Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

TE MERRESH APO TË MOS MERRESH ME ALADRO KASTRIOTIN?


Shkrimi i njëzetë i ciklit për Vitin e Skënderbeut

(Botuar në “Illyria” në shkurt 2018)

Për hir të së vërtetës jemi të shtrënguar të përsëritim se historinë tonë, në themelet e shtetit tonë të pavaruar, flamuri që u ngrit për vetëshpallje të mëvetësisë ishte i Don AleadRo Kastriotit, një spanjolli pa asnjë lidhje të provuar dhe dokumentuar, të natyrshme apo të paktën të logjikshme, me trashëgiminë gjenealogjike të Skënderbeut. Kjo, e rithemi sërish, nuk na turpëron dhe nuk na njollos. Ajo është një veçanti apo thjesht pasojë teknike mosorganizimi i pasdites së 28 nëntorit 1912, sepse që atë mbrëmje dhe natë u bënë çudira mobilizimi që të nesërmen Vlora të gdhihej me disa flamurë të krijuar e të qendisur, kurse në ditët e mëpastajme shenja kombëtare me cohën e kuqe dhe në mes shqiponjën e zezë dy krerëshe, u shumua në mënyrë të mahnitshme.
Që prej atij çasti e deri sot, siç e dini, një nga karakteristikat tona si shqiptarë është sasia e madhe e flamujve që kemi e përdorim, që i valvitim nëpër festa nacionale apo lokale, dasma e deri në ndërtim të shtëpive. Sot, në fillim të viteve dymijë, ne kemi problem tepërinë e flamujve dhe jo mungesën e tyre.
Në këtë kuptim flamuri i dhuruar Eqerem bej Vlorës nga Aladro Kastrioti, duke qenë “pionieri”, është shumë i bukur dhe dashur, i respektueshëm dhe me të gjitha të drejtat për t’u përmenduar sa herë kemi 28 Nëntor apo shkruajmë kronikën a historinë e kësaj dite.
Ajo që duhet të bëjmë korektësisht në librat e historisë nëpër shkolla apo auditore universitare, është të rrëfejmë saktë dhe pa rrufjanizmin për ta fshehur, cili qe pasardhësi i rremë i Skënderbeut dhe cilat motive e shtynë të bënte shpenzime të mëdha, të jepte ndihmë për çështjen shqiptare, që të mund të bëhej mbreti ynë, themeluesi i Shqipërisë, pra “Ismail Qemali” ynë.
Në shkrimin e herës së kaluar, pikërisht duke ndjekur këtë udhë, botuam pjesën e parë të letrës që njohësi i shkëlqyer i Faik Konicës dhe më i miri i Aladro Kastriotit, sigurisht edhe i marrëdhënieve mes të dyve, Fotaq Andrea, i dërgoi autorit të këtij cikli shkrimesh, me kërkesë të tij. Prandaj edhe po i rikthehemi vijimit të saj.
Shkruan Andrea: “Këtë qëllim e demaskoi hapur Faiku pasi Aladro mashtroi publikisht në shtyp duke shpallur me bujë se ai ishte Heroi i Shqipërisë dhe i revistës “Albania”, që nga viti 1878 e sidomos në kapërcyell të shekujve XIX-XX.
Gjestet simbolike e \"patriotike\" që bëri Aladro pro lëvizjes shqiptare patriotike ishin kaq insignifikante, sa shumë shqiptarë u revoltuan keq kundër tij kur ai hyri në konflikt të hapur dhe me proces gjyqësor më 1906 me Nikolin Ivanajn dhe....... tek humbi gjyqin, Aladro humbi edhe çdo \"prestigj\" minimalesk që kishte tek shqiptarët”.
Vazhdon më tej studiuesi Fotaq Andrea: “Sigurisht nuk mungojnë dokumente e qëndrime pro Aladros nga figura servile shqiptare të kohës, që donin t\'i krehnin bishtin për të përfituar prej tij dhe i pari ishte ish sekretari i “Albania” së Faikut, Vaskë Babatasi, që Konica e godet fort.
Konica u tregua si përherë fillimisht pragmatik me personin e Aladros, i rropi ca para për “Albania” në periudhën 1902-1904, dhe më pas e goditi egër, duke e diskredituar në publikun shqiptar e të huaj; më fort e goditi edhe më 1906 kur Konica mbrojti fuqimisht Nikolin Ivanajn, dhe me 1909, para se të ikte përfundimisht në Amerikë, Konica iu \"afrua\" Aladros, për t\'i \"shitur\" dy romanet e tij, “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka”, duke ia lënë kështu \"dobiçin në derë\", për t\'i rënë kokës me anë letrash që u dërgonte bashkatdhetarëve.
Aladro, theksonte Konica, i ka borxhe të mëdha lëvizjes patriotike shqiptare, sepse ka ndërtuar artificialisht në kurriz të saj një famë si gjak kastriotas që nuk i takon\", prandaj ai qen - termi i Konicës - duhet të paguaj dhe të paguajë shtrenjtë bile që mori artificialisht nga fama e Skënderbeut të madh”.
Më tej Fotaq Andrea na thekson: “Me siguri Konica, të cilit s\'ia hante qeni shkopin, \"kopil\" sipas shprehjes popullore, dinte ku ta afronte e ku ta largonte atë gjoja princi të rremë gaba \"të cilin Konica e quante pa rezerva një copë \"gomari\", që nuk njeh asgjë nga Shqipëria, shqiptarët, pale nga lëvizja patriotike”.
Studiuesi Andrea në këto çaste të letrës së tij spikat: “Aladro është thjesht mashtrues, mashtruesi i katërt dhe i fundit si princ i rremë kastriotas, kur edhe Aleksandër Dyma ishte mashtruar nga një tjetër princ i rremë kastriotas në kohën e tij..... që u rras në burg.
Një këshillë, i dashur Ylli, nga ana ime: nuk ia vlen të merresh me Aladron - apo Ladron, siç e quante Apolineri i madh, sepse nuk ka asgjë pozitive, asgjë patriotike, dhe ai vdiq nga zemra apo damllaja pikërisht atë ditë kur u emërua në Shqipëri princ Vidi, verdiktin e të cilit e kishte dhënë ndër të tjerë edhe vetë Faiku.
Konica, pra, dinte që në fillim me kë kish të bënte, dhe ca para që ia mori \"me të hedhur\", ishin në përfitim të “Albania” etj.
Çështja e parasë zë një kapitull të tërë në studimin tim për Aladro-Faikun. Sigurisht unë kam bindjen time për aq sa kam studiuar, por në bibliotekën kombëtare franceze unë pashë stemën (Ex libris) dhe diplomën artificiale të Aladro Kastriotit dhe u çudita nga luksi i madh i tepruar në përpilimin e tyre, nga emfaza që i shoqëronte, kur ai Aladro kishte ndërtuar me marifet e artificialisht me anë të parasë një lavdi të tërë të rremë për personin e tij dhe për konteshën milionere që kishte pasur nja 6 kombësi e burra para tij dhe me të cilën ai u martua në fund.
Po boll se të mërzita,
Përqafime
22 tetor 2017”.
Sigurisht, duke qenë se edhe vetë miku im Fotaq Andrea merret me Aladron shumë hollësisht, madje edhe me një studim, pjesë dhe ide të të cilit, mjaft interesante, do t’i parashtrojmë për lexuesin në shkrimin e ardhshëm, edhe autori i këtyre rradhëve ka të drejtë të mos rrijë mënjanë.
Sepse historia është histori dhe atë e bëjnë njerëz të mbarë dhe të mbrapshtë. E do apo nuk e do, burrë i mirë apo i keq, demokrat apo fashisto-komunist, hajdut ose i ndershëm, vendin në histori nuk ja cakton ti. E ka marrë vetë.
Në vijim të kësaj të drejte universale dhe të pakushtëzuar nga vullnete individësh që merren me historishkrim, bëmën e Aladro Kastriotit (ca më tepër për rolin e tij me flamurin që u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912), më parë si edhe aktualisht merren shumë historianë.
Madje edhe vetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Në “Fjalorin Enciklopedik” tre vëllimësh të saj, të publikuar në 2008, ajo ka vendosur një zë për të. E shoqëron jo me pak fjalë. Autor është një historian shumë i nderuar, i cili tashmë nuk jeton por ka lënë pas vepër: Kristaq Prifti.
Që në fillim Enciklopedia shkruan se ai Aladro Kastrioti qe njëri prej pretendentëve për fronin e Shqipërisë në fillim të shekullit njëzetë. Pasi përshkruhet jeta e tij, spikatet që “falë pasurisë së tij të madhe ai bleu titullin e princit”. Ideja për të bërë princin e Shqipërisë, sipas autorëve të “Fjalorit Enciklopedik” të Akademisë së Shkencave, i pati lindur kur ishte me detyrë diplomatike në Rumani dhe u njoh nga afër me veprimtarinë e kolonisë së të mërguarve shqiptarë në Bukuresht.
Gjithnjë sipas këtij Fjalori “më 1899 A.K. shpalli thirrjen e parë drejtuar Shqiptarëve”, ku parashtroi idetë e tij por edhe prejardhjen. Më pas janë vendosur çmimi “Skënderbeu” dhe tërë gjestet e tij, si arriti fillimisht të bënte për vete edhe arbëreshët e Italisë. Por, pak nga pak, shënon autori i zërit, i paharuari Kristaq Prifti, e kuptuan se cili ishte dhe filluan të tërhiqen. I pari iu kundërvu Faik Konica, vëren ai, si edhe të tjerë, mes tyre që e quajtën aventurier ishte edhe Ismail Qemali vetë.
Kjo e fundit ka ndodhur para vitit 1912, pra para se ai të merrte e të ngrinte flamurin e Aladros, sepse qe në rrethanat kur nuk kishte tjetër. Kështu më pas qe i shtrënguar të mos thoshte asnjë fjalë për këtë hollësi, “patate përvëluese”.
Kristaq Prifti, i cili harton zërin, thotë në fund të tekstit të tij, duke e paraqitur këtë si konkluzion përfundimtar, se “Propaganda e A.K. nuk pati jehonë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”.
Ndërkaq vëmë në dukje se edhe gjatë regjimit realkomunist kishte heshturazi, gjysmëfshehurazi, një lloj interesimi për të. Përherë për qëllime studimore, jo për ta rehabilituar. Në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në mateialet e vitit 1973, autori i këtij cikli shkrimesh për Vitin e Skënderbeut, ka gjetur një tekst libror të fotografuar dhe dërguar eprorëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë prej ambasadës shqiptare në Romë.
Çfarë thotë ajo lëndë?

Ylli Polovina

Tiranë, më 20 shkurt 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com