|
NË KUÇOVË VJEN NATO, POR A DO TË RIKTHEHET EDHE STALINI?
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 23 gusht 2018)
Haku vjen tek i zoti, thotë një fjalë e urtë. Këtë herë ajo u rikthye tek Kuçova, një nga qytetet e rinj më të jashtëzakonshëm dhe origjinalë që ka krijuar historia e popullit tonë. Perlë intensiteti dhe larmie zhvillimi brenda një treçerek shekulli, por që pluralizmi deri këto çaste, kur NATO dëshmoi interes, e pati lënë pas dore.
Mbase Aleanca Atlantike duke njoftuar vëmendjen e saj gjeostrategjike për aeroportin luftarak të Kuçovës do t’i japë një shtysë ridaljes në reliev të këtij qyteti me historinë më moderne shqiptare, meritë që i ri hijshëm duke qenë pranë një qyteti tjetër fantastik, me histori të spikatur antike e sidomos mesjetare, Beratit.
Për ne shqiptarët, por edhe për të huajt, prania turistike e të cilëve në këtë trevë po shtohet dhe patjetër nga viti në vit do të kulmojë edhe më shumë, kjo që po ndodh do të thotë se kemi në dorë një aset, një çift qytetesh mjaft tërheqës për syrin dhe mendjen e botës, për shpirtin e saj plot kërshëri.
Berati dhe Kuçova janë të dy të regjistruar në kujtesën e kontinentit, edhe më tej madje. Kanë ditur të bëjnë histori.
Që Kuçova tashmë me projektin e një baze NATO bie në sy dhe me këtë rast dëshmon se ka ende karizëm, e provon çfarë rusja “Sputnik” shkroi disa ditë më parë, në 4 gusht. Lajmin e titullonte “Baza e parë e NATO-s në Ballkan do të hedhë shtat në një qytet, i cili më parë quhej Stalin”.
Autori Aleksej Vitvicki, ndryshe nga çfarë ndonjë media e Tiranës u përpoq ta barazonte me një provokacion, ka bërë një lajm gjakftohtë, sigurisht pa lënë pas dore sensansionalitetin e pranisë së Stalinit në këtë ngjarje si edhe nëntekstin se prej dikur një baze ruse Kuçova po shndërrohet në një amerikane. Thotë lajmi rus i “Sputnik”: “NATO ka vendosur të ndërtojë bazën e parë ajrore në Ballkan në afërsi të qytetit të Kuçovës, e cila që nga 1950 deri në 1990 quhej Stalin. Këtë gjë e ka shkruar në Facebook kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar bazën e parë ajrore në Ballkanin perëndimor në Shqipëri...NATO vetëm në fazën e parë të projektit për modernizimin e aeroportit në Kuçovë, do të investojë mbi 50 milion euro”, ka shkruar Rama.
Kryeministri shqiptar ka pohuar se projekti do të nisë brenda një viti. Baza do të shërbejë për furnizime të NATO-s, për mbështetje logjistike dhe për kualifikimin e personelit ushtarak.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që prej prillit 2009”. Këtu mbaron lajmi i Moskës.
Avionët luftarakë që prej një treçerek shekulli kanë qenë këtu
Rritja e joshjes turistike ndërkombëtare për këtë territor fillimisht duket si nonsens me një bazë ushtarake ajrore. Në pamje të parë, sipas një logjike më të thjeshtë, duhet të pritet e anasjella: mpakja e kësaj tërheqjeje për ta vizituar, zvogëlimi, rënia.
Ja pse disa pak bashkëkombës, me t’u bërë i ditur lajmi, paralajmëruan fillimin e pasigurisë të Shqipërisë dhe ca më drejtpërsëdrejti: të popullsisë së Beratit, qytetit shumë potencial të turizmit historik që kemi. Arsyetuan gjëmëndjellësit: Botës do t’i paraqitim “Shtëpitë një mbi një” të Mangalemit apo avionët me në bark bomba dhe raketa?
Por aeroplanët e luftës në këtë aerodrom dhe territor kanë një jetë të tërë që janë ngritur dhe ulur. I pari qe Benito Musolini, i cili urdhëroi, për qëllime të ekspansionit në Ballkan e së pari për agresion ndaj Greqisë, që aeroportin e vogël të mëparshëm civil të Otllakut, pothuaj ngjitur me Beratin, ta zgjeronte në drejtimin e kundërt, drejt Kuçovës, jetën e të cilës e kishte gjallëruar tashmë kompania italiane private e naftës, AIPA, por fort e lidhur me regjimin.
Që prej motit 1940 avionët e luftës, të nisur nga kjo bazë, janë përleshur në qiell me ata grekë dhe anglezë jo vetëm në jug të vendit, por edhe mbi Berat. Për ta rrëfyer këtë tmerr kacafytjeje të papushuar sipër qytetit ka një libër shumë të bukur studiuesi vendas Asllan Sulo.
Kur erdhën nazistët gjermanë dhe shqiptarëve u ndodhi pushtimi i ri, ky aeroport funksionoi sërish si bazë ajrore lufte dhe jo vetëm “Junker”, por edhe avionët e tmerrshëm “Stukas” ngriheshin prej këtu dhe nuk bombardonin apo mitralonin vetëm hapësirën përreth, por edhe anglo-amerikanët në anijet e tyre në Jon apo Adriatik. Fluturonin kërcënues edhe drejt veriut të vendit. Kuçova ato çaste qe në krejt Shqipërinë baza më agresive e pushtuesve.
Sepse ishte kjo bazë dhe sidomos zona naftëmbajtëse më e madhe e vendit, duke nisur nga 12 nëntori 1943 deri në 23 korrik 1944 Kuçova u bombardua disa herë nga dhjetra e dhjetra avionë anglo-amerikanë, duke shkaktuar dëme materiale nëpër impiante, por edhe vrarë nazistë dhe ushtarë të thjeshtë gjermanë. Vranë edhe popullsi civile.
Pas lufte u duk sikur qenë jugosllavët ata që do ta merrnin përjetësisht nën kontroll këtë zonë strategjike dhe askush deri tani nuk ka treguar vëmendje se Kuçova nën thundrën e tyre qe prova më e qartë se sa keq do të rrokulliseshin punët po të realizohej kjo “miqësi” me Beogradin.
Nuk është çështja që specialistët jugosllavë që po ndihmonin në rindërtimin teknik të puseve si edhe të ndonjë rafinimi të mundshëm të naftës së nxjerrë, qenë dukshëm të ftohtë e fodullë, të sigurt se ishin pushteti, por përherë e më shumë shfaqen dëshmi se disa prej tyre zbatonin direktiva të shërbimit të tyre të fshehtë UDB dhe kryenin deri edhe vrasje të inxhinierëve që nuk anonin në favor të interesave jugosllave.
Nuk është vendi në këtë shkrim, por duhet pohuar se për zotërimin e naftës së Kuçovës kacafytja e britanikëve, e francezëve dhe e italianëve në vitet njëzetë e fillimin e moteve tridhjetë të shekullit të shkuar, ishte më pak e pabesë se ajo e qeverisë titiste të pas Luftës.
Rrethanat sollën ikjen pa lavdi të jugosllavëve dhe ardhjen e sovjetikëve, të interesuar për ta zhvilluar dhe fuqizuar këtë territor përtej shfrytëzimit të naftës. Kështu në 24 prill 1951 në Kuçovë u krijua Regjimenti ajror, katër mote më vonë mbërritën avionët e parë reaktivë, të fuqishmit rusë MIG.
Ato çaste situtata në rajon dhe në kontinent qe relativisht pa luftra dhe Nikita Hrushovi frymëzonte bashkëjetesën paqësore mes socializmit dhe kapitalizmit. Gjithsesi aeroplanët ngriheshin në ajër për të mbrojtur sovranitetin territorial të Shqipërisë, jo për të sulmuar kënd. Beratasit e vjetër në moshë, por edhe më të rinjtë, i mbajnë mend spektaklet e fluturimit të këtyre avionëve që, kur kalonin shpejtësinë e zërit, prodhonin në ajër një krismë tërmetore.
Baza ajrore e Kuçovës kishte të paktën një ditë të javës në të cilën i ngrinte për stërvitje ato makina luftarake. Ato kalonin me uturimë mbi kështjellë dhe qytet, duke ikur drejt malit të Tomorit, ku pas tij humbnin. Por ne e dinim ku shkonin: i afroheshin kufirit me Greqinë dhe riktheheshin.
Ne e dinim gjithashtu sa zgjaste kjo dhe ata shumë shpejt shfaqeshin mbi Tomor, duke e ulur shpejtësinë e mëparshme të skëtershme. Përgatiteshin për ulje. Pas kështjellës së Beratit ishte aerodromi.
Aq të mësuar me këtë bazë ajrore janë banorë të Kuçovës apo të Urës Vajgurore, si edhe beratasit, sa në albumet e tyre ende ruajnë polifoto të ndryshme propagandistike të kohës, ku bashkë me pejsazhin e Mangalemit, sipër kalasë, duket edhe një skuadrilje MIG-ësh.
Pra, baza luftarake ka qenë këtu. E ka dashur gjeostrategjia e ardhësve të huaj, po ashtu edhe e pushteteve vendas, edhe sovraniteti ynë sigurisht. Aleanca Atlantike nuk ka bërë ndonjë zbulim apo përdorim të ri të kësaj tradite dhe realiteti historik, të paktën që prej çastit kur në nëntor 2011 filloi rikonstruksionin e bazës. Shtatëmbëdhjetë vite të shkuara aerodromin e pati vizituar shefi i Shtabit i Ushtrisë Turke dhe kur hyri në tunelin nën mal të strehimit të avionëve, i mrekulluar nga çudi inxhinierike, i ra me pëllëmbë të dorës krahut të një MIG-u dhe shqiptoi me solemnitet të sinqertë: “Marshalla! Mos thoni se nuk jeni shtet i fortë!”
Lista e gjatë e emrave për hequr fjalën Kuçovë
Me fazën e re të rikonstruksionit të aeroportit të Kuçovës Aleanca Atlantike e ka përshtatur atë me realitetin e ri gjeopolitik. Do të ishte e pakuptimtë të ngjante e kundërta: dremitje e NATO-s dhe duart e kryqëzuara në pritje të Tiranës zyrtare.
Për të mirën tonë, kemi kaluar jo virtualisht, por në mënyrën më konkrete të mundur, nga Stalini tek NATO.
Por Kuçova nuk ka në historinë e saj vetëm praninë e emrit të udhëheqësit bolshevik sovjetik. Ajo ka një peripeci të vazhduar të emërtimit të saj. Regjimet kanë dashur t’i imponohen këtij qyteti të ri që rritej me ditë, ta përvetësonin prestigjin e tij modern.
Italianët e quajtën fillimisht Vajguras.
Në 1938 bënë provën tjetër të manisë së tyre: e thirrën Devole, duke e shpjeguar se qyteti naftëtar po krijohej buzë lumit Devoll.
Nga që sërish nuk funksionoi, pra ekzistoi më së shumti nëpër korespodencë zyrtare apo në skicë-projektet e punës naftënxjerrëse, hyri në lojë Benito Musolini. Kish qejf t’i plotësonte një dëshirë dhendërit të tij, ministrit të Jashtëm Galeaco Çano, kontit që çfarë nuk bënte për t’u ngritur në shkallë fisnikërie dhe të bëhej “Duka e Madh”. Ia doli në Itali duke u shpallur “Duka i Madh i Toskanës”, por ëndërronte edhe “Duka i Madh i Shqipërisë”.
Kështu nisi një regëtimë kohe kur Kuçova gjysmë zyrtarisht filloi të thirrej edhe “Qyteti Çano”. Kjo mbase, po të mësohej populli shqiptar, i hapte rrugë titullit megalloman të ëndërruar.
Por as ky emër i ri, bartësi i të cilit do të qe shtytësi famëkeq jo vetëm i shfrytëzimit ekonomik të Shqipërisë, por edhe e pushtimit të saj me ushtri, nuk u pranua. Madje pati nga shtresa të caktuara të popullsisë, të mbushura me urrejtje ndaj pushtimit, që bënë një kundërpërpjekje po aq të habitshme. Pasi në 1943 u vra partizani i njohur vendas Tafil Skëndo, pjesa e ndikuar edhe nga Partia Komuniste Shqiptare, nisi ta thërriste Kuçovën me emrin e dëshmorit.
Sigurisht as ky emër nuk pati jetë.
Të gjithë eksperimentonin me qytetin e ri, thua nuk u mjaftonte emri historik i territorit ku po ngrihej çudia industriale: Kuçovë. Me pak fjalë vendasit donin ta ndërronin të shkuarën krejtësisht, duke i ikur të shkuarës së rëndomtë të një fshati të humbur. Ndjenjën se prej fjalës Kuçovë banorët pritnin më shumë prestigj tingëllues mund ta dallosh në librin “Kuçova Enciklopedi” të Shkëlqim Servet Agos, botuar nga “Argeta.LMG” në 2015.
Aty thuhet: “Për toponimin Kuçovë ka disa gojëdhëna, por po japim njërën prej tyre: Kuca ose Tokë Pjellore”. Më pas autori shpjegon se “Më i vjetri i familjes së fisit Brisqeve, Sherif Brisku, te më të rinjtë ka lënë një shpjegim kur dikush e kish pyetur nga vjen fjala Kuçovë. Sipas të parëve tanë, ky vend këtu ka qenë vetëm shkurre…Paraardhësit prenë e prenë ato sipërfaqësoret dhe thanë se tani hapëm token e re. Kur bënë të punojnë, ngecte beli në KOCKA të forta”. Më tej në këtë shpjegim tepër naiv këmbëngulet se këto rrënjë të forta të shkurreve, të thirrura nga vendasit Kuca, pak nga pak i dhanë emrin Kuçovë.
Sipas “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, 2008, ky emër është gjetur në dokumentet e shkruara të kohës vetëm në vitin 1689.
Pasi u përpoqën disa herë ta tjetërsojnë më në fund ja edhe përpjekja më e fortë për ta zhdukur fjalën Kuçovë: në 19 dhjetor 1950, me rastin e ditëlindjes së kryebolshevikut sovjetik, qytetit naftëmbajtës iu vendos emri i Stalinit. Por edhe kjo qëlloi thjesht një zamkë. Mbajti deri në deri më 5 janar 1991, kur një vendim Kuvendor i firmosur nga Ramiz Alia dhe Sihat Tozaj, i hapi rrugë heqjes gjithkund në Shqipëri të shenjave të Josif Visarionoviç Stalinit. Kështu në katër orë monumenti i tij në Kuçovë, me një vinç Takraft, u ul nga piedestali. Kamioni i ardhur posaçërisht nga Tirana e mori me vete.
Një punonjës policie, i cili bashkë me një skuadër të tyre ndodhej në vendin e çmontimit për të ruajtur rendin, nuk pati asnjë punë. Ky dëshmitar i superngjarjes, Qani Abazi, njeri me stof intelektual dhe lexues i njohur librash, pohon se përreth jo vetëm nuk pati ndonjë grumbullim njerëzish, qoftë edhe për kërshëri, por dallohej hapët indiferenca.
Ishte i fundit i një qyteti me këtë emër, që hiqej. Stalingradi, Stalinogorski dhe Stalinsk në Rusi qenë censuruar që në motin 1961. Po këtë vit edhe pesë të tjerë në Armeni, Azerbaxhan dhe Gjeorgji, një në Ukrainë dhe një tjetër në Taxhikistan. Ai në Bullgari afër Varnës ishte zhdukur që në 1956. Në 1961 pati ikur nga harta edhe Stalinstadt në Gjermaninë Lindore si edhe Sztálinváros në Hungari. Ai në Poloni, afër Katovicës, Stalinogród qe hequr në 1956, kurse Oraşul Stalin në Rumani në 1960.
(Por ka edhe më: Një shoqatë e ngritur në Kuçovë pas rënies së diktaturës propozoi që qytetit të tyre t’i vihej emri i Fan Nolit).
Ejani të gjithë!
Ambasadori Bashkim Pitarka, një nga yjet e diplomacisë tonë si edhe pjesëmarrës mjaft elastik në momentet e hapjes drejt Perëndimit, na ka treguar se si një funksionar i lartë i Kombeve të Bashkuara, sigurisht më shumë për një shaka, i tha në ditë në Nju Jork, ku Pitarka drejtonte misionin tonë, se Shqipëria ishte më mirë të mos e ndërronte regjimin. Shpjegimi që dha: Bota ka nevojë të ruajë një vend si muze se deri ku e katandiste regjimi komunist një popull.
T’ja lëmë këtë “eksperiment” trillit të funksionarit dhe të kapim thelbin: joshjen turistike jo të ngrirjes së kohës, por të ndryshimit të madh. Aerodromi që përherë e më shumë do të bëhet ndërkombëtar në personel, e hap Kuçovën, e nxjerr nga “rrethimi” i mosvëmendjes disadekadëshe, çfarë po e nxirrte atë nga roli i peshës historike. Atë qytet në fund të fundit e kish bërë nafta, prania e vijuar e italianëve, e polakëve dhe e çekëve, e rusëve dhe e kinezëve.
Kuçova ka qenë një Amerikë e vogël, sepse edhe punëtorët apo teknikët shqiptarë migruan aty prej qyteteve të tjera bashkëkombëse. Në këtë kuptim atje nuk ka “kuçovar” tradicional, por një shqiptar mjaft të emancipuar, plot ambicie zhvillimi dhe mbi të gjitha kulturëdashës, pra të hapët.
Për të argumentuar këtë cilësi të banorëve të këtij qyteti mjaft të veçantë ekzistojnë plot shembujj, por autori i këtyre rradhëve do t’i paraqiste lexuesit njërin: Skënder Jaçen. Ai prej kohësh jeton në Tiranë. Ka qenë para vitit nëntëdhjetë përgjegjësi i kinemasë shtetërore të Kuçovës, duke e bërë këtë institucion të parin në Republikë, jo vetëm në rrjetin e madh të sindikatës, e cila atëherë quhej Bashkimet Profesionale.
Me fillimin e pluralizmit Skënderi shkoi dhe punoi për shumë vite në Greqi. Me të ardhurat e fituara aty, ndërsa mund t’i investonte në një bisnes fitimprurës, i shpenzoi ndryshe: bleu kinemanë e braktisur dhe në rënim, duke e rikonstruktuar.
Ajo është një ndërtesë italiane e magjishme. Çatia e saj hapet dhe mbyllet si urat e mëdha në ngushtica detare. Pajisjet e ndryshkura të kësaj mrekullie fantazie Jaçe i rinovoi, siç edhe bëri me çdo gjë tjetër në sallën e madhe të kinemasë dhe në shtojcat e saj të shërbimit. E ringjalli këtë institucion, por jo duke shfaqur përditë filma e shitur bileta. Ai nisi të organizonte aty, tashmë kjo vazhdon prej pesëmbëdhjetë vitesh, festivale ndërkombëtare filmi. Pa biletë. Deri tani ka bërë mbi tridhjetë të tilla, duke nisur nga ai italian, francez, po ashtu edhe rus. Prej kulturës së këtij populli artistik ai ka shfaqur “Beteja e Stalingradit” si edhe një tufë filmash të periudhës së shkëputjes nga regjimi i rëndë stalinian.
Në këto festivale kanë ardhur përherë ambasadorë, ai rus madje është mrekulluar nga mikpritja. Sepse në Kuçovë sovjetikët, që punuan në sektorin e naftës për një duzine motesh, kanë lënë një përshtypje mjaft ngazëlluese, të paharuar dhe të respektuar.
Kështu NATO e rrit praninë e vet në Kuçovë jo në një mjedis të ngarkuar me mëri apo paragjykime etnike ose pasideologjike, prandaj ajo edhe do të ndihet më mirë, si edhe tërë shqiptarët. Sepse ne jemi për miqësi mes popujve, duke mos lëshuar doemos asnjë grimë në zgjedhjen gjeostrategjike politike që kemi bërë: jemi me Perëndimin dhe Aleancën Atlantike.
Monumenti i Stalinit të mundur pse të mos rikthehet në Kuçovë?
Tani, në kini edhe pak durim, po ju paraqes edhe një ide tjetër, disi ”skandaloze”: rikthimin e monumentit të Stalinit në Kuçovë.
Sigurisht jo atje ku ka qenë, lart buzëkodrës dhe me dorën e shtrirë përpara bënte zotin e qytetit. Ai duhet të rrijë poshtë, në ultësirën e bulevardit të qendrës, i muzeuar dukshëm, pra i shpjeguar edhe nga ana vizuale, se para historisë dhe botës demokratike, ai është i mposhturi. Më saktë: është i rëndësishmi i madh, por gjithsesi i munduri.
Sepse Stalini politik, u dëshmua, këtu përjetohet sikur nuk ka qenë kurrë në Kuçovë. Ai, turistiku, shpresojmë të shkaktojë të kundërtën.
Ylli Polovina
Tiranë, më 21gusht 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|