|
GAJASJE SEPSE VDIQ ENVER HOXHA
(Botuar në gazetën online Shqip me 13 prill 2017)
Shumë shqiptarë, veçanërisht të rinj që nuk e kanë përjetuar para nëntëdhjetën, e kaluan 11 prillin e këtij viti pa u rënë ndër mend se qe ditëvdekja e Enver Hoxhës. Gjithsesi ndonjë televizion apo gazetë e kujtoi, madje duke ia dhënë lirinë e të komunikuarit me opinionin publik edhe njërës prej bashkëshorteve të djeme të tij, Teutës. Por këtë ditë e tërhoqi vëmendjen më shumë një rrëfim i publicistit dhe njërit prej drejtuesve mediatikë më kryesorë të periudhës së pasrënies së diktaturës, Artur Zhejit.
Nuk mund ta kaloje si rutinë atë pohim se bashkë me Edi Ramën prej këtij lajmi dhe bash në ditën, ku sipas Zhejit Sigurimi i Shtetit ishte i acaruar. Komunistët bolshevikë dhe radikalë, kërkonin me sy të përlotur dhe të përgjakur, që të gjithë të qanin dhe të kishin fytyra rreptësisht të mërzitura thellë. Përndryshe
Ndërkohë kishin filluar arrestimet, thjesht sepse dikush kishte qeshur, apo kishte treguar një barcaletë, atë ditë zie Kombëtare.
Ndodhia mund të jetë plotësisht apo pjesërisht i pavërtetë, sepse ka mbi një çerek shekulli që ka përmbytur kujtesën kombëtare një treg i zi për shitjen e dëshmive si antikomunist. Ky pazar nuk gjallëron mes të burgosurve, të internuarve dhe të përndjekurve politikë, por tek ata të cilëve nuk u hyri ndonjë gjemb në këmbë sa kohë Enver Hoxha dhe sistemi i tij shoqëror jetoi në Shqipëri. Madje ky pistreg lulëzon mes disa eksponentëve të sotëm publikë që atëhere ose qenë fëmijë bllokmenësh, ose hynin e dilnin atje.
Mes këtyre të fundit njëri jep intervistë për si llojin e tij se ia ka thënë kundër regjimit apo Hoxhës këtë apo atë gjë. Duke mos patur e paraqitur asnjë dëshmitar tjetër falsari i parë del garant për të dytin dhe ky i fundit, në rastin më të parë, kur nuk është pasanik qeverie, ia kthen detyrimin me një provë të dytë antikomunizmi kokë më kokë. Kur kundërkomunisti është në post të lartë shtetëror, ia shkëmben shërbimin me ndonjë poltron zyre, nëpërmjet të cilit kalojnë rrëkera parash dhe tenderash.
Por në rastin Zheji-Rama të 11 prillit 2017 jemi të shtyrë jo prej këtij këndvështrimi, por prej një tjetri, i cili është etik dhe njëkohësisht politik, sepse kur teprohet në zellin antikomunist, ai çel dyert e nostalgjisë për të dhe të shfaqjes së një komunizmi të tipit të ri.
Për arsye historishkrimi prej shumë motesh autori i këtyre radhëve ka mbledhur materiale të dëshmuara me gojë dhe të regjistruara, mbi ngjarjen e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991. Ka aty gjëra të befasishme, që nga historia e përfolur e heqjes nëpër natë të bullonit mbajtës të monumentit, sa janë përzjerë Ramiz Alia apo Azem Hajdari në këtë ndodhi, përveç kamerës së Radiotelevizionit Shtetëror Shqiptar, cilat qenë ato dy kamerat e tjera misterioze që filmonin pa pushim, përse një grup i vogël ish-të burgosurish politikë hoqi dorë dhe nuk vuri në zbatim vendimin e vet për ta hedhur në erë monument Enverin me dinamit të marrë prej galerive nëntokësore, ku edhe pas daljes nga qelitë, punonin. Ose ku ndodhej gjatë rënies grupi politik i opozitës politike etj., etj.
Siç dihet pas rrëzimit monumenti u tërhoq zvarrë nëpër sheshin Skënderbej dhe Rrugën e Elbasanit, duke hipur më pas sipër, në kodrën e Qytetit Studenti dhe lënë atje në mes të sheshit qendror. Këtu filloi copëtimi i tij. Copra të vogla të këtij monumenti, si provë e vërtetësisë së shëmbjes së tij, shkuan nëpër Evropën Perëndimore, madje deri edhe tek presidenti francez.
Në përfundim paraprak të dëshmive të kësaj kryengjarjeje për autorin e këtyre reshtave qe e paharueshme përshtypja që mori: nuk ka veprim politik dhe patriotik më të çiltër, më të guximshëm dhe më të kulturuar se ai rrëzim simboli i një të shkuare, që shumicës së shqiptarëve u la pasojë një të shkuar me liri dhe ushqim triskëtuar.
Në këtë dosje regjistrimesh me zë autentikë dëshmitarësh, autorit të mësipërm i la mbresë polemika e shpejtë mes një personi pa identitet të qartë social, i cili, sapo ra monumenti, pshuri mbi të duke qeshur me të madhe. Akoma mote më pas këtë gjë ky person e tregonte me ngazëllim si qëndrim i vërtetë antikomunist. Tjetri, i cili qe realisht një i përndjekur politik për arsye biografike, e kundërshtoi shurrëbërësin e lumtur, duke ia cilësuar atë si sjellje të pahijshme dhe veprim të gabuar.
Banaliteti nuk ndihmon në asgjë, veçanërisht kur koha lyp të kufizohen mundësitë për ndikim publik të periudhës dhe momentit historik mjaft të ndërlikuar siç ishte në kohën e vet socializmi.
Për këtë arsye, duke besuar se dy bashkëkombësit e njohur publikë Artur Zheji dhe Edi Rama në 11 prill 1985 patjetër fshehur kanë qenë sjellë shumë ndryshe nga masa e madhe e studentëve apo e pedagogëve të Institutit të Arteve, se ata të dy kanë gëzuar shumë prej asaj vdekjeje, madje më i hareshmi paska qenë vetë kryeministri i sotëm dhe kryetari i Partisë Socialiste (paskomuniste), por përse në përjetim të kësaj ndjenje të natyrshme, ata të dy shpërthenin në të qeshura nga njëri vend në tjetrin, tek, gjithnjë sipas rrëfimit të publicistit emër dëgjuar Zheji, kërkonin një strehë për të mos u parë nga të tjerët.
Me një fjalë, mirë që gëzonin, por përse gajasnin?
Ylli Polovina
Tiranë, më 12 prill 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|