Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

LSI, HAP MBI GREMINË


(Botuar në gazetën online “Shqip” më 12 qershor 2017)

Sulmi i bluve dhe i rozëve mbi aleatin dymbëdhjetëvjeçar të rregullimit të pushtetit të tyre qeverisës tashmë ka marrë ritmin e një agresioni nga toka, ajri dhe deti. LSI përgjigjet me të gjitha mjetet që ka: prej kryetarit me emrin e tingëllimbutë dhe që nuk tremb njeri, Vasil, e deri me udhëheqësin dhe krijuesin e vet të rritur nëpër bubullima ndeshjesh politike dhe të cilit nuk ja merr dot bukën nga dora (sepse ta merr ai i pari), Ilir Meta.
LSI ka një shtat elektoral prej kohësh të pakonfirmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shpirt për të rezistuar ka boll të qartë. Ajo rend me ngazëllim nëpër hipnozën e saj se në zgjedhjet e 25 qershorit do të jetë parti e parë dhe se kjo gjendje, pra situata politike kur në Shqipërinë e praghyrjes në BE partia Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë njëherësh postin e kryeministrit, të paktën të dy mandateve të Presidentit, të shumicës parlamentare dhe të çdo kreshte tjetër pushteti, do të zgjasë njëzetë vite. Lenë të kuptojnë se mund të rrjedhin edhe me shumë mote të revanshit të saj.
Ballafaqimi programor, përherë në viset tona i thjeshtëzuar në gënjeshtrat e dyqind apo treqind mijë vendeve pune të hapura (kurse GALLUP sapo konfirmoi se 57 përqind e shqiptarëve duan të emigrojnë pikërisht se nuk gjejnë punë këtu) apo rritjes së rrogave deri në 40 përqind, me pak fjalë i stilit “do t’u ndërtoj një urë dhe me që nuk paskeni lumë do tua sjell edhe këtë”, këto ditë është zëvendësuar tërësisht me fjalët akuzuese ndaj metistëve si “mjaft me parti tepsi” ose “tavë pushteti”, “parti shushunja” e plot të tjera fjalë të forta. LSI është shpallur kërcënimi numur një i dy partive PS dhe PD, ndërkohë që të dy gjëmimtarët, Edi Rama dhe Lulzim Basha, nuk e besojnë fare se lësëistët mund të sigurojnë në zgjedhje ndonjë shumicë relative, sepse për përmasë absolute nuk bëhet fjalë. Madje as për ata vetë. Blutë dhe Rozët besojnë se objektivat shumë të sforcuara që Ilir Meta i ka vënë ndjekësve të vet nuk janë gjë tjetër veç hedhje hapi mbi greminë.
Gjithsesi LSI e gjetur nën agresion të pandërprerë arsyeton se tanimë duke i rënë më qafë më shumë nga sa të meta ka dëshmuar, një pjesë e elektoratit do t’i vijë në mbrojtje. Në fund të fundit çdo e drejtë ka një limit, prej ku kthehet në të kundërtën e vet. Ndërkohë duke e deformuar dialektikën e garës elektorale dhe bërë shenjë goditjeje një pikë fiktive dhe jo realen, pra PS-ja PD-në dhe kjo e fundit socialistët, blutë dhe rozët tashmë po prodhojnë po ashtu një efekt tjetër bumerang.
Sepse ata kanë të gjithë të drejtën ta bëjnë të dallueshme në opinionin publik e sidomos mes ndjekësve të tyre, se për LSI-në nuk duhet të hedhin asnjë votë. Në fund të fundit asnjë pabesi nuk ka këtu, ca më tepër që i pari ua kërcënoi ambiciet e natyrshme për kryeministër i Shqipërisë vetë Ilir Meta. Lulzim Basha, e besojnë apo jo se do t’ia dalë deri në fund synimit të tij kryeministror, nuk mund të lejojë që përgjegjësinë për qeverisjen e nesërme ta mbajë ai dhe partia e vet, kurse LSI, e cila sërish thotë se pas 25 qershorit do ta telefonojnë atë për të marrë një cep në kabinetin e ardhshëm, të gëzojë frytet e pushtetit dhe të habitshin status se qe ne qeveri por nuk ka bërë asnjë gabim. Basha i ka të gjitha të drejtat ta ndajë shapin nga sheqeri, pra që asnjë votë e zgjedhësve blu të mos hidhet për partinë e shumë organizuar të Ilir Metës, sepse ky i fundit, i shkathët në manovër, mban të ngrohtë një fije lidhjeje me Sali Berishën, administratorin numur një të PD. Ky i fundit deri tani e ka lënë të mos ftohet ky bosht kontaktimi dhe veprimi të përbashkët në të ardhmen, jo vetëm sepse do t’i duhet të përballojë Edi Ramën dhe ndonjë plan urgjence bashkëpunimi mes tij dhe Lulzim Bashës, por edhe futjen në skenë të Fatos Nanos.
Ndërsa deri tani ka plot vrima të hapura që LSI të marrë vota të lëkundurish prej Partisë Demokratike, në të anasjellë Partia Socialiste nuk do të lëshojë asnjë. Kështu që si pasojë më afër numrit më të madh të mandateve janë rozët. Në rast se ata sigurojnë 71 vende, çfarë për shkak të mjaft rrethanave nuk përjashtohet dot, do të qeverisin të vetëm.
Ky do të jetë edhe dënimi i tyre më i madh. Do të përjetojnë një legjislaturë të rrëshqitshme dhe mandat shkurtër.
Në ndodhtë që do të kenë një shumicë relative do të dialogojnë fillimisht me blutë dhe gjithçka më pas do të rrjedhë si në një film triller. Do të shohim gjëra të jashtëzakonshme, afatshkurtëra vërtet, por që do t’i futin në histori blu-rozët si edhe vetë shqiptarët e viteve dymijë.
Dhe hyrja në histori për çdo protagonist, sidomos pozitivisht, është po ashtu një majë shumë e lartë pushteti. Madje të përjetshëm.

Ylli Polovina

Tiranë, më 11 qershor 2017



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com