|
9 SHTATOR 1943, ANTIKOMUNISTI I TMERRSHËM KADRI CAKRANI KËRKON TË SHPËTOJË HEBRENJTË E BERATIT
Nëntor 1935, raporti i turpshëm antiizraelit i Konsullatës tonë në Vjenë
(Botuar në “Shqiptarja.com” në 8 prill 2018)
Kur shumë vite më parë në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme do të ndeshja në dokumentin, përmbajtjen e të cilit do ta zbardhim menjëherë më pas, një dëshirë e brendshme qe tepër e fortë: të mos e bëja publike. Të paktën unë.
Kështu që prej vitit 2004, kur e pikasa dhe e fotografova origjinalin, nuk u vu re që ndonjë koleg, po qe se e kishte gjetur edhe ai, ta hidhte nëpër faqe gazetash.
Kështu deri në këtë fillim marsi 2018 mbeti i “censuruar”. Patjetër kjo ngjau sepse çfarë shkruan ai raport i Konsullatës Mbretërore të Shqipërisë në Vjenë, në “22 Nanduer 1935” është shumë e turpshme.
I nisur nga ndërtesa e Konsullatës, me adresë “I. Frankegasse 3”, pajisur me numrin protokollar 188/II dhe me thelb (shkurtim) “Mbi kolonizimin e Shqipnisë me emigrantë izraelitë nga Gjermanija”, organit epror të “Ministrisë Mbretnore të Punvet të Jashtme” në Tiranë, i raportohej: “Siç dihet, ka ma se nji mot qi Komiteti qendror i emigrantave izraelitë të Gjermanisë në Londër po përpjeket për instalimin e disa mijërave emigranta izraelitë të hikun nga Gjermanija në tokë të Shqipnisë”.
Vijon më tej informacioni i Konsullatës: “Duket se mbas vendimit të fundit të dhanun nga nga q everija nacjonalsocialiste në mbledhjen e saj të përgjithshme në Nyremberg në shtetuer të k.v. projekti i kolonizimit të Shqipnisë me elemanta izraelitë ka marrë tash nji formë konkrete, kurse ka dy muaj qi marrim nga qarqet e emigrantave izraelitë të Gjermanisë pyetje të ndryshme mbi posibilitetin e emigracjonit të tyne në Shqypni si tregtarë dhe industriarë, tue theksue kurdoherë se për kët qëllim qeverija gjermane i lejon të marrin me vehte nji pjesë të pasunisë së tyne”.
Vazhdon raportimi nga Vjena: “E pamë pra t’i referojm asaj të ndershme Ministrije mbi këtë pikë, dhe para se t’u apim t’interesuemvet nji gjegje definitive dëshrojm ta njoftim pikëpamjen e qeverisë s’onë”.
Në kësi rastesh rregulli më elementar i komunikimit të një ambasade, legate apo konsullate me Ministrinë e Punëve të Jashtme i detyron këta vartës që raportimi të mbyllet këtu. Janë drejtuesit e kësaj të fundit që kanë të drejtën të marrin një vendim. Organi vartës mund ta shprehë propozimin e vet se çfarë vendimi i duhet të përzgjedhë struktura eprore vetëm kur kjo e fundit kërkon që ata t’i përcjellin alternativat e tyre.
Por nga Tirana nuk është nisur ndonjë ofertë e tillë.
E megjithatë shefi i Konsullatës sonë në Vjenë e kapërcen këtë “vijë të kuqe” dhe nxiton të shpallë qëndrimin e tij.
Ja fjalët përkatëse: “Na jemi fare kundra invazjonit të Shqipnisë prej izraelitëve gjermanë, për arsye se Shqiptari tue mos pasë deri sot në vend të tij izralitë, asht prej natyre antisemitë, dhe nuk do që të vijë çifuti e të j’a marri prej gojës kafshatën e bukës. Asht e vërtetë se izraeliti sjellë me vehte pasuni dhe lekë, por pasunija e tij asht për dam të vendit, sepse historija na tregon se ay vend që hynë nën influencën çifute demoralizohet, dhe fiket me kohë. Nuk mund pra të bahet Shqipnija Palestina e dytë për parlamentin izraelitë”.
Për fat të mirë ky, i mësipërmi, është edhe raporti i vetëm mendjembrapsht për hebrenjtë, sepse në këtë shkrim bashkëngjitur po ju paraqitim një dokument tjetër të vetë Drejtorisë Politike të MPJ-së së kohës, e cila në emër të vetë ministrit të vet i kërkon Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare se çfarë duhet t’u kthejnë përgjigje izraelitëve që kanë bërë kërkesë pranë konsullatave shqiptare nëpër vende të ndryshme për t’u strehuar në Shqipëri.
Gjuha korekte e kësaj shkrese përcjell edhe një fakt interesant: për projektin e shndërrimit të vendit tonë në një bazë strehimi dhe ruajtjeje nga vala persekutuese kundër hebrenjve që kish filluar në Gjermaninë e Adolf Hitlerit pati shkruar edhe gazeta polake “Moment”.
Kadri Cakrani i shkruan xhaxhait: Të shpëtojmë sa më shpejt hebrenjtë e Beratit
Nëntë vite më pas nga shkresa e zellshme antisemite e drejtuesit të konsullatës tonë në Vjenë, janë dy ballistë të njohur nga familja Cakrani, të cilët bëjnë mes tyre një letërkëmbim të jashtëzakonshëm për të kundërtën e asaj që propozohej prej diplomatit X (ekspozimi i emrit të tij na duket pa vend).
Të dy, nip dhe xhaxha, janë në mbrojtje të përkushtuar, me gjithë forcën e shpirtit, të ebrenjve të ndodhur në qytetin e Beratit, ndërsa janë momente shumë të vështira dhe delikate. Koha për të vepruar tepër e shkurtër.
Që prej mbrëmjes së 8 shtatorit 1943, kur u bë publike nëpërmjet Radio Romës, kapitullimi i Italisë dhe me këtë ngjarje edhe falimenti i aleancës së saj me Gjermaninë, trupat ushtarake të kësaj të fundit nisën vënien nën kontroll të shpejtë të territorit të lënë papritur zbrazët. Ky boshllëk mund të nxiste nga ora në orë një zbarkim të beftë dhe masiv të anglo-amerikanëve, kështu edhe prerjen mes për mes, si me thikë, të forcave luftarake të Wermachtit.
Kadri Cakrani, i shumënjohur në dokumentacionin gjerman si “i tmershmi” kundër komunistëve, i dërgoi nga Berati, ku ishte me detyrën e Qark Komandantit, një letër-lutje xhaxhait të vet në Mallkastër, Bektashit.
Kjo ndodhi në 11 shtator 1943.
Bektashi i ktheu përgjigje pas dy ditësh, më 13.
Për kohën atëhershme ky ritëm veprimi qe i vetëtimtë.
I shkruante Kadriu, bir i firmëtarit të pavarësisë në Vlorë, Hajredinit, xhaxhait të vet, vëlla i këtij të fundit: “Bektash Cakranit, Cakran, Mallakastër (konfidenciale në dorë)
Xhaxha, po të shkruaj urgjent mes halleve të shumta që pllakosën tani me kapitullimin e italianëve, pasi ti e ke Mallakastrën në dorë. Duhet me urgjencë të transportojmë nga Berati tek ju një numër të madh njerëzish, që tani për tani nuk kemi as mjete për t’i prurë aty. Bëhet llaf për çifutët këtu tek ne që janë me qindra dhe halli është se po të merret vesh kush janë, kanë për t’i shkuar në plumb të tërë dhe Beratin vetë që aq është i gjithi”.
Më pas: “Nuk dihet se nga mund t’u vejë haberi dhe as besim nuk kam, kohë jo e jo se edhe t’i mësheh me dokumenta muhamedane nëpër familje këtu, s’dihet nga del fjala dhe mua më duhet të shkoj në plumb Beratin pastaj”.
Letra tronditëse vijon më tej: “Duhet domosdo të piqem dhe me Mit’hat Frashërin dhe ata në Tiranë të mos jepet asnjë informatë ku janë sa, si e qysh. Nuk duhet të bjenë në dorë të Armatës Gjermane që është duke ardhur asnjë çifut nga këta që kanë qënë dhe kanë ardhur në Berat, për arsye se dihet qëndrimi i gjermanëvet për t’a. Gjithashtu nuk duhet të konsiderohen shqiptarët dhe Berati si mëshehës të tyre, për arsye së do të mbizotërojë mbi popullatën më prapa një klimë terrori”.
Pastaj: “Po edhe për aty gjithë ai milet nuk e mbëshehim dot dhe kohë për t’i prurë po ka mbetur akoma. Tjatër rrezik që ti e di vetë është se po u muarr vesh Mallakastra mund të digjet. Dërgo njeri urgjent me korierin”.
Në 11 shtator Kadri Cakrani, siç vumë në dukje edhe më sipër, është vërtet në qytetin e Beratit, jo në rrethinat e tij. Atmosferën, shqetësimin e hebrenjve dhe të beratasve për t’i fshehur dhe mbrojtur ata, ndërsa po hyjnë gjermanët, shfarrosësit e pamëshirë të tyre. Ky tension është i qartë në letër, tërësisht i trasmentuar.
Sipas të dhënave që autori i këtij shkrimi ka mbledhur që në vitin 1973 dhe ruajtur në arkivin e tij personal, më 9 shtator tre batalione partizane, ai i Shpiragut, i Nahijes dhe i Kuçovës depërtuan nga lindja e qytetit dhe u futën në Uznovë, periferi e afërt të Beratit ku ndodhej kazerma e madhe e trupave ushtarake italiane. Nacionalçlirimtarët kërkojnë t’u dorëzohen armët, por prej komandantit italian morën përgjigje refuzuese. Atëherë këto tre njësi lëvizën më tutje dhe hynë në qytet. Këtu kapën pikat kyçe të tij.
Pasi tërë pasditen avionë gjermanë fluturuan mbi Berat me vetëm qëllim vëzhgimin çfarë po ndodhte aty, në buzë të mbrëmjes hyri në Berat edhe një grup i vogël ushtarësh të tyre, hipur në tricikla. Partizanët nuk kryen asnjë gjest kundërshtimi, madje ndodhi e anasjella, sidomos duke filluar nga e nesërmja.
Gjithsesi komanda gjermane dhe mjetet e saj të shumta luftarake qëndruan disa kilometra jashtë Beratit, në Urën Vajgurore dhe Kuçovë, ku ishin vendet strategjike të tyre: puset e naftës dhe aerodromi.
Të nesërmen, në 10 shtator, në Berat hynë ballistët. Edhe ndaj tyre partizanët nuk bënë asnjë kundërshtim. Secila palë zgjodhi vendkomandën e vet dhe qyteti i Beratit si edhe rrethinat e tij hynë në një periudhë të veçantë dypushteti.
Këtë ditë të 10 shtatorit në kazermat e Uznovës vijuan bisedimet e nacionalçlirimtarëve me drejtuesit e repartit ushtarak italian për çështjen e dorëzimit të armëve. Aty erdhën për të njëjtin qëllim edhe ballistët e gjermanët. Natën këta të fundit u vunë zjarrin fjetinave të kazermës, çfarë i detyroi shumë italianë të largoheshin drejt zonës malore të Bogovës, duke lënë një pjesë të armatimit.
Berati i 11 shtatorit 1943, kur Kadri Cakrani bëri xhaxhait të vet, bej, letrën e tij të ngutshme për të organizuar rrufeshëm një aksion për shpëtimin e ebrenjve, gdhiu në këtë gjendje pasigurie dhe konfuzioni total.
Nga gjermanët po shpëtojmë italianët e kapitulluar, gati për të mbrojtur edhe hebrenjtë
Përgjigja e Bektash Cakranit nipit të tij, e hartuar patjetër në mbrëmjen e 12 shtatorit apo edhe natën, kur duket sapo e ka marrë letrën, hapej me këto fjalë: \"Kadri Cakranit, Komanda e Qarkut Berat. Po të kthej përgjegje me njerinë t’im të besuar që u nis me korrierin t’uaj që në mëngjes.”
Pastaj: “Për këtë: Me gjithë që lutja jote më zuri ligsht dhe ky hall më gjeti befas, i dërgova Kujtimit haber për këtë. Mallakastrën e Butë e kemi në dorë vërtet, po Ai është nisur me fuqitë e çetave dhe 2 kumandantë për të njëjtën punë, po atë të italianëvet që kanë mbetur me mijëra pas kapitullimit. Duhet që t’i marrë pa rënë në dorë të gjermanëvet sa të mundë nga Divizionit Perugia që janë dhe aty në Berat dhe e fjalosëm që t’i strehojmë këtu në Cakran, në çifliqet e Gorishovës e të Vreshtazit se mund t’i vrasin”.
Shihni! Ndërsa Kadri Cakrani përpiqet me të gjitha mundësitë të shpëtojë nga dhuna gjermane hebrenjtë e Beratit, Bektashi paralelisht kryen aksionin e mbrojtjes prej hakmarrjes së nazistëve të ushtarakëve italianë të kapitulluar.
Bëhet fjalë, italianë dhe hebrenj, për të shpëtuar nga masakrimi të paktën tremijë njerëz.
Shkruan Bektashi në letërpërgjigjen e tij: “Për çifutët që t’i thua duhet të vijnë o me maqina, që udhës mund t’i zënë, o me kafshë, kush janë më në rrezik fshatërave, jo udhëve. Ky që po dërgoj i di mirë, se atë udhë bën”.
Vazhdon teksti i Bektashit i hartuar me një shkrim dore të qartë: “Këta duhen ruajtur mirë, ndaj e mendova gjatë që t’ë themi se janë muhaxhirë e u janë djegur fshatërat dhe t’i çojmë në çifliqet e Romësit, po dhe të Selishtës e Mortajasit, që t’ë kenë lundrën afër nga rreziku”.
Duke vazhduar mbështetjen e planit të nipit ushtarak, beu eksponent i Ballit Kombëtar në Mallakastër e përsos edhe më mirë, në çdo hollësi. Thotë në letërpërgjigje Bektashi: “Mirë do jetë që po proftase pa ardhur gjermanët xhadeve t’i çoje nga Lushnja nëpër çifliqet e Hajredin Beut, të Hasturkasit, të Petoshanjit e Korkutasit, se andej jo që janë njers të butë po s’i vete mëndja njeriut. Po nis njeri me haber për tët’vëllezër.
Tani nuk dijmë sa Italianë do bjerë Kujtimi, pa i çojmë ne për rrezik, se janë të 2 palët në besën t’onë dhe frikë mos i prishën punë njëri tjatrit, pa për të ngrëne e pirë nuk kemi qeder”.
Mjaft prekëse kjo besë e dhënë për mbrojtje, po ashtu zemërgjerësi për ushqimin e qindra e qindra frymëve njerëzore (“...pa për të ngrëne e pirë nuk kemi qeder”).
Vijon Bektash Cakrani: “Kjo dhe për një punë tjatër, që të mos vejë llafi në Mallakastër të egër. Se i biri i Shehut ka ikur Korçës po mjaft janë Klosajt t’anë që si komunistë si i mbanin sërbët e u thoshin italianëvet, mund t’u thonë dhe gjermanëvet. Nuk ka besë në këtë punë. Bëj si të mundesh”.
Koha do të vërtetonte se as Mehmet Shehu dhe as Klosajt nuk do t’i denonconin hebrenjtë, po ashtu as italianët, sepse edhe nacionalçlirimtarët qenë shqiptarë në mendësinë e tyre për ta mbrojtur mikun edhe çdo njeri tjetër në vështirësi ekzistence. E gabuara ishte se për një gjysmë shekulli të para nëntëdhjetës kjo cilësi e bukur morale e tërë popullit tonë iu mohua atyre që nuk qenë dakord me rrugën bolshevike të krijimit të shoqërisë dhe të shtetit të vendit tonë, çfarë koha dëshmoi se qe alternativë aspak e drejtë dhe e dobishme.
Shtator-tetor 1943: Cila qe me shumë bashkëpunuese me gjermanët, komanda lokale partizane apo ajo balliste?
Ky operacion i madh shpëtimi, i organizuar prej vetëm një familjeje (dhe po e kodojmë “Staravecka”), u pengua nga shumë rrethana që nuk vareshin prej dy protagonistëve kryesorë. Po të bëhej, do të hynte në histori si ndër më të mëdhenjtë jo vetëm në Shqipëri e Ballkan, por edhe më tej.
Gjithsesi ushtarakët italianë ato çaste të rrezikshme u mbrojtën edhe nga të tjerë, masivisht madje, duke u shndërruar kjo në një nga faqebardhësitë e historisë së shqiptarëve.
Po ashtu ndodhi edhe me hebrenjtë, posaçërisht me ata qindra që ndodheshin në Berat dhe në disa fshatra thellë periferisë së tij. Ka tre libra për këtë gjest të vyer të një qyteti të tërë e veçanërisht të dhjetra e dhjetra familjeve beratase që i strehuan dhe i fshehën (me autorë Simon Vrusho, Arshin Xhezo dhe Shaban Sinani).
Ndërkohë Kadri Cakrani, antikomunisti i cilësuar nga vetë gjermanët hitlerianë, “I tmerrshmi”, për shkak të qëndrimit shumë të dhunshëm që mbante ndaj komunistëve dhe përgjithësisht nacionalçlirimtarëve, pak nga pak, brenda atij fundviti e sidomos gjatë 1944-tës, u bë një ndër bashkëpunuesit më të afërt dhe më të palëkundur të pushtuesit.
Gjithsesi, duke qenë se historishkrimit shqiptar i takon detyra që krahas gabimeve dhe fajeve, të nxjerrë në pah edhe çdo gjë pozitive, po i referohemi, në mbyllje të këtij shkrimi, një fakti tjetër interesant për Kadri Cakranin. Burimi i këtij informacioni është studiuesi Marenglen Kasmi, historiani që ka në duar, të fotokopjuar, tërë arkivin e Shtabit të Përgjithshëm Gjerman të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë.
Sipas tij dhe dokumenteve që ka, divizioni 100 i këmbësorisë së lehtë gjermane e ngriti vendkomandën e tij në Fier në 17 shtator 1943, katër ditë pasi nga Mallakastra u nis përgjigja e Bektash Cakranit. Njeriu i parë që iu afrua pushtuesve të rinj për bashkëpunim të armatosur qe një farë Dr. Meçe, edhe më parë i tillë edhe me italianët. Ky premtoi pastrimin e prefekturës së Beratit nga komunistët. Dokumentet gjermane, siç i citon Marenglen Kasmi, thonë se pikërisht ky person “negocioi në Fier për lidhjen [tonë] me komandantin e çetës nacionaliste, Kadri Cakrani, i cili më vonë do të kishte një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër komunistëve”.
Takimi i gjermanëve me Cakranin u organizua më 20 shtator 1943, thekson Kasmi. Pas kësaj bisede “komandanti i divizionit 100 urdhëroi që Cakrani të furnizohej me armatime, municione dhe veshmbathje”.
Mirëpo në të njëjtën ditë të 20 shtator 1943, gjithnjë sipas dokumentacionit që zotëron historiani i mësipërm, komanda e divizionit 100 është takuar edhe me një nga komandantët partizanë kryesorë në Berat: Mestan Ujanikun. Nëntë ditë më pas ata do të kryenin të njëjtën gjë me Neshat Hysin, komandantin kryesor të nacionalçlirimtarëve në Berat.
Duhet thënë se në Berat gjersa u mbyllpn shtatori dhe pothuaj shumica e ditëve të tetorit 1943 më bashkëpunues me gjermanët qenë drejtuesit politikë dhe luftarakë të partizanëve se sa ballistët dhe krerët e tyre lokalë.
Ylli Polovina
Tiranë, më 5 prill 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|