Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE


Si dhe përse u transportua dhe u fsheh në Shqipëri arma me të cilën u pushkatua Benito Musolini

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com”në 17 shtator 2017)
Sapo Benito Musolini u zbulua në karrocerinë e një kamioni me ushtarë gjermanë që po tërhiqeshin drejt veriut të Italisë, edhe ai i veshur si ata dhe me helmetën ulur mbi kokë që të mos kuptohej, fati i tij u bë çështje e ndezur. Ishte në ikje të fshehtë, siç dihet, bashkë me të dashurën, Klareta Petaçin. Udhëheqja e partizanëve komunistë, në dorën e të cilëve tashmë diktatori fashist pati rënë, i druheshin shumë një operacioni të agjentëve britanikë për ta rrëmbyer ata dhe gjykuar sipas disa rrethanave që vetëm Çërçilli dhe Benito i dinin, prandaj triumfoi mendimi se nuk kishte rrugë tjetër veç ta vrisnin.
Në mbrëmjen e 27 prillit 1945 çfarë do të ndodhte me të më në fund qe vendim i prerë: plumbin. Doemos që me këtë dënim nuk kishin parasysh edhe marrjen e jetës së Klaretës.
Këto çaste të pas pushkatimit nis e bën histori të bujshme një emër. Ky është komandanti partizan italian Walter Audisio, kolonel, me pseudonimin e luftës Valerio.
Bashkë me të, dekada më vonë, do të bënte emër në shtypin italian edhe Shqipëria. Jo për një rastësi. E kish dashur vetë shpalljen në publik.
Walter Audisio ishte në 28 prill një ndër tre ekzekutuesit e Musolinit dhe të së dashurës të tij, e cila dëshironte të vdiste bashkë me Beniton. Arma që zotëronte dhe shtiu kolonel Valerio ishte një automatik i prodhimit francez “Mas modeli 1938-F.20830”. Qe i kalibrit 7,65.
Atë ditë të 28 prillit u pushkatun 17 fashistë të njohur, qëllimisht po aq sa partizanë vetë fashistët kishin ekzekutuar në 10 gusht 1944 dhe i patën ekspozuar në sheshin Loreto të qytetit të Milanos. Nuk i lejuan familjarët e tyre as t’i preknin me dorë deri në mbrëmjen e vonë. Njëzetët e tetë prilli 1945 ishte një ditë plot vapë përvëluese dhe trupat e antifashistëve të pushkatuar u dekompozuan me shpejtësi, duke shpërndarë erë kalbëzimi.
Ishte një hakmarrje që në rrethana lufte mund të mos keqkuptohej, sidomos sikur pushkatimi i musolinianëve me në krye liderin e tyre të mund të mbyllej me varrosjen e gjithsecilit e veçanërisht të Benito Musolinit dhe Klerata Petaçit. Kjo mund të bëhej përkohësisht në një vend sekret. Por nuk ngjau kështu. E ndodhura shkoi edhe më tej. Doli e tëra para syve të njerëzve, duke u bërë e ngjashme me një krim dhe për pasojë shumë e diskutueshme.
Koloneli Valerio me të vetët i ngarkoi të shtatëmbëdhjetë kufomat (mes tyre qe edhe i vëllai i Klareta Petaçit) dhe natën tek gdhinte dita e njëzetë e nëntë e prillit, në orën 3.40, mbërritën në sheshin Loreto. Qe e diel.
Në 13.00, pasi më parë një skuadër zjarrfikësash me autobotin e tyre i kishin larë kufomat për t’u hequr njollat e mëdha të gjakut, njerëzit e kolonelit trupat e Musolinit dhe të Petaçit të vetëflijuar pranë të dashurit të saj (kur skuadra e ekzekutimit nisi të qëllonte i doli përpara Benitos për ta mbuluar me trupin e saj), i varën prej këmbësh dhe i lanë ashtu t’i shihte turma. Vepruan kështu edhe me të tjerët.
Vrasja, por sidomos edhe ekspozimi i tyre me këmbëvarje, do të shkaktonte pas lufte shumë polemika dhe kundërshtime për brutalitetin e saj. Do të nisnin po ashtu edhe seanca të gjata gjyqësore.
Përfitojmë nga ky çast për ta informuar lexuesin se skenën e sheshit Loreto e ka parë edhe një shqiptar. Ishte student dhe quhej Fejzi Domni. Autorit të këtyre rradhëve mote më parë ia ka rrëfyer me këto fjalë: “Unë jetojshe asi kohe në Melegnano, nji orë me tren nga Milano për arsyna ekonomike dhe atë ditë në mëngjez kur po vareshin kufomat e Mussolinit bashkë me Klarettan, zbrita nga treni në të njëjtën Piazzale Loreto dhe shkova me i soditë kufomat e varuna dhe për çudi u afrova 10 hapa pranë tyre për t’i soditë për së afërmi. Kufoma e Loretta Pettaci dukesh po aq e bukur si të kishte qenë e gjallë... aq e bukur ka qenë ajo zonjushe italiane, e cila me besnikërinë ideale të dashtunisë bani vdekjen si me le.
Ky episod i jetës sime nuk më shlyhet nga kujtesa”.

Buja mediatike e ngjarjes sekrete, verë 2004

Historia e automatikut “Mas modeli 1938-F.20830” i Valerios, pra i kolonelit partizan Walter Audisio, me kalimin e viteve, hyri në legjendë, por edhe u zhyt nëpër fjalënaja se nuk pati qenë aspak ajo armë që e kishte vrarë Musolinin. Një pjesë e thashethemeve ngulte këmbë se në ngjarje patën shtënë automatikë të tjerë të llojit “Mas modeli 1938-F.20830”. Shumë partizanë pretendues për këtë akt i dhuruan këto armë. Po ashtu u fol se ai mitraloz dore u zbërthye pjesë-pjesë dhe iu shpërnda si relike mjaft italianëve, madje kryesisht atyre që kishin qenë luftëtarë të rezistencës antifashiste dhe posaçërisht patën marrë pjesë në kapjen e Musolinit.
Njëkohësisht u fol se automatiku origjinal i kolonel Valerios udhëtoi fshehurazi për në Moskë dhe iu dhurua vetë Stalinit, ngjarje e supozuar si e ndodhur para vitit 1953, kur diktatori sovjetik pati vdekur nën një hemoragji cerebrale e ndodhur natën.
Por ky variant i fatit të automatikut “Mas modeli 1938-F.20830” nuk u vërtetua dot dhe deri shumë vite më pas edhe nuk u këmbëngul më.
Ishte Shqipëria që do të hynte në mes dhe do ta kthjellonte sadopak këtë mjegull. Ai mitraloz dore ndodhej në Tiranë dhe ajo histori e fatit të tij kishte brenda vetes çudira të vërteta.
Buja e kësaj ngjarjeje ndodhi shumë vonë, në 31 korrik 2004, dhe vijoi edhe të nesërmen e më tej, për disa ditë. Rrokullisej si të qe ortek. U fut gjëmueshëm jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe italianëve. Për ta informuar publikun për këtë “scoop”, në gadishullin Apenin u morën disa prej gazetave më të mëdha, përfshi “Corriere della Sera”, “La Reppubblica”, “Il Messaggero”...
Në Tiranë drejtori i Arkivave të Shtetit, studiuesi Shaban Sinani, i bashkuar me Xhuzepe Vakën, president i Fondacionit Instituti Gramshi, kishin bërë të ditur në formë artikulli një deklaratë dhe me këtë rast paraqitur dokument autentik. Ishte një letër e vetë kolonelit Valerio drejtuar autoriteteve shumë të larta politike shqiptare. Menjëherë pas kësaj shpalljeje institucionale dhe të argumentuar, qe drejtori i Muzeut Kombëtar, studiuesi Moikom Zeqo, i cili doli para kamerave të televizioneve kryesore me para duarve automatikun origjinal “Mas modeli 1938-F.20830”.
Pra, ajo që patën deklaruar Sinani-Vaka ishte shumë e vërtetë. Ajo armë e famshme ndodhej në Muzeun Kombëtar në gjendje të mirë, edhe pse një pjesë të kohës pas ekspozimit të parë në motin 1980, me rënien e komunizmit shqiptar kishte përfunduar nga pavioni drejt e në depo.
Tani nuk na mbetet veç tërë kësaj historie triller t’i hyjmë më në hollësi, sepse edhe aty fshihen çudirat që kemi zbuluar së fundi, të paktën prej një dekade më parë kur në arkivin e Ministrisë së Jashtme gjetëm një dokument të padalë deri atëherë, por edhe deri tani.
Gjithsesi çudia më e madhe e kësaj historie është se transportimi i fshehtë i mitralozit të dorës nga Roma për në Tiranë, bashkë me një karikator të tij me katër fishekë, u bë prej vetë shefit të përfaqësisë diplomatike shqiptare në Romë, drejtuesi i Legatës, Edip Çuçi.
Ky më parë se të niste karrierën e punonjësit të Shërbimit të Jashtëm Shqiptar, pas periudhës së aktivitetit partizan, kishte punuar në Sigurimin e Shtetit. Pas vitit 1958, kur do të mbaronte mandatin në Itali, do të qe me statusin e ambasadorit në Çekosllovaki dhe në vijim edhe në Hungari. Diplomacia shqiptare ato kohë mobilizonte në shërbim, edhe me cilësinë e shefit të përfaqësisë, punonjës të Sigurimit të Shtetit, por pas një prove mandati largoheshin ata që nuk i përmbushnin kushtet profesionale të punës. Edip Çuçi, relativisht me një moshë aspak të re, vlerësohej si individ i matur dhe temperament mjaft komunikues. Dinte të analizonte.

Në të vërtetë ngjarja qe bërë publike në 1977, por nuk pati shkaktuar asnjë zhurrmë

Në pranverë të vitit 1957 Gjykata e Apelit e Milanos nisi hetimet rreth disa komandantëve partizanë komunistë, mes tyre edhe ndaj Walter Audisio-s, të cilët akuzoheshin për përgjegjësi penale në vrasjen pa gjyq të Musolinit dhe të krerëve të tjerë fashistë të pushkatuar si edhe ekspozimin e kufomave të tyre në sheshin Loreto.
Ishte kjo arsye që në mes të verës së atij moti koloneli Valerio erdhi në Shqipëri “për pushime”, por siç do të delte pas dekadash, kishte nxituar të vinte me një propozim tepër sekret. Nuk ish i tij personal, por i vetë udhëheqjes së Partisë Komuniste Italiane dhe këtë çështje, nëpërmjet disa takimesh në Romë, e pat ndjekur aty me përparësi edhe legata shqiptare. Walter PKI qe vënë në vështirësi të madhe nga hetimet gjyqësore të Milanos dhe dëshironte që për njerëzit e saj të mos kishte prova për t’i dënuar.
Doemos që automatiku “Mas modeli 1938-F.20830” ishe i pari i tre armëve pushkatuese që duhej të zhdukej nga territori italian dhe hë për hë të mos i gjendej asnjë gjurmë. Ka shumë të ngjarë që fillimisht të jetë menduar se vendi më i sigurt për ta larguar dhe fshehur qe Bashkimi Sovjetik, qendra e fuqishme e tërë komunizmit global, përfshi doemos edhe PKI. Prej kësaj rrethane ose të ngjashmeve duhet të ketë zenë fill legjenda e armës dhuratë për Stalinin, gjithnjë si një rrugëzgjidhje e kamufluar për t’iu shmangur akuzës ligjore. Prej këtij modeli duket se është sajuar edhe versioni shqiptar i fshehjes së automatikut të kolonelit Valerio.
Me një hamendje normale lexuesi do të mendojë se autoritetet e larta të Tiranës, patjetër edhe Enver Hoxha, sepse pa dijeninë dhe lejen e tij kjo fshehje nuk mund kurrsesi të bëhej, e kanë kundërshtuar. Transportimi nga Italia dhe ruajtja top sekret e një automatiku në Shqipëri, në rast se do të zbulohej, do të përbënte një skandal të madh politik dhe diplomatik. Në vitin 1957 për interesat e vendit tonë ky aksion ilegal qe momenti më i papërshtatshëm në tërë historinë e marrëdhënieve Itali- Shqipëri të pas Luftës së Dytë Botërore.
Shpresa për t’u gjallëruar këtë raporte kishte marrë një impuls në 20 gusht 1953, kur në Kryeministrinë e Republikës Italiane (Pallatin Kixhi) u krye një takim mes palës vendase, ministrit (ambasador) Vittorino Rotondare dhe shefit të Legatës Shqiptare (me statusin e të Ngarkuarit me Punë) Skënder Konica. Objektiv qe vendosja e lidhjeve detare të rregullta mes dy vendeve.
Bisedimet më pas mezi ecnin përpara dhe kërkesa italiane për të mundësuar lirimin nga burgu dhe kthimin në atdheun e tyre të disa italianëve të arrestuar për faje lufte u baraspeshua me kushtin e Tiranës që të mos u hapej vend në median e fqinjit intervistave të të arratisurve politikë. Në shkurt 1954 erdhi në Romë, si shef i Legatës, Edip Çuçi dhe në prill qeveria shqiptare u bë më e guximshme të hapjen e marrëdhënieve me përparësi shkëmbimet tregtare. Edip Çuçi u takua me ambasadorin Xhulio del Balco (Giulio del Balzo), i cili atëkohë qe drejtor i përgjithshëm politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Diçka nisi të lëvizte, disa të burgosur në muajin gusht u liruan dhe pak mallra filluan të hynin në portin e Durrësit. Në vjeshtë 1954 kishte ende shumë ngathësi, por më në fund nga 13 deri 17 dhjetor u kryen në Tiranë bisedime të dy palëve dhe u firmos Traktati i Shkëmbimeve Ekonomike, me shumën 1 milion e 250 mijë dollarë. Ky hyri në fuqi një mot më pas, në tetor 1955.
Gjatë viteve 1955-1956 marrëdhëniet erdhën duke u gjallëruar. Kjo ishte zbatim i direktivës së dhënë nga Moska, konkretisht Molotovi, i cili në përputhje me rrugën e re hrushoviane i kërkoi Enver Hoxhës të përmirësonte raportet e fqinjësisë së mirë me Italinë, Jugosllavinë dhe Greqinë. Përpjekjet për të realizuar një Traktat të Paqes mes Shqipërisë dhe Italisë u finalizuan në 22 qershor 1957.
Ky qe një kulmim i vërtetë përmirësimi marrëdhëniesh mes dy vendeve, proçes i kaluar nëpër shumë vështirësi.
Pikërisht këto çaste, këtë verë 1957, në Shqipëri shfaqet koloneli Valerio me përpjekjen për ta fshehur automatikun e tij në “vendin e shqiponjave”.
Në vjeshtë 1957 shefi i Legatës Shqiptare në Romë, vetë diplomati që u mobilizua dhe ja arriti një suksesi ngrohjeje të marrëdhënieve, duke e fshehur automatikun që pati vrarë Musolinin, si edhe një karikator me katër fishekë, në bagazhin e tij të sendeve personale, e transportoi nga Roma në Tiranë.
Pas kësaj arma u vendos “e kyçur” në një nga thellimat e arkivit të Komitetit Qendror të PPSH-së, për të mbetur atje për plot nëntëmbëdhjetë vite, deri në 1976. Autori i këtyre rradhëve mund të paraqesë tani, për herë të parë, dokumentin që ka gjetur në arkivin e Ministrisë tonë të Jashtme.
Ajo është një letër e drejtoreshës të Drejtorisë së Muzeumeve Ballkize Haxhihyseni, me adresim Drejtorinë e Katërt të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Daton e nisur në 12 mars 1976 dhe e mbërritur në destinacion në datën 18. Në të thuhet: “Me porosi të Sekretarit të Komitetit Qendror të P.P.SH., shokut Ramiz Alia, automatiku i italianit Valter Audicio, me të cilën ai ka vrarë Benito Musolinin, iu dorëzua Muzeumit të Luftës Nacionalçlirimtare për t’u ekspozuar. Ai na porositi, gjithashtu, t’u drejtohemi juve për të siguruar një libër të botuar në Itali nga Valter Audicio, ku ai thotë se ka vrarë Musolinin me këtë automatik.
Këtë libër, të hapur në faqen ku jepet edhe numri i automatikut si pas porosisë, ne do ta ekspozojmë pranë armës”.
Muajt shkuan njëri pas tjetrit, libri i Walter Audisio-s “Në emër të popullit italian”, u ble dhe gjithçka u ekspozua. Ngjarjen e bëri publike edhe gazeta “Zëri i Popullit”, por nuk pati ndonjë jehonë të madhe, edhe pse në brinjë të automatikut qe shkruar “Me këtë armë në 28 prill 1945 nga një njësi partizanësh italianë u pushkatua shefi i fashizmit Benito Musolini”.
Siç e shihni emri i Walter Audisio-s u mbajt sekret. Ky ndarjen nga jeta e pati në 1973.
Pas ekspozimit të këtij automatiku nuk pati zhurrmë as prej ambasadës italiane apo shtypit të përtejmë. Jehonën, siç e thamë më sipër, e përvetësoi të tërën moti 2004, kur në Tiranë u bë publike një letër e nënministrit të Jashtëm shqiptar Vasil Nathanaili, drejtuar Hysni Kapos, të ngarkuarit nga PPSH me politikën e jashtme dhe sigurimin e shtetit. Në të fliste për mesazhin e shkruar që kishin marrë nga koloneli Valerio, i cili këto kohë, duke filluar prej vitit 1948, qe i zgjedhur deputet i Frontit Demokratik Popullor, pra i udhëhequr nga Partia Komuniste Italiane (me këtë status ai qëndroi në parlament deri në 1963 dhe më pas mori votat e plota për në Senat).
Letra e Nathanailit, siç dihet që prej motit 2004, mban datën 30 nëntor 1957 dhe ngul këmbë tek Hysni Kapo se sipas diplomatit Edi Çuçi, referuar kërkesës së Walter Audisio-s, prania e armës në Shqipëri duhej të qe çështje top sekret.
Në këtë letër ndodhet edhe motivi festiv i “dhuratës”: Koloneli-deputet komunist po ia dorëzonte automatikun PPSH-së “me rastin e përvjetorit të trembëdhjetë të çlirimit të vendit tuaj nga pushtuesit nazi-fashist dhe në dëshmi të admirimit tim të thellë për popullin heroik shqiptar”.

Në ngjarje janë përzjerë edhe sovjetikët

Këtu edhe mbaronte demagogjia e të paktën dy partive komuniste, asaj italiane dhe shqiptare, por ku ne mendojmë se në dijeni, madje në udhëheqje të këtij aksioni është vetë Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik. Mes sekretimit të fortë që i është bërë ngjarjes (për prani të Walter Audisio-s në verë në Shqipëri, qoftë edhe për pushime, Enver Hoxha nuk shkruan asnjë fjalë në ditarin e tij të motit 1957), ka një heshtje të vijuar edhe prej Moskës.
Që në këtë veprim kanë dorë edhe shërbimet e fshehta sovjetike të vandosura në Tiranë (madje atëkohë të dy shërbimet qenë të unifikuara) e vërteton edhe fakti i transportimit të sukseshshëm të mitralozit të dorës nga Italia në Shqipëri. Nuk e kryen njerës të specilizuar për kontrabandime të tilla, por vetë i Legatës Shqiptare, madje duke mos e mbajtur në të quajturën “valixhe diplomatike”, rreptësisht e pahapshme prej çdo kontrolli policor, por në bagazhet e tij personale, të cilat mund ta tolerojnë, me arsye të forta, një hetim çfarë gjendet në to.
Duke ia besuar armën dhe karikatorin ambasdadorit në sendet e tij vetiake Tirana zyrtare i mënjanohej, në rast zbulimi të tyre, ndonjë akuze ndaj saj. Ndërkohë sipas specialistëve të veprimeve sekrete këtë transportim një person nuk mund ta bënte dot i vetëm. Prej këtej lind mendimi se në aksion, paralelisht me simpatizantë italianë të BRSS-së, nëpunësa dhe ushtarakë kufiri, kanë marrë pjesë sidomos agjentë të fshehtë sovjetikë, të cilët në Itali kishin lidhje të forta dhe bashkëpunëtore në vendet më kyçe.

Ylli Polovina

Tiranë, më 15 shtator 2017

Fotot shoqëruese: 01,02,03 Letra e drejtoreshës së Drejtorisë së Muzeumeve për Drejtorinë e Katërt të Ministrisë së Punëve të Jashtme, 04, ish-drejtori i Muzeut Kombëtar Moikom Zeqo duke paraqitur në 2004 automatikun, 05, Walter Audisio, pushtatuesi i Benito Musolinit.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com