjo heshtje e hetuesve ndodhi sepse puna e atij atentati për ta vrarë fizikisht Hoxhën qe një sajim i mirëfilltë, një shpikje e vetë Abdyl Banushit?
Ose më drejtpërsëdrejti: ishte një gënjeshtër e tij?
Pikërisht për të kthjelluar këtë çështje të lënë në mister dhe në mëdyshje, çfarë është jo pa interes për historinë tonë të trazuar kombëtare, po paraqesim këtë cikël me pesë shkrime.
Në fillim vëmë në dukje se materiali i shkruar hetimor kumton që në rreshtat e para se i pandehuri Abdyl Akan Banushi qe “I akuzuar se në gusht të vitit 1961 është arratisur nga RPSH në Greqi nga sektori kufitar i Gjirokastrës dhe se që nga tetori i vitit 1973 është një nga drejtuesit kryesorë dhe aktivë të organizatës terroriste “Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare”, me qendër në Nju Jork të SHBA, e krijuar me nxitjen dhe përkrahjen direkte të zbulimit amerikan, në të cilën bëjnë pjesë kriminelë shqiptarë të arratisur, të njohur për veprimtarinë e tyre në shërbim të zbulimeve të huaja, që në programin e saj ka organizimin e kundërrevolucionit të armatosur për përmbysjen e pushtetit popullor dhe rivendosjen e kapitalizmit në RPSH; krime këto të parashikuara nga nenet 64, 66, 67, 68, 69 dhe 73 në lidhje me nenin 67 të K. Penal të RPSH”.
Më tej: “I pandehuri Abdyl Banushi, më datën 8 prill 1975 u kap në flagrancë nga rojet kufitare të postës së Hotit, Shkodër, duke tentuar të futet ilegalisht në thellësi të RPSH, nëpërmjet territorit jugosllav, si drejtues i një bande të armatosur diversioniste, i pajisur me automatik, pistoletë, bomba, lëndë eksplozive, materiale propagandistike, me pikëpamje të theksuar armiqësore kundër pushtetit popullor, si dhe pajisje të tjera”.
Prandaj, shkruhet në lëndën hetimore, “Mbi këtë bazë, organet e hetimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, filluan çështjen penale kundër të pandehurit dhe nga hetimet e zhvilluara rezultoi e provuar: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si fuqi imperialiste agresore, kanë qenë dhe mbeten armiq të betuar të lirisë dhe pavarësisë së popujve. Ata kanë qenë dhe mbeten gjithashtu armiq të betuar të popullit tonë, të Partisë, të socializmit në Shqipëri dhe nuk kanë hequr asnjëherë dorë nga planet e tyre strategjike për likuidimin e RPSH dhe restaurimin e kapitalizmit në vendin tonë”.
Vazhdon arsyetimi i hetuesve: “Në veprimtarinë e tyre kriminale kundër RPSH imperializmi amerikan dhe organet e tij të zbulimit, veç formave të tjera të luftës, kanë përdorur e përdorin gjerësisht tradhtarë shqiptarë, kriminelët e arratisur, duke i nxitur, organizuar dhe subvencionuar në veprimtarinë diversioniste kundër vendit tonë. Është i njohur fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë në mbrojtje dhe u kanë dhënë kriminelëve shqiptarë gjithë ndihmën e përkrahjen e nevojshme për intensifikimin e veprimtarisë së tyre armiqësore. Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe krijimi nga ana e imperializmit amerikan, i të ashtuquajturit “Komiteti Shqipëria e Lirë”, i cili drejtohet nga kriminelët e njohur Rexhep Krasniqi e Vasil Gërmenji, agjentë të njohur të zbulimit amerikan, që nuk është gjë tjetër veçse një komitet banditësh, i cili duke i shërbyer me besnikëri padronit të tij, është përpjekur të organizojë emigracionin reaksionar shqiptar në veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor”.
Deri këtu dallohet lehtë një gjuhë tepër politizuese e hetuesve, prirje e tyre për ta djallëzuar rëndë SHBA si edhe antikomunistët Krasniqi e Gërmenji, të cilët nëpërmjet Komitetit “Shqipëria e Lirë” e luftonin me propagandë regjimin zyrtar të Tiranës. Kjo mënyrë interpretimi paraqit rrezik në deformimin e së vërtetës, prandaj kjo e bën të kompromentar akt-akuzën si burim dokumentar dhe të domosdoshme përpjekjen për të sjellë burime të tjera ballafaquese.
Shkruhet në materialin e grupit hetimor kundër Abdyl Banushit: “Në kuadrin e intensifikimit të veprimtarisë armiqësore të imperializmit amerikan kundër RPSH, në vitin 1973, nëpërmjet “Komitetit Shqipëria e Lirë”, me nxitjen dhe nën drejtimin direkt të zbulimit amerikan, u krijua në Nju Jork të SHBA organizata terroriste “Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare”. Në platformën e saj politike kjo organizatë ka përgatitjen e kundërrevolucionit të armatosur për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri, duke vënë në plan të parë veprimet terroriste brenda vendit, hedhjen e bazave të punës së tyre në elementë të pakënaqur e armiq të vjetër e të rinj të pushtetit popullor, kryerjen e akteve të mprehtë terroriste kundër përfaqësive diplomatike të RPSH e personelit të tyre jashtë, të akteve të sabotimit e të diversionit kundër anijeve tona tregtare që ankoroheshin në porte të huaja, futjen e armëve në bazat e tyre në Jugosllavi, Greqi e Itali, zhvillimin e një veprimtarie të gjerë propagandistike, etj”.
Pak më poshtë: “Në krye të kësaj organizate kundërrevolucionare u vunë kriminelët dhe agjentët e njohur të zbulimit amerikan, Vasil Gërmenji, Rexhep Krasniqi e Mexhit Dibra. Në tetor të vitit 1973 drejtuesit e organizatës së përmendur, duke njohur të kaluarën dhe predispozicionin armiqësor të të pandehurit Abdyl Banushi, organizuan një takim me të në zyrat e “Komitetit Shqipëria e Lirë”, në të cilin, pasi i folën mbi nevojën e intensifikimit të luftës kundër pushtetit popullor nga ana e emigracionit shqiptar dhe krijimin e organizatës “Fronti i Rezistencës Antistaliniste Shqiptare”, i propozuan atij që të bëhej anëtar i saj. Ata e vunë në dijeni të pandehurin mbi programin e organizatës, duke theksuar se në ndryshim nga organizatat e tjera të emigracionit shqiptar, ajo kishte marrë përsipër të kryente aksione e veprime konkrete kundër pushtetit popullor brenda dhe jashtë territorit të RPSH. I pandehuri Abdyl Banushi pranoi propozimin e sipërm dhe që nga ajo kohë u bë një nga anëtarët më aktivë të kësaj organizate. Për këtë arsye, shumë shpejt, së bashku me të arratisurit Hamdi Uruçi dhe Idriz Lamaj, u caktua në kryesinë e organizatës, duke zënë vendin e katërt në të”.
Më tej akoma: “Qysh në krijimin e saj, kjo organizatë terroriste organizoi dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë për shtimin e radhëve të saj me elementë armiq të pushtetit popullor, si dhe ndërmori një fushatë të gjerë propagandistike duke shtypur e shpërndarë trakte me përmbajtje të theksuar armiqësore kundër pushtetit popullor nën parrullën demagogjike “Luftëtari i Lirisë”. Si rezultat i kësaj veprimtarie, organizata realizoi shpejt një shtrirje relativisht të gjerë, duke krijuar degë të saj në qytetet kryesore të SHBA, ku është përqendruar emigracioni reaksionar shqiptar, si dhe në Kanada, Francë, Belgjikë, Australi, Itali e vende të tjera. Ajo krijoi gjithashtu baza edhe në Greqi e Jugosllavi, të cilat shërbyen si mbështetje në kryerjen e akteve terroriste kundër RPSH”.

Libri i shkruar nga zbuluesi Meno Dedaj si një dëshmi mjaft interesante

Ndërkaq ka një person, i cili e njeh nga fare afër historinë e Abdyl Banushit, prandaj bashkë me shkrimtarin Mihallaq Qilleri dhe dy hetuesit Sokrat Çomo dhe Dhimitër Beshiri, mund të bëhet burimi i tretë informues si edhe kendvështrues shumë origjinal.
Ai quhet Meno Dedaj.
Ka qenë zbulues politik dhe përveç punës në Drejtorinë e Shërbimit të Jashtëm, sektor më së pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili ndodhej në katin e katërt të Ministrisë së Jashtme, në fund të vitit 1978 deri në korrrik 1983 gjendej në Misionin tonë në OKB.
Nën petkun e diplomatit grupi i zbuluesve në këtë Mision përbëhej nga tre vetë. Përgjegjës ishte Todi Rizo. Grupi quhej shkurtimisht “Njësia e Nju Jorkut” dhe më plotësisht “Njësia speciale e zbulimit shqiptar në Nju Jork”.
Meno Dedaj ka botuar në motet 2000 dy libra. Titullohen “Emigracioni shqiptar”, pjesa e parë dhe e dytë. Në këtë të fundit mes të tjerash përshkruan edhe historinë e Abdyl Banushit si edhe gjerësisht atë të grupit të Xhevdet Mustafës.
Mbështetur edhe nga tre biseda bërë me të këtë vit, çfarë ka shkruar dhe pohuar Dedaj në takimet tona “kokë më kokë”, përbëjnë një projektor mbi këndet e errta dhe të keqkuptuara të së vërtetës nëse atentati kundër Enver Hoxhës ka ekzistuar apo është i shpikur krejtësisht nga shumë palë të interesuara, institucione qofshin apo individë.
Sipas Meno Dedaj, “Nga fundi i vitit 1972, organeve tona filluan t’u vinin të informatat e para: po krijohej një formacion i ri terrorist në radhët e emigracionit politik shqiptar në Amerikë; emërtohej “Fronti i Rezistencës Antikomuniste (antistaliniste) Shqiptare”. Nga të dhënat rezultonte se ndodhej i atashuar pranë “Komitetit Shqipëria e Lirë’’; konsiderohej i krijuar nga kryesia e tij; qendra në Nju-Jork. Prezantohej me një program ekstremisht të ashpër: rrëzimin e pushtetit në Shqipëri, nëpërmjet dhunës e akteve terroriste“.
Shpjegon Dedaj: “Përveç rrugës operative, si burim informacioni shërbeu një numër gazete, ku Fronti...“ e shpallte me mburrje që drejtohej nga “Komiteti Shqipëria e Lirë’’ dhe që gëzonte mbështetjen e ndihmën e qeverisë amerikane. Në një tjetër artikull bëheshin thirrje botërisht për t‘u bashkuar “me Avdulin’’ në misionin e ndërmarrë për përmbysur qeverinë e Shqipërisë me dhunë e terror.
Me cilin Avdul?
Ne dinim fare mirë që Avdul Banushi ishte individi propagandues më aktiv. Me punë e banim në Nju-Jork; lindur në Golem të Gjirokastrës; i datëlindjes 1927. Që në moshën e re i aktivizuar me rininë e “Ballit Kombëtar’’, nga ky pozicion i ngarkoheshin një seri “detyrash„ në qytetet: Gjirokastër e Durrës’’.
Meno Dedaj informon më tej se “Në fund të vitit 1943, për punëra të dyshimta, e arrestuan forcat gjermane; fillimisht u internua në Prishtinë, më vonë në një kamp në Gjermani... Më 1945-n, mes mijëra të tjerëve edhe ky u lirua prej forcave aleate; po prej tyre u ndihmua të rikthehej në Shqipëri. Gjatë rrugës, qëndroi ca në Itali; atje vendosi lidhje me individë të “Ballit Kombëtar’’ që mbaheshin në kampet e refugjatëve. Nëpër kontaktet me ish-drejtues të BK-së për Gjirokastrën, iu caktua që, me ardhjen në atdhe, të shpërndante disa letra të krerëve ballistë në rrethet e Jugut dhe... t’i vihej punës për të riorganizuar e riaktivizuar përkrahës të “Ballit’’ atje.
Deri në ato çaste, këtë profil të Avdulit njihnim’’.
Sipas zbuluesit Dedaj, “Më 1945, Avdul Banushi mbërriti në Shqipëri; jo shumë vite më vonë zuri të përpiqej për të mbushur mendjen e njerëzve...për t‘u organizuar kundër pushtetit popullor. Për këtë shkak u arrestua; u dënua për tendenca organizimi dhe për agjitacion e propagandë; dënimin e vuajti në kampet e punës. Në vitin 1961, mbasi lirohet nga burgu, u arratis në Greqi; prej andej, me ndihmën e ballistëve, në vitin 1962 shkon e vendoset në Nju-Jork. Aty angazhohej në punëra ç’të mundej: roje, pastrues pallati si dhe ndonjë angari tjetër në kompani të ndryshme pastrimi. Gjatë gjithë kohës nuk rreshtte së foluri si propagandist: zotohej se me grupet e tij do të ndërmerrte veprime për të likuiduar udhëheqësit e qeverisë shqiptare... Në vitet 1972-1974 gjallonte si pastrues në një godinë nën manaxhimin e Mexhit Dibrës, i cili pati ndihmuar edhe për ta strehuar në po atë ndërtesë’’.



Në librin e tij “Emigracioni shqiptar”, pjesa e dytë, zbuluesi Meno Dedaj në motet 1978-1983 me punë në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në OKB, në Nju Jork, shkruan: “Nga kontrolli në vazhdimësi që u bëhej anëtarëve që implikoheshin nga Abdyl Banushi në radhët e organizatës “Frontit i Rezistencës Antikomuniste (antistaliniste)“, siguruam tjetër të dhënë: në një nga mbledhjet e kryesisë së kësaj organizate, në fund të vitit 1973, drejtuesit e saj parashikonin që të krijonin dy grupe terroriste (me nga pesë veta secili) për t’i dërguar në Shqipëri, me synim që grupi i parë:
1. Të kryente akte terroriste, të siguronte baza të besueshme për këtë organizatë dhe të krijonin grupe vepruese brenda Shqipërisë.
2. Të përgatiste materiale propagandistike, me qëllim që t’i dërgonin e t’i shpërndanin në Shqipëri; disa prej fletushkave duhet t’i futnin nëpër ambasada, për të krijuar përshtypjen se ato përpiloheshin e shtypeshin brenda vendit.
3. Të kryente akte terroriste ndaj ambasadave të ndryshme në Shqipëri; i jepej përparësi një akti të bujshëm kundër ambasadës kineze.
Grupi i dytë:
1. Do të kishte detyra specifike me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit:
2. Të vendoste lëndë eksplozive në tribunën ku do qëndronte udhëheqja e lartë e PPSH-së gjatë festimeve të jubileut të Çlirimit.
3. Në pamundësi të kësaj, të vendosej karshi tribunës e të hapte zjarr me armë automatike, për të vrarë Enver Hoxhën e Mehmet Shehun ...”.
Ndërkaq në analizën e vitit 1973 për dy ministritë, të Brendshmen dhe të Jashtmen, Njësia e Speciale e Zbulimit në Nju Jork paraqiti një tabllo të qartë individuale për secilin drejtues të “Frontit të Rezistencës Antikomuniste (antistaliniste) Shqiptare”. Po ashtu përshkroi një përmbledhëse tërësore të veprimtarisë së saj.
Për Abdyl Banushin fjalët qenë këto: “Është një tip impulsiv; mendjemadh e megalloman; i paqëndrueshëm; duket si me çekuilibrime mendore. Ka një llogjikë disi të çuditshme, që shtrihet nga hamendësimet te shpifja, nga mashtrimi e deri tek ëndërrimet. I mungon sensi i analizës. Zotëron një memorie të admirueshme. Prototip i intrigantit e thashethemexhiut. Mjaft kokëfortë e tepër këmbëngulës në mendimet dhe qëllimet e tij. Është në gjendje mjaft të mirë fizike. Njeri i futur, që vazhdimisht kërkon të tërheqë vëmendjen e të tjerëve. Paraqitet si trim e i vendosur. Lëviz vazhdimisht e kontakton me persona nga më të ndryshmit, të cilëve rast pas rasti u propozon që të futen në organizatën e “Frontit të Rezistencës”. Disa “burimeve” tona u ka propozuar të bashkohen me të dhe të futen në Shqipëri… për të kryer veprime të bujshme… për të vrarë E. Hoxhën e M. Shehun…. Nuk disponon të ardhura e mjete financiare të mjaftueshme për të jetuar normalisht”.


(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com