Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

1982, QEVERIA E TIRANËS KËRKON NË FRANCË NDALIMIN E NJË PORTRETI NË PIKTURË TË SKËNDERBEUT



Arsyeja: i qe dhuruar Bashkisë së Parisit nga disa antikomunistë

(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 12 shkurt 2018)

Në “Gazeta Shqiptare” e datës 5 shkurt 2018 publikuam pjesën e parë të historisë së emërtimit të një sheshi në Paris me emrin e Skënderbeut dhe se si rreth kësaj ngjarjeje u vu re mospajtim i thellë mes qeverisë komuniste të Tiranës dhe diasporës anti dhe jokomuniste të emigruar jo vetëm në Francë, por edhe në mjaft vende të tjera të Perëndimit. Në një farë mënyre do të ndodhte njëra prej betejave patriotike dhe politike më të mëdha të historisë tonë të shekullit të shkuar.
Për ta plotësuar sadopak këtë tablo tepër të veçantë, në dinamikën e të cilës kulmimi i parë qe në 1978, moment kur në 10 korrik u dha nga Këshilli Bashkiak i Parisit leja për ta emërtuar këtë shesh me “Skënderbej” dhe se, nën trysninë shtetërore të Ambasadës Shqiptare, u pengua përurimi i tij në 28 nëntor të atij viti, po vijojmë pjesën e dytë.
Kjo ka hop motin 1982.
Patën rrjedhur katërmbëdhjetë vite të këtij ballafaqimi, i cili prej çastit të tanishëm, viteve dymijë, mund të konsiderohet një epope e vërtetë. E ka domosdoshmërisht këtë cilësi, sepse ishte një ngjarje e nisur në 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe se, siç ndodh me vullkanet e fuqishme, ka lënë më pas, deri në ditët e sotme, llavë ende të paftohur mirë.

Portreti i Skënderbeut në zyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Parisit

Në 22 mars 1982 diplomati i lartë dhe mjaft i kualifikuar i Ambasadës Shqiptare në Paris, Th.H., i raportoi eprorëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se kishte takuar në Bashkinë e kryeqytetit francez këshilltarin për problemet e kulturës, Patrik de Sajevski. Para pak kohësh ky pati qenë edhe nëndrejtor i Institutit të Lartë të Konstruksioneve Mekanike dhe të Materialeve. Ato çaste kur zhvilluan bisedën Patrik qe shkëputur prej kësaj detyre për ta pasur më të lehtë të zhvillonte veprimtari politike. Sipas diplomatit të rëndësishëm shqiptar në Paris, bashkëbixeduesi ishte golist, me pak fjalë bënte pjesë në partinë Bashkimi për Republikën, të cilës i takonte edhe Zhak Shiraku, kryebashkiaku ato çaste i kryeqytetit francez, i cili pati mundësuar realizimin e propozimit të mërgatës shqiptare antikomuniste për emërtimin e sheshit “Skënderbej”.
Sipas raportimit të Th.H., “Mbasi tregoi gatishmërinë e tij në drejtim të mundësive të organizimit të aktiviteteve mbi vendin tonë nga ana e qytetit të Parisit si p.sh. një ekspozite të madhe mbi kulturën shqiptare në Petit Palais në vitin 1984 me rastin e 40-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, të ekspozitave të ndryshme mbi artin dhe traditat e popullit tonë, mbi artin bashkëkohor (pikturë dhe skulpturë), ekspozita fotografike mbi qytetet e Beratit dhe të Gjirokastrës, ekspozita mbi etnografinë shqiptare, etj, më tha se në zyrën e Zv. Kryetarit të Bashkisë së Parisit, Pier Bas, ndodhet një pikturë e bukur e Skënderbeut”.
Vijon raportimi: “Me insistimin tim u futëm dhe pamë këtë pikturë. Ishte e vitit 1979 dhe e punuar nga një shqiptar me emrin Shuttié. Në të shkruhej “Dhuratë nga komuniteti shqiptar i qytetit të Parisit”.
Menjëherë në tej: “Sekretarja e Pier Bas na shpjegoi se këtë pikturë e kanë sjellë shqiptarët që banojnë në Paris, me rastin e inagurimit të sheshit Skënderbe. Së shpejti piktura do të vendoset në një nga muzetë e Parisit - tha ajo”.
Ja edhe reagimi i diplomatit të lartë shqiptar, doemos në përputhje me direktivën që u pati dhënë me kohë Tirana: “Unë u thashë se nga sa kam dijeni ne nuk kemi qenë dakord që ju të pranoni propozimin e tyre për të emërtuar atë shesh me emrin e Skënderbeut, mbasi këtu në Francë ka një përfaqësi zyrtare që shpreh dëshirat dhe aspiratat e popullit shqiptar. Ata nuk janë veçse tradhëtarët e vendit tonë, shërbëtorët e mbretit Zog, të cilët muarën aratinë me çlirimin e Shqipërisë”.
Në mbyllje të informacionit të tij Th.H. shkruan: “Sajevski më tha se janë bërë shumë debate në këshillin e Bashkisë përpara se të vendosej që t’i jepej emri Skënderbe këtij sheshi. Kjo zvarritje u bë për vite me rradhë. Nuk është bërë asnjë ceremoni me rastin e emërtimit të këtij sheshi, tha ai.
Sidoqoftë – u thashë unë – ne jemi të pakënaqur nga veprimi juaj për këtë çështje”.

Rindizet çështja e nxehtë e përurimit të sheshit “Skënderbej”, penguar deri ato çaste nga Tirana zyrtare

Kështu në pranverë 1982 u përflak çështja që u duk sadopak e fashitur katër vite më parë. Këtë herë qeveria e Tiranës ishte edhe më e zemëruar. Përveç se nuk donte të ekzistonte në Paris, Francë apo në tërë faqen e dheut me emrin e Skënderbeut, si të propozuar prej mospajtuesve të saj ideologjikë, të mos kishte asnjë shesh apo rrugë, duhej të censurohej edhe një portret i thjeshtë i dhuruar prej të mësipërmëve. Edhe pse e pati krijuar një franko-shqiptar.
Por periudha nga 28 nëntori 1978, kur ia dolën ta pengonin përurimin e sheshit, deri në fundmars 1982 mes Bashkisë së Parisit (dhe Ministrisë së Jashtme Franceze), Ambasadës Shqiptare (dhe qeverisë së Tiranës), nuk patën rrjedhur ujra të qeta.
Kur kjo, e drejtë e miratuar që në 10 korrik, as pas mbi pesë muajsh nuk u realizua dot, në 22 dhjetor 1978 përjetoi një zhvillim tjetër. Këtë ditë prej Tiranës u nis një radiogram i shifruar. Njerëzit e tyre në Paris duhej të hidheshin në sulm. Kabllogrami e udhëzonte Ambasadën që të merrnin kontakt me Bashkinë e Parisit dhe t’i propozonin emërtimin e një sheshi tjetër me emrin “Skënderbej”. Ambasada e bëri këtë kërkesë menjëherë, veç Bashkia nuk dha asnjë përgjigje jo vetëm brënda dhjetorit 1978, por gjatë tërë vitit 1979.
Mbase ngjarjet nën këtë pezullim të gjatë, gjithsesi të tensionuar, do të vijonin edhe ca kohë kështu, kur papritur gjithçka u trazua edhe më shumë. Në 20 prill 1980 Ambasada Shqiptare me radiogramin e saj Nr. 1032 njoftoi Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se “grupi i të arratisurve që kishte marrë nismën për t’i dhënë emrin një sheshi të Parisit “Skënderbeg” dhe se këtë gjë ata “e njoftonin me anë të një trakti”. Po ashtu radiogrami bënte të ditur se “ceremonia e emërtimit të sheshit do të bëhej në 6 maj 1980, duke u zbuluar pllaka përkujtimore” dhe se “cermonia do të drejtohej nga gjenerali francez në pension Robert Kasò si përfaqësues i Bashkisë së Parisit”.
Dymbëdhjetë ditë më pas, në 2 maj 1980, nëpërmjet radiogramit Nr. 1534, MPJ e Shqipërisë i dha udhëzime Ambasadës në Paris që të merrte kontakt urgjent me MPJ e Francës dhe të ndërhynte për të realizuar sëdyti anullimin e kësaj ceremonie.
Ambasada reagoi me një përgjigje tre ditë më vonë, në 5 maj. Radiogrami i saj me numër 1072 e njoftoi qendrën se kishin marrë takim me zv.drejtorin për Evropën në MPJ, Zhan Pjer Maset, të cilit ia patën spjeguar edhe njëherë të gjithë historinë e kësaj çështjeje dhe i kërkuan që të ndërhynte tek eprorët e vet për anullimin e kësaj ceremonie. Sipas Ambasadës, Zhan Pjer Maset kishte thënë se qe dakord me tezën shqiptare dhe pati pranuar se do të ndërhynte. Ndërkohë kishte nënvizuar se “nuk mund të thoshte asgjë përfundimtare, mbasi ishte Bashkia ajo që do të vendoste definitivisht”.
Ndërkohë pas këtij takimi, brënda po asaj dite të 5 majit 1980, Bashkia e Parisit i dërgoi ambasadorit me korrier të shpejtë një ftesë për të marrë pjesë në ceremoninë e emërtimit e sheshit me emrin “Skënderbeg”, i cili do të përurohej të nesërmen.
Ambasada menjëherë mori në telefon Maset në MPJ, të cilin e njoftoi çfarë sapo i kishte ndodhur dhe i kërkoi të ndërhynte për anullimin e kësaj ceremonie. Maset mori përsipër të ndërhynte dhe më vonë njoftoi se përfaqësuesi i kryetarit të Bashkisë së Parisit Zhak Shirak qe ngarkuar prej tij për të marrë kontak me Ambasadën për ta biseduar këtë çështje. Të njëjtën gjë, brënda kësaj dite të nxehtë të 5 majit 1980, e njoftoi me telefon edhe shefi i shërbimit diplomatik të Bashkisë. Ky madje kërkoi edhe ndjesë pse për këtë çështje nuk ishte këshilluar më përpara me Ambasadën Shqiptare.
Në 6 maj u bë përurimi i sheshit me emrin e Skënderbeut. Sipas Konsullit të Përgjithshëm në këtë vend, Idajet Hoxha, atë ditë ai u nis për në vendngjarjen problematike. Duke qenë se ishte edhe zbulues dhe në rregullat e rrepta të punës në misione të tilla duhej të ishin dy vetë, i kërkoi ndihmë pranie një truproje të një anëtari të Byrosë Politike, i cili ato ditë kishte ardhur në Paris për një mjekim.
Që të dy e ndoqën përurimin e sheshit “Skënderbej” prej diasporës anti dhe jo komuniste prej një distance dyqindmetërshe. Ishin vendosur në katin e dytë të një kafeje dhe prej dritareve të xhamta të saj panë grumbullimin e njerëzve, fjalimet që u mbajtën dhe më pas shpërndarjen. Edhe gjatë një bisede të dytë me Idajet Hoxhën, bërë pak ditë më parë, ai ngul këmbë se çdo gjë u zhvillua qetësisht dhe se pjesëmarrësit ishin të paktë. Nuk e pranoi as shifrën dyqind. “Nga lart, siç i pamë ne, na tha ai, dalloheshin qartë hapësirat e mëdha bosh mes njerëzve”.

Sipas Kristo Zharkallit, një pjesëmarrësi në përurimin e “Place Scanderbeg”

Abdurahim Ashiku në fund të janarit të këtij viti botoi kujtimin e një pjesëmarrësi në këtë ceremoni. Ai quhet Kristo Zharkalli, prej shumë dekadash shqiptar i mërguar në Greqi. Dëshmia e tij është një ndër më të plotat e të sinqertat, tërësisht pa ngarkesë politike. Kristo, siç pohon vetë, nuk kishte marrë pjesë fare as në fushatën dymbëdhjetëvjeçare për këtë shesh.
“Isha në dijeni nga revista “Koha Jonë” të dibranit Isa Ndreu, rrëfen ai, që më vinte me daljen në dritë të çdo numri, nga shkrime dhe letra të ndryshme se po bëheshin përpjekje të përurohej një shesh në Paris me emrin “Sheshi Skënderbeg” me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar...”
Pak më tej: “Merreni me mend habinë dhe gëzimin tim kur mora një ftesë për të marrë pjesë në përurimin solemn dhe festim të këtij sheshi. Veçse për mua ftesa të tilla merrja përditë nga të gjitha anët e botës, për mbledhje, kongrese, festa etj. nuk kishte asnjë peshë, kurrë nuk munda të udhëtoj dhe kjo për arsye të thjeshtë ekonomike.
Duket se Isa Ndreu e kishte parasysh këtë “dobësi”. Bashkë me ftesën më dërgonte një letër ku më thoshte: “Bashkangjitur ju dërgoj edhe një çek për shpenzimet tuaja të para, sidomos për biletat e aeroplanit e për do shpenzime të duhuna për udhëtimin në Francë. Atje do të kini të siguruara të gjitha shpenzimet prej meje dhe e quaj nder që të të kemi mes nesh. Miku yt, Isai”.
Më thoshte gjithashtu se ceremonia solemne do të bëhej më 6 maj 1980 dhe se aty do të përfaqësohej i tërë emigracioni shqiptar në botë. Kishin ardhur përfaqësues të të gjitha partive, ngjyrave si dhe përfaqësues të klerit shqiptar.
Arbëreshët kishin ardhur me një përfaqësi shumë të madhe.
Unë isha i panjohuri nga të gjithë dhe në aeroport më priste Leci duke ditur orën që do të arrija në Orli. Besoj se për të parën herë në histori zbritën në atë aeroport kaq përfaqësi shqiptare. Atje dëgjoje emra bombastikë të së kaluarës që tashmë ishin shndërruar në skelete dhe pleq. Por shikoje edhe të rejat arbëreshe që përbënin korin kishtar dhe kombëtar, si dhe disa klerikë, si nga arbëreshët ashtu edhe nga mbeturinat e emigracionit. Më bëri përshtypje që shumica njiheshin ndërmjet tyre”.
Kristo Zharkalliu vazhdon: “Fjalën solemne e mbajti inxhinieri Vasil Gërmenji duke pas pranë gjithnjë Isa Ndreun. Domosdo pranë tyre gjendej edhe Leci e shumë të tjerë, sidomos gjatë meshës në kishën madhështore Notre Dame. Vura re se shumica, sidomos të moshuarve të njohur mes tyre, përqafoheshin e putheshin duke u krenuar me të drejtë se po arrinin që në zemër të Kryeqytetit Francez një shesh do të mbante emrin e Heroit Kombëtar Shqiptar.
Në mes të atyre njerëzve dhe të asaj atmosfere festive, unë e ndjeja veten tepër të vetmuar dhe, pse jo, të trishtuar. Të gjithë e dinim se përfaqësonim një të kaluar të perënduar dhe atëherë shpresat tona ishin krejt të paqena se dikur do të mundeshim të ktheheshim në Atdhe. Nga ana tjetër kushdo nga ne përfaqësonte një tragjedi, cilido prej nesh kishte lënë prapa njerëz të dashur dhe varre të hapura nga dora vëllavrasëse.
Ndërkohë nuk kisha mundur t’i afrohesha Isa Ndreut i cili ishte gjithnjë i rrethuar nga “burra me rëndësi”, (kur ka torba fiq), vetëm kisha mundur ta përshëndes duke i dhënë dorën ndërsa Leci i thoshte se kush isha. Ai kishte mundur të murmurisë “gëzohem shumë”, sepse dikush tjetër, një burrë i moshuar e tërhiqte tutje që t’i tregonte diçka.
Ishte burrë i pashëm atëherë Isai dhe megjithëse ishte 61 vjeç, akoma nuk ishte thinjur.
Vetëm kur mbaroi ceremonia dhe njerëzit filluan të ndahen me përqafime e premtime, Leci m’u afrua dhe më tha se më kërkonte Isai.
Ai më përqafoi me ngrohtësi duke thënë: “Kisha shumë kureshtje me të njoftë! Të lumtë që more mundimin me ardhë. E shikoni, këtu ishte i ftuar edhe ambasadori i Tiranës, por ai nuk e bani kabull me nderu Skënderbeun e me bisedu me emigrantët! Me thanë të vërtetën mirë bani se kishte rrezik me u kriju ndonjë gjendje e pakandëshme...”

E njëjta ngjarje sipas qeverisë së Tiranës

Me radiogramin 1087, datë 8 maj 1980, Ambasada Shqiptare njoftonte Tiranën se “në 6 maj qenë grumbulluar në sheshin që do të emërtohej me emrin “Skënderbeg” rreth 500 shqiptarë të ardhur nga Belgjika, SHBA, RFGJ, Italia, Anglia dhe Franca dhe pjesa më e madhe e tyre ishin të arratisur. Midis tyre kishte pasur edhe një grup arbëreshësh me në krye dy priftërinj. Të gjithë këta kishin shkuar në orën 9.00 në “Notra Dame”, ku kishin bërë një ceremoni të shkurtër pa pjesëmarrjen e autoriteteve zyrtare franceze. Këtyre u kishte folur një anëtar i komisionit nismëtar, i cili i njoftoi se me vendim të organeve qeveritare franceze nuk do të bëhet ceremonia e parashikuar nga Bashkia e Parisit, sepse kjo është një çështje diplomatike që ka të bëjë me marrëdhëniet midis qeverisë së Tiranës dhe qeverisë franceze dhe në këto kushte, ka shtuar ai, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet e vendit”.
Brënda të njëjtës datë, 8 maj 1980, një radiogram i dytë i shifruar, i koduar me numrin 1095, e njoftoi MPJ në Tiranë se në Ambasadë u kishte vajtur këshilltari dilomatik i Bashkisë së Parisit, i cili “pati shprehur në emër të Shirakut keqardhjen për ngjarjen e papëlqyer lidhur me emërtimin e sheshit me emrin “Skenderbeg”. Ai kishte kërkuar që ambasadori të merrte pjesë në ceremoninë në fjalë dhe t’i përgjigjej fjalimit të gjeneralit në pension Kasò. Në radiogram thuhet se “Përgjigja e shokëve të Ambasadës për këtë çështje ishte e prerë, se ne jemi kundër kësaj dhe se jemi për emërtimin e një sheshi tjetër me emrin “Skënderbeg”, shesh i cili të gjindet nga Bashkia. Këshilltari tha se për sa më sipër do të njoftonte Shirakun dhe përfundimin Ambasadës”.
Pas kësaj ngjarjeje MPJ i dha udhëzime Ambasadës që “ambasadori të kërkonte takim me Shirakun”. Kjo kërkesë u përsërit mbi 5-6 herë, shënohet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por takimi nuk u dha asnjëherë, duke u justifikuar se është tepër i zënë me punë, se është me pushime, e justifikime të këtij lloji”.
Në një informacion për tërë këtë histori katërmbëdhjetë vjeçare që Ministri i Jashtëm Reiz Malile në 16 nëntor 1982 i dërgonte Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së, thuhet se “Në qershor të vitit 1981 ambasada konstatoi se ishte vënë pllakata me emrin e Skënderbeut në sheshin e caktuar që në fillim, por pa ceremoni zyrtare. Sheshi është një vend i humbur dhe fare i papërshtatshëm për emrin e heroit tonë kombëtar”.
Në Tiranë filloi trysnia diplomatike ndaj ambasadorit francez për ta fajësuar vendin e tij për lejimin e njëanshëm të dhënies së një sheshi në Paris me emrin e Gjergj Kastriotit dhe se ambasadori Dhimitër Lamani dhe ndihmësi i tij i parë Kujtim Hyseni duhej të merrnin një takim në Bashkinë e Parisit dhe të takoheshin me zv. Kryetarin e saj. “Këtij t’i thuhej pikë për pikë: “Nuk na vjen hiç mirë që Bashkia mban lidhje me grupe të tilla elementësh, të cilët kanë tradhëtuar popullin shqiptar dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me të. Veç kësaj ekspozojmë edhe pseudopiktura të prodhuara prej tyre në sallat e saj kur dihet fare mirë se ata përfaqësojnë llumin dhe reaksionin më të zi shqiptar dhe përpiqen të dëmtojnë marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Francës”.
Po ashtu të deklaronin se “Në interes të zhvillimit dhe të thellimit të mmarrëdhënieve midis dy vendeve tona është e nevojshme që kjo pikturë të mos ketë vend në Bashkinë e Parisit, por në asnjë vend tjetër publik në Francë”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 8 shkurt 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com