|
PROJEKT-MONUMENTI I SKËNDERBEUT DHE SKULPTORËT “KËSHTJELLA”, “PUNA”, “GURI”, “SILVA”, “NJË NGA SHOKËT”
(Shkrimi dyzetë e nëntë i ciklit për Vitin e Gjergj Kastriotit)
(Botuar në “Illyria” në 12 shtator 2018)
Në shkrimin e kaluar i bëmë të ditur lexuesit se çështja e derdhjes në Bashkimin Sovjetik të dy kopjeve të monumentit të Skënderbeut, edhe pse projekti gjendej nën vështirësi financiare për shkak të konsumimit të fondit të ambasadës tonë në Moskë, po ecte dhe në 11 qershor 1954 ambasadori Mihal Prifti e nxiti Tiranën me telegramin: “Njoftoni a u nis skulptori për monumentin e Skënderbeut mbasi pritet me urgjencë”.
Bëhej fjalë për Janaq Paçon.
Pasi iu kthye përgjigja për veprimin e mëpastajmë, nga ambasada në 15 qershor 1954 Mihal Prifti dërgoi fonogramin tjetër: “Skulptori po bëhet gati për t’u nisur sa më parë”.
Këtë herë fjala ishte për një skulptor sovjetik, me sa duket ai i cili qe i ngarkuar, sipas një kërkese paraprake të ardhur nga Tirana, të krijonte monumentin e kryeheroit shqiptar.
Në shkrimin e herës së kaluar jo vumë në dijeni se “në 18 qershor ambasadori Prifti i dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë mesazhin: “Skulptori për monumentin e Skënderbeut u caktua. Mund të niset me vaporin e datës 24. Bëni përgatitjet e nevojshme. Do të njoftojmë nisjen”.
Të gjitha këto veprime të pasqyruara në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë mund t’i verifikosh në edhe në atë të Qeverisë Shqiptare. Këtu ndodhet dosja “Vendim i Këshillit të Ministrave, me relacionin përkatës, mbi aprovim shpenzimesh për monumentin e \"Skënderbeut\".
Aty gjen edhe dosjen “Vendim i Këshillit të Ministrave me materialin përkatës, mbi ngritjen e monumentit të \"Skënderbeut\" në Tiranë dhe aprovimin e shpenzimeve për këtë monument”.
Ky çast për sa më sipër rrëfyem është viti 1954 dhe çuditërisht që prej këtij momenti intensiteti i korespodencës mes ambasadës tonë në Moskë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë për çështjen e angazhimit të një skulptori sovjetik, ngathtësohet, bie dukshëm, zbehet.
Përse?
Për ta kuptuar veprimet “me dy shpejtësi” të qeverisë shqiptare të drejtuara prej një gjeneral-koloneli, Enver Hoxhës, na duhet të depërtojmë çfarë pati ngjarë më herët, që në nisje të motit 1949, kur për herë të parë pas katër vitesh çlirim emri i Skënderbeut dhe i monumentimit të tij në bronx, qoftë edhe në format busti, del si objekt mbledhjeje qeveritare. Për katër vite qe pothuaj i anashkaluar, përjashto emërtim dekoratash.
Ky vrull i porsashpërthyer në fillim të motit 1949, kalimi nga çështje e dorës së dytë në ekstra të parë, me dukshëm mjaft theksim, shpjegohet nga zhvillime të forta të brendshme, po ashtu edhe të jashtme: me porsa prishjen me Jugosllavinë dhe likujdimin e grupit të Koçi Xoxes, me betejat e luftës civile në Greqi, furnizimin e tyre me armë nga Tirana zyrtare si edhe pritjen e strehimin në tokat shqiptare të forcave të rezistencës komuniste helene, atyre të cilët Enver Hoxha i quante “refugjatët demokratë grekë”.
Në 28 nëntor 1948, pas një viti me tematikë të zakonshme, mbledhja e Këshillit të Ministrave qe marë me “disa ndryshime në Qeveri”, çfarë paralajmërote stuhinë që po vinte ndaj Xoxes dhe mbështetësve të tij.
Por në kapërcyell të vitit, në 10 janar 1949, mbledhja kryeministrore qe shumë e gjatë, me mjaft çështje të nxehta në shqyrtim.
Mes tyre ishte edhe ajo “mbi krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor për të zhvilluar hetimet kundër armiqve të popullit dhe të Republikës, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, etj”
Për Skënderbeun Këshilli i Ministrave u mblodh pas një jave, në 17 janar 1949.
Nën drejtimin e gjeneral-kolonel Enver Hoxhës ai mori vendimin nr. 9 për ngritjen e një monumenti kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe. Nxitësi i këtij projekti qe vetë kryekomunisti shqiptar. Në rrethanat e reja të brendshme dhe ndërkombëtare atij i duhej të grumbullonte sa më shumë prestigj nacionalist. Të tregohej i fortë po ashtu, përballë Jugosllavisë sidomos dhe tërë Perëndimit.
Këto çaste ushtria shqiptare deklaronte me trimëri që ishte e fortë për të përballuar çdo sulm nga fqinja veriore, se zotëronte rreth 20 tanke të rëndë, 35-40 ton, me top 85mm, afërsisht 50 tanke të mesëm me top 76 mm ZIS, si edhe 50-60 mjete të blinduara.
Ja pse në momente të tilla Skënderbeu i duhej më shumë se kurrë Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës, e tëra tashmë duke rënë në duart e tij.
Në zbatim të mbledhjes kryeministrore të 10 janarit 1949, në ditët e ardhme, Komiteti i Arteve dhe i Kulturës, i krijuar pak muaj më parë, njoftoi çeljen e një konkursi kombëtar dhe ftoi të gjithë krijuesit shqiptarë për të marrë pjesë në të. Sipas piktorit, por edhe studiuesit të arteve figurative, Kujtim Buza, “Shpallja e konkursit i mobilizoi atëherë skulptorët tanë O. Paskali, J. Paço, Dh. Çani, Ll. Nikolla, K. Koljaka, piktorin B. Sejdini, në realizimin e skicideve për këtë monument të rëndësishëm”.
Për një rregull të brendshëm, me qëllim të siguronte mosndikim në jurinë përzgjedhëse të punës më të mirë, autorët do t’i paraqitnin krijimet e tyre me pseudonime. Kështu ata zgjodhën kodet artistike: “Kështjella”, “Puna”, “Guri”, “Një nga shokët”, “Silva”...
Në 4 prill 1949, siç e kemi spikatur në shkrimet pararendëse, Enver Hoxha i bëri kërkesën qeverisë sovjetike për prodhimin e filmit “Skënderbeu”.
Tashmë qenë dy aksione paralele për të sjellë në mjedisin e patriotizmit shqiptar figurën e tyre më të dashur, por edhe luftëtarin legjendar që do ta ndihmonte gjeneral-kolonelin politik Hoxha në luftë kundër Perëndimit.
Sipas piktorit dhe studiuesit Kujtim Buza, grupi i skulptorëve për Gjergj Kastiotin punuan për dhjetë muaj mbi variantet e tyre krijuese, deri në fund të tetorit.
Ndërkaq në korrik qe pushkatuar Koçi Xoxe.
Në 27 tetor 1949 Këshilli i Ministrave, gjithnjë duke marrë parasysh gjykimin e jurisë së monumentit të ngritur me këtë rast dhe të përbërë nga arkitektë, inxhinierë, letrarë e piktorë, mori vendimin nr. 15.
Në të thuhej: “Këshilli Ministerial i Republikës Popullore të Shqipërisë, pasi pa se rezultatet e arritura prej konkursit të shpallur prej Komitetit të Arteve e të Kulturës në mbështetje të vendimit nr.9 të 17.1.1949 mbi bërjen e monumentit të Skënderbeut megjithë rezultatet e mira të arritura në këtë konkurs, asnjëri nga bocetet nuk ishin të atilla që të paraqitnin me të vërtetë Skënderbenë e legjendave, luftëtar të pamposhtur, udhëheqës, organizator e fitimtar të kaq betejave popullore me qëllim që ta ketë Tirana një monument të tillë:
Vendosi
1.Të shpallet prej Komitetit të Arteve dhe Kulturës një konkurs tjetër me pjesëmarrjen e të gjithë skulptorëve të vendit tonë për të paraqitur bocetin e heroit tonë kombëtar Skënderbe.
2.Ftohen skulptorët pjesëmarrës që të angazhohen thellësisht në njohjen e mirë të Skënderbeut për të shprehur në skulpturë Heroin e vërtetë si në përmbajtje ashtu edhe në formë, vepër arti për në kryeqytetin e Republikës sonë Popullore”.
Po këtë ditë të 27 tetorit 1949 kabineti qeveritar i drejtuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, me vendimin Nr.505 përcaktonte se boceti më i mirë qe ai i skulptorit Janaq Paço. Për këtë arsye atij i jepej çmimi i dytë i konkursit si edhe i konsiderohej i përshtatshëm për t’u vendosur jo në Tiranë, por për në qytetin e Krujës.
Njëkohësisht qeveria Hoxha, duke mos pasur çmim të parë, shpallte se vetëm Janaq Paços i jepej e drejta për ta vijuar punën e tij me bocetin e Skënderbeut.
Argumentet përse i bëhej ky vlerësim përmblidheshin në atë që patën gjykuar: Skënderbeu i Paços ishte më i miri. Sipas jurisë dhe Këshillit të Ministrave, gjithnjë referuar piktorit dhe studiuesit Kujtim Buza, Janaq Paço pati kryer “një zgjidhje të përgjithshme dinamike, i përmbahej më shumë karakterit legjendar të heroit dhe tipareve individuale e botës së brendshme të tij, mbështetej më shumë në kuptimin kombëtar të cilësive të heroit dhe trajtohej përgjithësisht me një gjuhë origjinale. Skulptura shoqërohej nga një bazament monolit, copë shkëmbi që qëndisej anash me një relief plot lëvizje që rrethonte skulpturën e formonte bashkë me të një imazh më të plotë rreth heroit dhe masës, përshkruante drejt tiparet e heroit tonë kombëtar i lidhur ngushtë me popullin e tij, shprehës i aspiratave të tij”.
Po ashtu: ai variant e “paraqiste Skënderbeun me pallë ngritur”. Njëkohësisht “Krahu i djathtë ngrihej lart ndërsa dora e majtë mbërthente frëngjitë”.
Ndërkohë: “Kali ishte në lëvizje me të dyja këmbët e ngritura ndësa figura e Skënderbeut është pa mantel, mbërthyer në veshjen e tij të metaltë”.
Këto karakteristika i duheshin më shumë Enver Hoxhës dhe partisë së tij antiperëndimore jo vetëm ato çaste të brishta të ekzistencës, por edhe më pas, në vijimësi. Skënderbeu, kudo që të shfaqej, në bonx, në ngjyra bojrash apo në celuloid filmash, duhej ta kishte shpatën (pallën) në dorë e ta vërtiste mbi kokën e armiqve të çdo kohe.
Ndërkaq juria e qeveria Hoxha kishin edhe disa vërejtje për bocetin e Paços, të cilat duhej patjetër të korigjoheshin. Ato nisnin me kokën: Gjergj Kastrioti “dilte më shumë si një dijetar i lodhur, mendimtar, se sa një udhëheqës luftarak e i rrufeshëm”.
Po ashtu duhej realizuar nga Janaq Paço “një vendosje më e arritur profesionale në mes figurës dhe kalit, harmonizim më të plotë të lëvizjes së kalit dhe heroit”.
Për të gjitha këto skultori ra dakord dhe rifilloi punën në studion e tij në Rrugën “Konferenca e Labinotit”.
Në 10 korrik të atij viti me në qendër realizimin dhe ngritjen për herë të parë nga vetë shqiptarët e një monumenti të madh për Gjergj Kastriotin, 1949, gjatë paradës ushtarake në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të Tiranës parakaluan në mënyrë demostrative 20 tanke të rëndë, 20 tanke të mesëm dhe 40 makina të blinduara.
Në mes të tetorit shërbimet e fsheshta angloamerikane u raportonin eprorëve se “rreth 50 anëtarë të Ballit Kombëtar...u tradhtuan te forcat qeveritare nga banorë besnikë të regjimit. Rreth 30 prej tyre u vranë dhe 20 të tjerët u kapën rob”.
Një e dhënë tjetër thoshte se “Një brigadë refugjatësh shqiptarë të armatosur mirë dhe të stërvitur në Jugosllavi, të njohur si “Brigada e Koçi Xoxes”, janë stacionuar në kufirin shqiptar pranë liqenit të Shkodrës, duke pritur urdhër për të vepruar kundër qeverisë së Hoxhës”.
Në mars 1950 doli seria e parë e pullave shtetërore me imazhin e Skënderbeut, kurse në 11 tetor një letër sekretet e Komitetit Qendror drejtuar tërë ministrive dhe këshillave të pushteteve lokale urdhëronte “pushimin nga puna menjëherë të gjithë ata elementë armiq, që bëjnë punë të thjeshta në dyqane shteti, kooperativa, zyra etj. dhe të zëvëndësohen me njerz të thjeshtë nga populli”.
Në 19 shkurt 1951, në orën 17 e 47 minuta, u hodh në oborrin e ish ndërtesës së Ambasadës Sovjetike në Tiranë një sasi e vogël dinamiti. Ajo shkaktoi vetëm një krismë të fortë, por asnjë rënim të godinës apo viktima njerëzore. Pas kësaj autoritetet kryen një masakër të përgjakshme ndaj shumë kundërshtarëve të saj politikë, të gjithë properëndimorë.
Në 28 nëntor 1953 filmi sovjetikë-shqiptar “Skënderbeu”, në prani të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut, u shfaq në kinema “Kosova” dhe në të njëjtën ditë u projektua në orën 21.00 në sallën “Dom-Kinon” të Moskës.
Por më parë se të ndodhte kjo, Hoxha dhe Shehu kishin vizituar studion e skulptorit Janaq Paço. Koha nuk priste: Skënderbeu duhej të ishte i tëri i mobilizuar në betejë për të luftuar “imperializmin amerikan” dhe mbrojtur komunizmin.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 12 shtator 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|