|
OTTO WITTE, PALAÇUA GJERMAN QË U VETSHPALL PËR PESË DITË MBRET I SHQIPËRISË
Pjesa e parë
Shkrimi i njëzetë e tre i ciklit për Vitin e Skënderbeut
(Botuar në Illyria në 15 mars 2018)
Kur ndodhi kjo pretedenti më rrufjan dhe më i fortë për fronin e Shqipërisë, tashmë i kompromentuar prej manipulimit tepër të zellshëm të kaluarës së tij gjoja si pasardhës në gjak i Skënderbeut, Aleadro Kastrioti, qe ende gjallë, një vit larg nga vdekja e tij shkaktuar prej tronditjes se parësia shqiptare kishte rënë dakord që këtë post ta merrte princi gjerman Vilhelm Vid.
Por para se të ndodhte, vdekja e pak e pritur e njërit dhe zbarkimi i tjetrit në portin e Durrësit, nxitoi të shfaqet një gjerman tjetër për ta rrëmbente kurorën. Duke dëshmuar me bëmën e tij se ne jemi një gjysmështet kur kemi qeveri që administron të gjithë territorin e Shqipërisë dhe hiçshtet kur qeveria njihet nga vetëm një e katërta e saj, siç ndodhte në vitin 1913.
Pretenduesi dhe madje realizuesi i ri për vetëm pesë ditë, qe pjesë e natyrshme e këtij moti të mbrapshtë.
Ismail Qemal Vlora dhe bashkënismëtarët e tjerë të pavarësimit e patën ngritur flamurin në 28 nëntor 1912, kurse në fillim të dhjetorit në Londër qenë mbledhur në një Konferencë ambasadorët e fuqive të mëdha dhe pas bisedimesh shumë të vështira kishin njoftuar krijimin e shtetit shqiptar në formën dhe regjimin e një principate.
Fjalët për këtë vendim të Evropës, e cila nëpër vargje këngësh popullore shqiptare, por edhe në foklorin e disa etnive të tjera në Ballkan, quhej kurva plakë, u përhapën pak nga pak nëpër qytete e fshatra buzë rrugëve kyesore dhe më e besueshmja u bë fjalënaja se, duke respektuar shumicën myslimane të shqiptarëve, princi (apo mbreti) i ri do të qe një nip i sulltanit.
Jo të gjithë e ia dilnin ta fiksonin në kujtesë këtë emër: Halim Eddine.
As si fytyrë nuk e kishin parë ndonjëherë, madje pëshpëritej se nip me këtë emër sulltani nuk kish fare. Megjithatë ai u shfaq në portin e Durrësit, ndërsa zbarkoi nga një anije i vënë solemnisht në mes prej një suite të madhe shoqëruesish.
Kishte hipur mbi një kal të bardhë dhe gjoksin e pati të mbuluar tej për tej me dekorata.
Luante bukur, thonë kronikat e pakta të kohës, përshendeste me kokë, lëvizte tërë harmoni dhe delikatesë duart, shqiptonte ndonjë fjalë të tingëllueshme në të folmen turke, por edhe gjermane, sepse, pa ia ngrënë hakun, qe një njohës i pazakonshëm gjuhësh të huaja.
Durrsakët, por edhe disa të mbërritur në skelë nga rrethinat e tërë fushës përreth, nga Kruja deri në Lezhë, ndonjë ardhur edhe nga Elbasani, nuk mund ta kuptonin dot nëse ky person qe vërtet ai që pritej dhe që për ardhjen e tij u kishte dërguar dy telegrame njëri pas tjetrit.
Ata gjithsesi e pritën pa dyshuar se qe po jo i vërteti Halim Eddine. As që mund ta përfytyronin se ishte një individ me profesion palaçon.
Ishte me të vërtetë një klloun cirku, gjerman me etni dhe shtetësi, ngarkuar mbi shpinë me një jetë tepër të ngatërruar hileqari.
Këtë histori bufoni, të cilën për dekada e dekada të tëra ia kemi mbajtur fshehur njëri-tjetrit sepse na është dukur fyese si na e ka hedhur Otto Witte, pra kjo ngjarje e habitshme dhe përtej çdo fantazie, është bërë e ditur vetëm pak vite më parë. Kështu lexuesi shqiptar diçka di, ca më tepër që një libër autobiografik i këtij kllouni tashmë është përkthyer edhe në gjuhën tonë.
Prandaj do të përpiqemi tua rrëfejmë, në dy pjesë, nën një kënd të ri si edhe me informacion të papërdorur deri tani.
Kam pasur rast, por edhe fat, që më tepër se një dekadë më parë të gjej në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme një raport informativ të ardhur në Tiranë prej konsullatës tonë në Vjenë. Ajo daton 19 janar 1933 dhe për një shkujdesje apo hamendje se nuk do të më duhej ndonjëherë, nuk e fotografova dokumentin, por përmbajtjen e tij e shënova në fletët e një blloku pune.
Për lexuesin në shoqërim të këtij shkrimi po e bashkëngjis kështu siç është dhe me këtë rast po rrëfej çfarë teksti kishte ai raport.
Konsullata jonë e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se në ditën e 19 janarit 1933 gazeta austriake Neue Freie Presse pati botuar shkrimin me titull Një mbret fals i Shqipërisë. Aventurat e një artisti gjerman.
Në një kënd pranë tij kjo e përditshme e njohur bënte të ditur një lajm, të cilin e titullonte Berlin, nesër do të merret Gjyqi i Paqit.
Brendësia e shkrimit, sipas përkthimit zyrtar që i ka bërë konsullata jonë në Vjenë, thotë: Berlin, me një aventurier interesant. Si i paditur figuron artisti Witte, i cili pas një jete plot aventura në vitin 1913 e quajti veten mbret i Shqipërisë dmth bash në atë kohë që ishte proklamuar indipendenca e Shqipërisë dhe që do tu emnonte një princ turk si mbret. Rolin e këtij princi e luajti Witte me një uniformë fantastike.
Me telegrame false e paralajmëroi ardhjen e tij në Durrës dhe në prani të ushtrisë alarmuese u proklamua në 15 shkurt mbret i Shqipërisë. Kjo komedi vazhdoi vetëm pesë ditë , mbasi disa oficera e zbuluan këtë aventurier.
Wite i arrestoi oficerat si rebela, por pasi nuk e ndjeu veten të sigurt hiku tej kufirit veshur me rroba fshatarësh.
Mbas disa aventurash të tjera u kthye në Gjermani dhe shkroi memuarët e tij. Librin e shtypi në Hamburg, por nuk pati kurrfarë suksesi.
Witte kërkon tash një shpërblim dëmi nga editori i Hamburgut dhe për këtë arsye e ka paditur në gjyq.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|