Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dijetari Hamit Beqja
Foto: Dijetari Hamit Beqja
Vjeshte ne Tirane, por jo tek Hamit Beqja

“Korrieri”, 4 nentor 2006

Ka fare pak rrugë dhe kende lulishtesh në Tiranë prej ku mund të kuptosh se ka ardhur vjeshta. Gjithçka në kryeqytetin shqiptar vazhdon të betonohet duke përndjekur te banorët çdo lloj mundësie për të ndjerë stinët. Vjeshta dikur ndihej edhe në atë zonë, e cila edhe sot vijon të thirret “Pallatet e Aviacionit”. Porse tani edhe këtu ka depërtuar ofensiva e njëtrajtshme e betonit. Sidoqoftë në një nga këto pallate me emër tingullues, në të vërtetë grehina shumë të vjetëruara, ndodhet Hamit Beqja. Eshtë profesor sigurisht, por këtë titull “Prof” nuk po ja vendosim para emrit jo për të ironizuar disa të tjerë që e përdorin pa një vetërregullim etik, por për të thënë se ai është shumë më tepër se aq. Jo si dituri, sepse i tillë mbetet bashkë me jo pak kolegë të elitës sonë intelektuale, por sepse Hamit Beqja përbën një dukuri. Ai përfaqëson sot një fenomen interesant. Madje dukuri interesante Hamit Beqja përbënte edhe gjatë diktaturës realkomuniste. Në thelb ai është një shqiptar mjaft origjinal.
Në një bisedë me të, ndërsa isha pikërisht duke i ravijëzuar këtë ide personale dhe duke ja argumentuar me një prej cilësive të tij më kryesore, frymën liberale gjatë një sistemi shoqëror shumë të ashpër e thellësisht dogmatik, e informova për një fakt. Pasi kishte ndjekur disa shkrime të tij një bashkëkombas me pseudonimin “Latifi” (nickname në internet), ky i dërgonte një shoku të tij këtë opinion për profesorin. Po e publikojmë në variantin e plotë të keqshkruar prej vëllait tonë shqiptar: “Hamid Beqja është prototipi i dallkaukut shkodran. Ai kurrë nuk u shërbeu njerëzve me atë far kulture sociologjike a psikologjike. Gjithmon ka folur kodra mbas bregut që ta ketë mirë me ata lart”. Pasi dëgjoi këtë gjë, pa humbur qetësinë, Hamit Beqja vetëm tha: “Ndoshta është ai personi që na telefonoi në orën katër të natës”. Gruaja e tij Liri Becja (te liberali Hamit bashkëshortja mban mbiemrin e prindërve të vet) u duk disi e shqetësuar. “Mund të jetë ai” shqiptoi me gjysëm zëri. I sqarova se “Latifi” e kishte përcjellë në internet gjykimin e tij në orën 21.11 të datës 18 nentor 2003. Në fund të fundit ai e kishte shprehur mendimin e tij lirisht në një mjedis publik dhe të tillë njerëz nuk janë nga ata që kërcënojnë në telefon në orët e thella të natës. Telefonata në orën katër, madje edhe kur të përcjell një kompliment, përbën një shfaqje e terrorit psikologjik. Dhe telefonata e atij personi anonim në këtë vjeshtë të vitit 2006 kishte shfryrë në receptor ca grahma fjalësh si “shërbëtor i komunizmit” apo bashkëngjitur edhe zhargon rrugësh. Në të vërtetë këto kohë ka një gjallërim, me sa duket të përkohshëm, të mllefit antikomunist.
Në një shoqëri ka njerëz që ecin me hapin e kohës, ka të tjerë që e prijnë atë, gjenden shumë që mbeten prapa thjesht sepse nuk kanë mundësinë të rendin përpara. Ka edhe të tjerë që kanë ngrirë. Ata nuk e jetojnë kohën, sepse nuk e dinë se ajo ekziston. Nuk e ndjejnë. Për fat të keq sot gjen mendje të salduara në vitin 1989 si edhe të tilla që kanë ngecur në rrjetën e pabesë të trazirave të vitit 1997. Në rast se “Latifi” në vitin 2003 apo telefonuesi anonim në 2006 kanë një gjë që nuk e kanë kuptuar dhe kurrë nuk do ta marrin vesh sa të jenë gjallë është dhuntia e të diturit Hamit Beqja për të mos e lejuar veten ta lerë koha mbrapa. Të gjithë kanë të drejtë të ecin përpara, komunisti i djeshëm, ballisti i pardjeshëm, kolaboracionisti i fashizmit të Luftës së Dytë Botërore. Kur “ngrijnë” duhet t’i lëvizim e shtyjmë me durim nga vendi, kur pengojnë “t’u heqim veshin”, kur ecin vetë dhe i gëzohen demokracisë duhet të ndihemi të gjithë mirë.
Gjithkush me këtë rast mund të bëjë pyetjen se ku qendron tek profesor Hamit Beqja aftësia për të ecur me kohën, kur për të paktën tre dekada ka qënë një nga protagonistët e aparatit qendror politik të Partisë së Punës. Parti e Punës në thelb do të thotë më e pakta qendrim në vend, sepse për periudha të veçanta të saj ka patur edhe kërcime të mëdha prapa. Një shoqëri e drejtuar në një lëvizje në të kundërt të kahjes së kohës do të merrte pas vetes edhe të spikaturin e saj Hamit Beqja. Mirëpo në pamundësi të kthente kahjen e kohës atje ku sigurohej zhvillimi modern, profesori u përpoq të mos ishte jo vetëm modeli, por as shembulli i njeriut të prapambetur. E veçanta dhe origjinalja te Hamit Beqja ishte se në një kohë të pamundur për progres bëri sa mundi për përhapjen e përparimit. Nuk ka këtu ndonjë kontradiktë, ju siguroj. Arsimi shqiptar është nga nga të paktat trashëgimi relativisht pozitive që diktatura la pas. Në rast se emrat e ministrave të arsimit janë lënë në harresë apo nga historia e pedagogjisë shqiptare citohen fort rrallë, nuk ka ndodhur e nuk ka për të ngjarë e njëjta gjë me të veçantin Hamit Beqja. Ai ka qënë autoriteti më i madh shpirtëror i mësuesisë shqiptare gjatë regjimit komunist dhe këtë status të tij e ruajti jo me hierarkinë e një nëpunësi të lartë, por me idetë e tij liberale. Ndoshta “Latifi”, kur e cilëson dijetarin si “dallkauk”, nuk ka kuptuar mirë një cilësi me fat të tij. Hamit Beqja as dje dhe as sot nuk hap beteja të tepërta politike, nuk lakmon të bjerë në sy duke shtuar armiq dhe as rrezikon energji përtej tryezës së tij të punës. Ai bën analiza dhe për një shkencëtar kjo është logjika e mbijetimit në të gjitha kohrat. Shkodrani i mënçur falë kësaj cilësie në zemër të aparatit politik të Komitetit Qendror të Partisë së Punës arriti të shpëtojë brenda vetes shkencëtarin. “Urtë e butë“ ai arriti aq fort larg në përhapjen e ideve pedagogjike moderne, saqë në mote që prireshin nga obskurantizmi formuloi dhe përhapi idenë e nevojës së mësimit të edukatës seksuale në shkolla. Le të thotë kush të dojë se kjo nuk përbën ndonjë çudi. Historia nuk ka për ta anashkaluar këtë “revolucion të vogël” të profesor Hamitit ne mes të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar. Eshtë tepër e lehtë të harrohet ky kontribut tani, kur shoqëria jonë për të rinjtë është aq e hapur sa edhe dy të dashuruar mund të puthen në mes të rrugës, porse kur Hamit Beqja ngulmonte në dhënien nëpër shkolla të lendës së edukatës seksuale Kinostudioja “Shqipëria e Re” nuk kishte prodhuar as puthjen e parë në një film. Realkomunizmi shqiptar ra pa u realizuar kjo “puthje”.
Fati është me trimat, thotë një fjalë e urtë popullore. Fati është edhe me liberalët, do të shtonim. Në çdo kohë, ca më shumë në regjime të ashpra, liberalët janë edhe personifikim i trimërisë intelektuale. Pa këtë kurajë të madhe nuk do të ndodhte shpëtimi që Hamit Beqja i ka bërë denjësisht vetes. Dyzetë librat e tij në dy kohë shumë të ndryshme, gati të pangjashme, realkomunizmi dhe sistemi pluralist, kanë një vazhdimësi të habitshme. Para nëntëdhjetës mund të hiqen disa citate dhe vepra mbetet. Korpusi i tij gati një gjysëm shekullor nuk është i cënuar, ca më pak i rënuar. Madje shkëlqimi i tij më i madh janë këto gjashtëmbëdhjetë vite të shoqërisë së hapur. Librat “Edhe ëngjëlli edhe djalli janë brenda te i gjalli” (334 faqe) dhe “Gjurmë Jete” (342 faqe) janë vepra madhore të sociopedagogjisë dhe të psikologjisë shqiptare. Në rast se brenda vetes Hamit Beqja nuk do të kishte genin e liberalit, pra do të ishte realisht një dallkauk, vepra e tij do të kishte vdekur me të kaluar pragun e dhjetorit historik të vitit 1990. Mirëpo ndodhi e kundërta: me të kaluar këtë vit-ylber ajo i lulëzoi.
Shumë nuk e dinë se në ato ditë të dhjetorit në shtëpinë e profesorit erdhën edhe nismëtarët e pandalur të kthesës së madhe të Shqipërisë, Azem Hajdari dhe Arben Imami. Kishin me vete një skicë të parë të programit të Partisë Demokratike. U këshilluan me të dhe pastaj ikën. Hamit Beqja ishte zgjedhur prej tyre si një prej komunistëve më të spikatur liberalë të kohës. Po ashtu jo pak nuk e kujtojnë dot se korifeu i pedagogjisë moderne shqiptare ka qënë edhe ndër anëtarët e parë të Komiteti Shqiptar të Helsinkit.
Shumica gjithashtu nuk kanë informacion se libri i tij “Edhe engjëlli edhe djalli janë brenda tek i gjalli” është botuar më 1995, pra njëmbëdhjetë vite të shkuara. Dhe a e dini se çfarë shkruan ai te kapitulli “Diçka edhe për disa personalitete shqiptare”? Pasi analizon si sociopsikolog Skenderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën për këtë të fundit mes të tjerash shenon: “Që ai e neglizhoi marrjen e arsimit të lartë, kjo dihet. Por nuk mund të mohohen vullneti i tij autodidakt, lidhja me librat, madje ai ishte një farë bibliofili, kujtesa e rrallë e, shpesh edhe forca e argumentimit, sipas çështjeve që kapte e për tezat për të cilat kapej”; “Ana më e zezë e tij është veprimtaria kriminale, përdhunimi i të drejtave të njeriut, format e egra të represionit policor, zhdukjet fizike të mijra e mijra njerëzve. Ndokush mund të preket e të sensibilizohet me këtë shtrim që po i bëjmë problemit, por ndërgjegjia nuk na lejon të mos shtrojmë pyetjen: Çfarë mund të thuash për një njeri që persekutoi rendë, zhduku deri fizikisht, njerin pas tjetrit, shumë bashkëpunëtorë e shokë të vet?”; “Disa cilësi të veta egocentrike, disi paranojake, mund të themi demoniake, kuptohet në kuptimin negativ të kësaj fjale Enver Hoxha i shfaqi sidomos pas viteve 60-të, mesit të tyre”; “Dalngadalë u projektua një korpus prej më se 100 vëllimesh të veprave të tij, një gjë e paparë për një udhëheqës politik, në të cilin përfshihen edhe biseda ditore gjatë pirjes së kafes mëngjezore me sekretarët e KQ të PPSH. U gjendën propogandistë të zellshëm, midis të cilëve edhe autori i këtyre rradhëve, të cilët këtë dituri, në thojza, por qoftë edhe pa thojza, jo vetëm e citonin me bollëk, por edhe e konsideronin si një shfaqje të lartë, si një majë të erudicionit të tij intelektual”; “Por ne mendojmë se Enver Hoxha mund të shikohet edhe si një objekt psikiatrie”....
Janë gjashtë faqe të mira ku Hamit Beqja e analizon me mendje të ftohtë diktatorin. Krahas të persekutuarve prej atij regjimi, që mbeten themeli i një debolshevizimi real dhe të sinqertë të shoqërisë shqiptare, ndodh edhe kjo mrekulli: ndër çmontuesit më të mirë të asaj të kaluare të rendë janë edhe shumë nga ata që e jetuan atë kohë, duke u konsideruar pak a shumë pjesë e saj. Ata ditën të rilindin. Në këto ditë vjeshte e konfimon me autoritet këtë “pranverë” edhe shtatëdhjetë e gjashtë vjeçari Hamit Beqja.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com