Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MOSKË-TIRANË, JANAR 1950, NDIZET POLEMIKA: USHTRIA E SKËNDERBEUT PËRBËHEJ NGA BARINJ


(Shkrimi dyzetë e pestë i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

(Botuar në “Illyria” në 17 gusht 2018)

Giuseppe Schirò di Magio (Xhuzepe Skiro di Maxho), studiues arbëresh, mbajti në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike të organizuar në Palermo dhe qytezën arbëre Santa Kristina Xhela (Santa Cristina Gela) një kumtesë.
Kjo konferencë u mbajt në datat 9 dhe 10 shkurt 2006. Tema që ajo trajtoi, ishte “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe identiteti kombëtar shqiptar”.
Ndërkohë Skirò në kumtesën e tij “Dy referime për Skënderbeun në prozë dhe në poezi”, ndërmjet të tjerash, nguli këmbë se nuk ekzistonte “skënderbeizmi”, si ideologji, ashtu si u theksua gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës marksiste-leniniste, por “skënderbeiteti” si frymë e tij, si përkatësi e shqiptarëve me vetë heroin e tyre kombëtar...”
Pastaj ai u rikujtoi pjesëmarrësve një reportazh të vetin të shkruar në 1984, në muajin prill, ndërsa pati vizituar në Lezhë Memoralin (vendvarrimin) e Gjergj Kastriotit.
Në mbyllje të këtij reportazhi ndodhen këtë fjalë: “Gjëja që më bëri përshtypje nuk qe tempulli modern me shtylla të holla katrore prej betonarmeje, por një pëlhurë e kuqe vënë gjatë ballinës së tempullit: “LAVDI MARKSIZËM-LENINIZMIT!”; tempulli i ri kushtuar Skënderbeut që ngrihet sipër mureve të kishës së vjetër të Shën Kollit dhe e mbështjellë gati duke e përvetësuar....”
Gjysmëshekulli i rendit shoqëror realsocialist në Shqipëri, krahas shumë përkujdesjeve për të mbledhur dhe paraqitur për jetën e sidomos veprën e Gjergj Kastriotit, vëllim pune i pakrahasuar deri më parë me ndonjë regjim tjetër, e përshfaqi menjëherë edhe tentativën politike për ta ideologjizuar atë në dobi të marksizëm-leninizmit.
Ndoshta e shprehura më e saktë: në favor të enverizmit.
Portreti i Gjergj Kastriotit u shfaq dukshëm në sfondin e tribunës së Kongresit të Përmetit, në fundmaj 1944 dhe pas një periudhe të regjimit të ri, me vëmendje jo ngulmuese, mori hov pas ndarjes me komunistët jugosllavë. Më vonë gjithçka bëri vrap në popullarizimin e tij, duke mbartur me këtë rast edhe doktrinimin e tij ideologjik.
Deri sa regjimi ra studiuesit shqiptarë kishin objekt pasqyrimi “rolin e masave popullore” në kryengritjen e Skënderbeut, duke e spikatur këtë si faktor me shumë ndikim në dinamikën e ngjarjeve të mbi çerek shekullit të rezistencës antiosmane të prirë prej tij.
Mënyra më e drejtë për ta kuptuar se deri ku shkonte “komunistizimi” i Gjergj Kastriotit, nuk mund të jetë referimi i politikanëve bolshevikë apo i nacionalistëve të zakonshëm ideologjikë, por autoriteti i një dijetari me sa më shumë vetëdijë dhe realizëm shkencor, me sa më pak ngarkesë politizimi.
Ky emër është Aleks Buda, profesori i shquar që drejtoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Jo vetëm në kumtesën e tij udhëheqëse të mbajtur në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike të zhvilluar në Tiranë 12-18 janar 1968 me rastin e përvjetorit të pesëqindtë të vdekjes së Skënderbeut, por edhe më vonë, deri në mbyllje të jetës së tij, Profesor Aleks Buda ishte i qendrueshëm në gjykimin e tij, çfarë do ta spikatim tani.
Po i përcjellim lexuesit disa prej tezave të dijetarit që punoi në një regjim të caktuar dhe doemos edhe pse më pak nga të tjerët, gjithsesi pësoi detyrimin për t’u konfomuar me të: “Vlerësimi që i ka bërë epokës dhe figurës së Skënderbeut historiografia e re marksiste shqiptare në një varg pikash thelbësore është skajërisht në kundërshtim me bazat metodologjike si edhe me kendin e të parit të historiografisë së vjetër borgjeze, të afërt ose të largët”.
Pak më pas ai shkruan: “Figura e Skënderbeut afrohet më tepër se cilado tjetër për t’i lënë shteg zhvillimi i konceptit aq të dashur për historiografinë borgjeze të “heroit” që i kundërvihet “masave”. Duke njohur rolin vendimtar të masave popullore në histori, marksizëm-leninizmi jo vetëm nuk e mohon, por përkundrazi, siç e thekson Lenini, pranë “iniciativës revolucionare të masave...” njeh dhe rolin e individëve që dinë të kërkojnë dhe të realizojnë me këtë apo atë klasë. Heronjtë i lindin kërkesat historike. Përpara detyrave të reja të mëdha të epokës, populli shqiptar lindi heroin e vet, Skënderbeun”.
Ndërkaq duhet vënë në dukje se procesi i komunistizimit të Gjergj Kastriotit nuk ka qenë i lehtë që në fillim dhe këtij procesi ideologjik i është dashur kohë. Dokumentin e parë të kësaj ecurie antihistorike, por që ende ndesh në rezistencë, e gjejmë në 18 prill 1950, kur Dega e Shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Shqipërisë i dërgoi Legatës Shqiptare në Moskë në letër sekrete.
Ajo qe përgjigje ndaj shkresës që kjo Legatë i pati nisur dy muaj më parë, në 19 shkurt 1950. Në këtë shkresë të shefit të kësaj përfaqësie diplomatike, Reiz Malile, bëhej fjalë lidhur me disa gabime politike të bëra në revistën “L’Albanie nouvelle”, e cila e kishte redaksinë në Tiranë dhe shpërndahej, në disa gjuhë, në vende të ndryshme, sidomos në kampin e quajtur socialist.
Vërejtjet e Legatës se në revistë kishte gabime politike, niseshën prej një shkrimi të saj për Skënderbeun në një edicion të disa muajve më parë. Në të vërtetë kjo e Ministrisë së Jashtme qe përgjigja e dytë e saj rreth po këtij problemi.
Legata qe ankuar për këto “gabime politike” tek Nexhmije Hoxha dhe Vandush Vinçani, të cilët pas një vizite pune në Moskë qenë rikthyer në Tiranë dhe ua patën përcjellë vërejtjet Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në përgjigjen e hershme, të vitit 1949, por edhe në atë të 19 shkurtit 1950, Dega e Shtypit me firmën e nënministrit të Jashtëm u kujtonte vartësve si edhe kolegëve në Moskë se u kishin sugjeruar, por edhe tani ua rekomandonin, leximin e një referati të “Prof. Aleks Budës botuar në gazetën “Zëri i Popullit” gjatë muajit janar 1949 ku del se koncepti i juaj mbi këtë çështje nuk është i drejtë dhe pra nga neve nuk ka gabim politik mbasi edhe artikulli është parë nga vetë Instituti i i Shkencave, nuk na i keni bërë neve, por Shoqes Nexhmije Hoxha dhe Shokut Vandush Vinçani na i thanë kur u kthyen nga Moska. Për këtë arsye neve ju kërkuam hollësira mbi këtë çështje gjë qe juve as po i bëni më në shkresën e mësipërme, por rezervoheni duke pritur që studentët t’i nxjerrin ato pasi të kenë bërë kontrollin e të gjitha revistave t’edicionit rusisht. Neve nuk pretendojmë se nuk mund të ndodhi që të bëhen gabime, por nuk jemi dakord me mënyrën juve i bëni vrejtjet. Fakti p.sh. që në shkresën e mësipërme përmendni vetëm rastin e artikullit mbi Skënderbeun ndërsa Shoqes Nexhmije dhe Shokut Vinçan u keni lënë përshtypjen se në revistë ka edhe gabime politike të tjera, tregon se atasheu i shtypit i asaj Legate është pak si i nxituar me nxjerrjen e konkluzjoneve. Nga ana jonë kemi bërë kontrollin e krejt edicjonit frengjisht të vjetit 1949 dhe t’artikujve dorëshkrim Shqip pse me të drejtë i morëm seriozisht vërejtjet e shokëve të lartpëmendur, të cilët kishin biseduar me shokun Frano Jakova. Nga kontrolli i ynë nuk rezultoi të ketë gabime politike me përjashtim t’atyre orthografike që ka në çdo numër të edicjonit frëngjisht.
Përsa i përket edicjonit rusisht është e vërtetë se ka mjaft gabime gjuhe të cilat me shtypjen e revistës në Bukuresht kanë filluar t’eliminohen”.
Më pas nënministri i Jashtëm shqiptar mëshon: “Në lidhje me artikullin për Skënderbeun, neve insistojmë duke u bazuar me përcaktimin që i ka bërë Instituti i Shkencave çështjes dhe vazhdojmë të pranojmë se ushtria e Skënderbeut përbëhej në pjesën më të madhe nga fshatarë dhe malësorë të lirë dhe se Shqipëria e asaj kohe ndryshon nga vendet e tjera ku dominonte absolutisht feudalizmi. Ja se si ka thënë Prof. Aleks Buda (Antar i Institutit të Shkencave) në Konferencën Akademike që ka mbajtur në Janarin e 1949-ës mbi Skënderbenë. Pasi përshkruan gjendjen sociale t’Evropës s’atëhershme dhe të Ballkanit ushtrit e të cilave u gjunjëzuan me një herë para ushtrisë Otomane, ai thotë: “Ndryshe qëndron puna në Shqipëri. Jo pse Shqipëria bënte apo bën nji përjashtim dhe nuk i nënështrohet ligjeve që sundojnë zhvillimin ekonomik e social të një shoqërie. Shoqëria Shqiptare ka disa trajta të saja specifike që shpjegohet nga faktorë dhe influenca të ndryshme historike, nga pozita e saj, nga formimi fizik i tokës së saj etj”.
Pastaj shkresa ministrore nënvizon këtë frazë: “Edhe për Shqipërinë mund të themi se kishte hyrë në fazën e feudalizmit por jo eksluzivisht”.
Më tej: “Për një nga arësyet e sipërshënuara, për karakterin malsor të përçam e të papërshkrueshëm të tokës, për pyjet e mëdha që mbulonin vendin dhe e bënin të vështirë komunikacjonin, këtu kishte qëndrue si mënyrë prodhimi piksëpari blegtoria dhe prandaj akoma në shekullin XV-të raportet feudale nuk qenë imponuar si raporte social dominonjëse. Vërtet në zonat më të pasuna, në fushat bregdetare, në luginat dhe kodrinat ku ishin tokat më të mira qe imponue sistemi feudal, me raportet e tij të vasalitetit dhe të robnisë së bujqve”.
Në vazhdim Ministria e Jashtme në Tiranë u nënvizon vartësve të saj në Moskë frazën: “Porse në malsitë, dhe kjo është një kohë proporcjonalisht më e madhe, qëndronte akoma e paprishur fshatarësia e lirë, pikësëpari barinjtë si faktor me rëndësi”.
Dhe plotëson: “Këta fshatarë të lirë nuk janë natyrisht në shkallën e komunitetit primitiv, aty ka dalë në shesh që krijari (kryetari-shënimi ynë) fisi që e ka prishur me kohë barazinë e të drejtave dhe detyrave. Bujarët kanë grumbullue pasuri, kope, toka e prandaj edhe fuqinë politike në dorën e tyne, por nuk kanë mbritur t’i transferojnë këta fshatarë të lirë në bujq-robër.
Formacjonet shtetnore primitive që kanë lindur këtu janë të tipit shtet-fisnor, të një shteti që përmbledh fise të ndryshme të një zone gjeografikisht dhe ekonomikisht pak a shumë të lidhuna¬-...”
Sqaron letra ministrore: “(Këto janë marrë nga shkrimi i Budës “Fshatarësia e lirë mban barrën kryesore të luftës” dhe “Karakteri popullor i ushtrisë së Skënderbeut”, botuar në “Zëri i Popullit” 2 deri në 25 janar 1949)”.
Pastaj, duke u mbyllur, përgjigja e dytë e Ministrisë së Jashtme për Legatën Shqiptare në Moskë, vë në dukje: “Kështu qëndron çështja mbi përbërjen sociale t’ushtrisë së Skënderbeut dhe të krejt Shqipërisë në shekullin e XV-të prandaj neve nënvizojmë edhe një herë se se ushtria permanente e Skënderbeut përbëhej nga fshatarë të lirë të maleve që nuk pranonin asnjë pushtet skllavërimi dhe ky koncept nuk është aspak i gabuar politikisht”.
Më poshtë thuhet se “por edhe sikur koncepti se bërthama e kësaj ushtrie me fshatarë të lirë të qe e gabuar kjo nuk përbën pretekst për ta quajtur gabim politik. Për këtë shkak ne presim akoma që këto gabime të përcaktohen ose në rast të kundërt të thuhet se është shprehur gabim shoku ose shokët e Legatës që kanë biseduar me shoqen Nexhmije dhe shokun Vandush”.
I kujtomë lexuesit se kjo çështje, teza se ushtria e Gjergj Kastriotit më në shumti përbëhej nga banorë malesh dhe mes tyre edhe nga shumë barinj, u rindez në Tiranë në vitin 2008, kur albanologu zviceran Oliver Jens Schmitt publikoi të përkthyer në shqip librin e tij “Skënderbeu”.
Por çfarë pati ndodhur konkretisht në Moskë në atë fillim janari 1950?

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 14 gusht 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com