Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SKËNDERBEU-AVION


(Botuar në gazetën “Illyria”, Nju jork, me 15 shtator 2017)

Në 2 gusht 2009 po kthehesha prej një udhëtimi pune nga Londra dhe kur zbritëm në aeroportin e Rinasit mbrëmja qe kthyer në natë të thellë.
Nuk e dija se një prej dëshirave të mia më të mëdha të dekadës së parë të vitit dymijë do të realizohej pikërisht atë çast.
Një instikt i çuditshëm që më priu një parandjenjë, bëri që tek dola prej bordit dhe nisa të zbrizja shkallët dhe prej fundit të tyre po bëhesha gati të hipja në autobuzin për shërbim enkas, ndërkohë që mund ta hidhja vështrimin tek çdo gjë e ndriçuar përreth, e përqëndrova atë tepër larg, nëpër pothuaj errësirën e plotë të pistës së aeroportit.
Dhe dallova atë që nuk pata besuar kurrë se do ta shihja ndonjëherë dhe që prej derës së avionit apo shkallëve të tij zbritëse, për shkak të pozicionit të aeroplanit tonë, nuk mund ta dalloja dot: avionin e pasagjerëve “Skënderbeu”.
Ai bënte rrugëtimin SHBA-Shqipëri.
Qe krijesa më e fantastike dhe artistike njëkohësisht, më e madhërishmja në imagjinatë, por edhe në atdhetarizëm, më mbresëlënësja dhe më e habitshmja e krijuar nga e madhja diaspora shqiptaro-amerikane.
Dija vetëm lajmin, që ky avion ekzistonte, që në Rinas ulej e ngritej të paktën dy-tre herë në javë, por nuk kisha asnjë mundësi që të përkoja aty kur trupi i tij me shkëlqim lbyrës dhe gërmat që formonin emrin e Skënderbeut, të ndodhej në pistë.
Tani, nga këndi i hipjes në autobuzin që i dërgonte pasagjerët në doganë, e dallova atë siluetë fluturonjësi të duralumintë, prandaj ia ngula vështrimin fort, regjistrova me ngulm në retinën e syrit gjithçka, e fiksova menjëherë në qelizat e trurit, atje ku ndodhet hapësira e kujtesës dhe që fiket vetëm me ikjen e njeriut nga kjo jetë.
Prej errësirës dhe largësisë pamjet e atij avioni mrekullonjës nuk qenë shumë të kthjellëta, ishin si të ëndërrta, pothuaj nëpër mjegullim. Megjithatë unë nuk mund ta lija të ikte ky çast. Nga pas udhëtarët e tjerë dëshironin të ngjiteshin në autobuz dhe nxjerrja nga unë e aparatit për ta filmuar siluetën e atij Skënderbeu-avion m’i ngadalësoi lëvizjet për një çast dhe u bëra pengesë. Pasagjerët u treguan të edukuar dhe një pjesë shkuan tek dera tjetër, edhe pse nuk e dinin çfarë po filmoja nëpër errësirën e pistës.
Por u tregua i paepur një polic i aeroportit. Ai vrapoi drejt meje dhe u bë gati të ma merrte fotokamerën. Pastaj u vetëpërmbajt në gjeste, veç jo në fjalë. Më urdhëroi prerë se nuk mund të kryeja filmime në aeroport dhe se po kryeja një veprim të ndaluar.
Fjalët e reagimit tim më gulçuan deri në fyt, pothuaj i fyer isha gati t’i thosha se po filmoja thjesht në avion pasagjerësh, se ky kish një emër të bukur e të dashur për të gjithë ne shqiptarët, se në fund të fundit isha gazetar dhe kjo hynte në profesionin dhe në të drejtën time. Më shkoi në kokë se për ta bindur përfundimisht dhe t’i dëshmoja se qesh një person me siguri të garantuar shtetërore, të nxirrja pasaportën time diplomatike dhe t’i prezantohesha siç isha në të vërtetë: punojës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Por hoqa dorë.
Polici nuk kishte asgjë personale me mua. Thjesht po bënte detyrën.
Kështu filmimi i avionit “Skënderbeu” në atë 2 gusht 2009 përfundoi në një sekuencë prej katër sekondash. Prej këtij filmimi të shpejtë, por edhe të ngutur, nxora disa foto dhe më të qartën, atë ku shquhen më mirë gërmat e emrit Skënderbeu, ia bashkëngjita këtij shkrimi.
Vitin e ardhshëm kemi 550 vjetorin e ndërrimit jetë të Gjergj Kastriotit dhe tek tërë shqiptarët 2018-ta do të jetë një vit nën shenjën e emrit të tij.
Ne bashkë, ju lexuesit e “Illyria”, redaksia e saj si edhe botuesi i kësaj gazete, po ashtu edhe unë, kemi parë njëri-tjetrin pothuaj në çdo numër për shtatë vite me rradhë. Por katër operacione në sy si edhe një vështrim që nuk e ka më kapacitetin e mëparshëm për punën non-stop, më shtrëngoi ndarjen prej jush disa muaj më parë.
Tani do të bëj një përpjekje t’ju ritakoj. Me mall, sigurisht.
Ju siguroj se më tepër nga ju, për riparjen tonë kam nevojë të madhe unë. Më jepni forcë. Madhësia e fuqia e disporës shqiptaro-amerikane, e cila ka bërë histori, ngjan me imazhin e atij avioni “Skënderbeu”, për të cilin, referuar një mbrese të pashlyeshme, shkruajta më sipër.
Kështu duke filluar prej numrit të ardhshëm, për këtë vit dhe një pjesë të madhe të pasuesit, motit skënderbejan 2018, do të botoj në “Illyria” nga një shkrim të shkurtër me të dhëna të paditura më parë rreth Gjergj Kastriotit.
Do të mundohem t’ju kënaq, më besoni.

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 shtator 2017

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com