Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Hysen Terpeza i kthyer ne Kosove
Foto: Hysen Terpeza i kthyer ne Kosove
Sekreti i madh i bashkepunimit te nje ballisti me komunistet

Botuar ne revista Shqip, mars 2007

Kjo që do të tregojmë më pas nuk është legjendë, pra një gjë e dëshiruar shumë për të qënë realitet, porse në fund të fundit e dyshimtë për nga vërtetësia e saj. Ngjarja e pazakonshme është gjer në detajet më të vogla një histori e ndodhur. Legjendaren ajo nuk e ka në mënyrën se si është hartuar rrëfimi, por te vetë personazhi i saj kryesor. Ai quhet Hysen Tërpeza dhe konsiderohet nga bashkëkombasit tanë kosovarë si “njëri nga legjendat e veprimtarisë mëmëdhetare, atdhetar i shquar i Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare”.
E veçanta është se ka qënë gjatë Luftës së Dytë Botërore komandant i forcave nacionaldemokratike balliste të krahinës së Karadakut. Deviza e të gjithë jetës së tij ka qënë “Kam luftuar kundër terrorit dhe diktaturës, për lirinë e popullit të Kosovës, dhe sot përmes protestave dhe organizimeve të tjera luftoj kundër diktaturës komuniste. Kjo diktaturë ma ka djegur shtëpinë në Kosovë deri në shkatërrim”.
Të tjera shumë pak të njohura nga jeta e Hysen Tërpezës: gjatë pushtimit gjerman në zonën e Karadakut ka qënë kryetar komune, sepse shpallja nga pushtuesi i ardhur nga zemra i Evropës i Shqipërisë së Madhe, pra i trojeve shqiptare të bashkuara, i krijoi iluzionin e një entuziazmi. Veç ai nuk shkoi aq larg në raportet e bashkëpunimit me gjermanët. Ballistët kosovarë ndryshe nga ata shqiptarë nuk u bënë kolaboracionistë. Ata si Xhaferr Deva dhe ndonjë tjetër më afër se frontit të ballistëve nacionalistë, ishin të bashkëngjitur me ideologjinë fashiste. Hysen Tërpeza nuk ishte fashist, por një demokrat nacionalist. Pas tërheqjes së gjermanëve ai dhe me pothuaj një batalion me bashkëluftëtarë u hodh në mal për të vazhduar rezistencën kundër pushtuesit të ri dhe të po aq të vjetër: serbëve. Në male dhe në kushte të renda Hysen Tërpeza luftoi kundër ushtrisë partizane jugosllave, e cila nuk shihte si armik numër një ushtrinë komuniste që vinte nga Shqipëria, por pikërisht ballistët e Kosovës. Me luftën e Beogradit kundër Hysen Tërpezës dhe luftëtarëve të tij u bashkuan edhe bolshevikët shqiptarë, duke e vënë atë në mes dy zjarreve. Në fund të vitit 1945 i shtrenguar nga kushtet e një rrethimi që pothuaj ishte mbyllur dhe kur përpara nuk kishte asnjë rrugëdalje veç asgjësimit, i ndjekur edhe nga njëqind bashkëluftëtarë të njësisë së tij ballisti i paepur kapërxeu kufirin dhe u arratis në tokën helene. Në kampet e refugjatëve të këtij vendi qendroi disa vite. Kur më në fund në Greqi përfundoi lufta civile Hysen Tërpeza shkoi në Turqi. Edhe në këtë vend jetën e kaloi nëpër kampe refugjatësh. Pas dy vitesh të tilla e mori Italia, duke mos ja kursyer edhe ajo të njëjtat lloje kampesh. Nuk do të vononte shumë dhe ballisti nacionaldemokrat shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1976 ai ishte punonjës i ambasadës amerikane në Vjenë. Njeriu që pohon këtë hollësi nga jeta e Hysen Tërpezës shton se në kryeqytetin austriak ishte me detyrën e një punonjësi të CIA-s. Ky pohues me autoritet të plotë për ta deklaruar këtë të vërtetë për Tërpezën quhet Dilaver Goxhaj. Në vitin 1999, kur NATO ndërhyri ushtarakisht në ish-Jugosllavi për rrëzimin e regjimit diktatorial e shoven të Sllobodan Millosheviçit, Goxhaj ka qënë zëvendëshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të gjitha që do të tregojmë më poshtë i janë deklaruar Goxhajt nga vetë Hysen Tërpeza në fund të korrikut 1999, kur pas mbi një gjysëm shekulli emigrim ballisti i shquar u rikthye në Kosovë e në vendlindjen e tij për të ndërruar jetë aty, ku pothuaj nentë dekada më parë i kishte “rënurë koka”. Me këtë rast, të ngazëllyer nga kjo ngjarje e madhe, autoritetet e qytetit të Vitisë i organizuan atdhetarit të madh një miting mirseardhjeje. Mes të ftuarve ishte edhe Dilaver Goxhaj, atë kohë shef kabineti i Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të pasluftës, asaj Thaçi.
Që të mos mëdyshojmë me tepri për vërtetësinë e kësaj ngjarjeje, të cilën e dëshmon një njeri serioz, autor edhe librash, vëmë në dukje që në fillim edhe një fakt të bërë me kohë publik. Në vendlindjen e tij në Tërpezë ballisti i shquar ka një shkollë me emrin e vet dhe para saj ngrihet shtatlartë një lapidar i madh. Në të gjitha shpjegimet që i bëhen këtij monumenti shkruhet qartësisht “Hysen Tërpeza punoi si një punonjës i Shërbimeve të Fshehta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka jetuar në këtë vend për pesëdhjetë vite. Ai u rikthye në vendlindjen e tij, në Tërpezë para se të ndërronte jetë”.

Rrëfyesi i kësaj historie, koloneli në lirim Dilaver Goxhaj, nga disa vite jete e pune në Kosovë e veçanërisht pas bisedës intime me Hysni Tërpezën ka kuptuar se “anëtarët e Ballit Kombëtar në Kosovë kanë qënë për çështjen nacionale pothuaj si anëtarët e Partisë Komuniste në Shqipëri. Kishin pikëpamje të ndryshme ideologjike, por në pasionin nacionalist gjenin ndërmjet njeri-tjetrit shumë pika të përbashkëta”. Sipas ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ballistët bashkëkombas në Kosovë ishin patjetër antikomunistë, ca më shumë të tillë edhe sepse komunizmi u vinte me pamjen e një shteti shoven dhe antishqiptar si ai serb e jugosllav. Përtej kufirit, në shtetin amë, vërtet sundonte ideologjia e urryer prej tyre, por gjithsesi në Tiranë bashkëkombasit komunistë ruanin pavarësinë e vendit dhe nuk shkonin aspak mirë me regjimin e Beogradit. Aq mjaftonte jo për ta bërë të admiruar diktaturën shqiptare, por për ta diferencuar atë me rregullin e thjeshtë se mes dy të këqijave nga halli zgjidhet e keqja më e vogël. Mes Beogradit dhe Tiranës, të frymëzuar fort nga dëshira për të zgjidhur sa më shpejt çështjen kombëtare, një aleancë e përkohshme e ballistëve nacionaldemokratë me komunistët e Shqipërisë mund të bëhej për të shpëtuar nga sundimi sllav. Ishte ky një kolaboracionizëm i tërthortë apo jo? Besojmë se përgjigja mohuese është më realja. Nuk mund të quhet kolaboracionizëm një aleancë e përkohshme me një ideologji të papranueshme kur ajo bëhet për të shpëtuar kombin nga një pushtues. Ka qënë tërësisht një manovër. Ka qënë patjetër vënia në jetë e një bashkëpunimi të pastër politik, i cili nesër, pasi nga trojet e Kosovës të zbohej regjimi serb, mund të shkonte gjer në një ndarje e mospërputhje të plotë me regjimin bolshevik të Tiranës.
Hysen Tërpeza me atë që do të tregojmë më poshtë, gjithnjë sipas rrëfimit të sinqertë të zëvendëshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka bërë thjesht një lojë politike. Ai ka zbatuar idenë e një aleance taktike. Por siç do ta mësoni në rrëfimin e mëposhtëm, shumë të shkurtuar për arsye të kufijve të natyrshëm që një shkrim në një revistë mund të ketë, pas tij nuk ka qënë vetëm ajo që vetë ai personalisht gjykonte. Kanë qënë të një mendjeje edhe të tjerë. E gjitha ka qënë në thelb një manovër e lojë e madhe, nga më intrigueset në historinë e Shqipërisë e mbase të të gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë në Ballkan.

Në mitingun e madh të mirseardhjes, duke qënë shef i kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes Azem Syla, koloneli Dilaver Goxhaj e mori fjalën dhe i shprehu nacionalistit të madh respektin më të thellë. Pas festës masive Hysen Tërpeza e ftoi “shqiptarin e Tiranës” që të ishte mik i tij për drekë. Kur më në fund u ulën pranë njeri-tjetrit (dikush solli edhe një mikrofon) ballisti nacionalist i cilësuar si ndër atdhetarët më të mëdhenj të Kosovës, nisi t’u thoshte të pranishmëve të shumtë: “Sot unë po u tregoj një të vërtetë. Në emigracion kam qënë 54 vite dhe të paktën 54 intervista i kam bërë. Në të pesëdhjetë e katër intervistat unë kam gënjyer vetëm në një pikë. Kur më thoshin se kush ma ka djegur shtëpinë unë përgjigjesha se ma ka djegur shkjau. Por sot po e them për herë të parë: shtëpinë ma dogjën partizanët e Enver Hoxhës. Ishin partizanët e brigadës së Shefqet Peçit. Po e them këtu pas pesëdhjetë e katër vjetësh. Por Enver Hoxha...Unë kam qënë armiku i tij ideologjik, por nacionalist të madh si Enver Hoxha nuk gjen dot. Le të thonë çfarë të duan për të, i meriton të gjitha vlerësimet më të këqija, por për nacionalizmin e tij mendoj ndryshe”.
Kjo deklaratë e Tërpezës kolonel Dilaver Goxhajit i bëri shumë përshtypje dhe kur miqtë pas drekës ikën, i tha ballistit nacionaldemokrat: “Zoti Hysen, më bëri përshtypje që thatë se Enver Hoxha është armiku im, por ndërkohë ishte nacionalist. Më duket se këtu ka një kontradiktë. Çfarë ju bashkon kështu me një armik ideologjik dhe çfarë po ashtu nuk ju përputh me të?” “Ke të drejtë“ u përgjegj Hysen Tërpeza “Më vjen mirë që e kape. Do të ta tregoj historinë e ti pastaj gjeje çfarë nuk më bashkonte me atë diktator dhe çfarë jo”.
Kështu filloi të tregonte.
“Në vitin 1976 isha me shërbim në Vjenë dhe një ditë të bukur në kutinë postare gjeta një letër. Ajo nuk kishte adresën e dërguesit. Kishte vetëm marrësin dhe kjo më bëri përshtypje. E grisa zarfin me të shpejtë për të parë në fund të letrës se kush e bënte, cili e kishte firmosur. Kur ç’të shoh? Letra nënshkruhej nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Nuk u besova syve dhe ngjita shkallët shpejt e shpejt. Në dhomë ndërrova syzet, vura ato të leximit, dhe shoh prapë: “Me respekt Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu”. Ishin edhe firmat e të dyve. Nga që nuk u besova syve fillova ta lexoj. Nga që kisha shumë emocione dhe nuk përqendrohesha dot mund ta kem lexuar atë letër disa herë. Fillonte kështu: “Baca Hysen, kemi qënë të gabuar. Kini patur të drejtë. Ne nuk i kemi njohur jugosllavët dhe kemi dëshirë të bisedojmë konkretisht me ju. Në rast se ka mundëpsi ejani në Tiranë. Në rast se dëshironi të vini kontaktoni me ambasadorin tonë në Vjenë. Me shumë respekt Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu”.
Unë thashë “Ky është provokim, është kurth i jugosllavëve”. Dhe mund të jem menduar një muaj apo dy. E analizoja letrën në çdo kend. Më në fund vendosa të plotësoja kureshtjen. Ishte kurth apo një ftesë serioze. Dhe vendosa të shkoj në ambasadë, por e bëra këtë gjë ditë të shtunë, që ishte pushim. Vajta. Roje në ambasadë ishte një kosovar. E pyeta “Ka ardhur ambasadori?”. “Po” m’u përgjegj. “Ka mundësi t’i thoni ka ardhur një plak nga Kosova dhe dëshiron t’ju takojë?”. Roja më refuzoi, siç e kemi ne shqiptarët nga fodullëku. Më në fund e binda dhe ai me kembët zvarrë hyri brenda. Pas pesë minutash pashë se po i zbriste shkallët me vrap. Kuptova se kishte diçka serioze. Ma hapi portën me butonin elektrik që lart, në katin e dytë, dhe më bëri shenjë të hyja menjëherë. Në krye të shkallëve qendronte ambasadori. Më priti sikur ishim miq të vjetër, sikur kisha shkuar edhe herë tjetër e jo sikur e shihja për herë të parë. Më uli në tavolinë, më qerasi, bëmë goxha muhabet. Vetëm pasi kaloi një kohë e mirë (ishte e shtunë dhe nuk na bezdiste njeri) më bëri të njëjtën kërkesë e më tha të njëjtat shprehje që kishte letra. Dhe në fund të propozimit shtoi “Ne e dimë se diku duhet të merrni leje. Këtu në tavolinën time ka tre telefona, dy përgjohen, por ky tjetri jo”. Dhe më vuri para një situate që unë duhej ta merrja vendimin në çast. Nuk mund të thosha jo. Edhe pse manovrova dhe ja ndryshova bisedën, ai përsëri më tha “Mund të bisedojmë“. Atëhere ngrita telefonin që nuk përgjohej dhe andej ku duhej të merrja leje më thanë “Gjykoheni vetë!“. Në rrethana të tilla thashë me vete “Edhe ata, shefat e mi, diçka dinë. Diçka luhet deri sa më thanë menjëherë se mund ta vendosja vetë. Nuk më thanë dale ta mendojmë këtë punë. Sepse mora në telefon kryesorin, nuk mora ndonjë nëpunës të zakonshëm. Sidoqoftë nuk i thashë ambasadorit se çfarë më thanë, por një “Do të mendohem”. Kur më përcolli ambasadori më propozoi “Kur të vendosni mund të vini të takohemi, të takohemi qoftë edhe për një kafe”. “Faleminderit që më pritët” iu përgjegja, shtrenguam duart dhe kështu u ndamë.
Pas një farë kohe vendosa që të shkoj përsëri. Vajta e kontaktova ambasadorin dhe ai më tha “Faleminderit! Na duhet një fotografi juaja”. Unë e çova fotografinë dhe pas ca kohësh më ftuan “Ejani të pijmë një kafe!” Kur vajta më thanë “Pasaporta është gati. Jeni me emër dhe mbiemër tjetër, i lindur në Shkodër në vitin 1921, tani emigrant në Siri”. Ambasadori më tha edhe “Urdhëro biletën! Eshtë e paguar. Vetëm se do të shkoni ju në agjensi për të fiksuar datën. Nga Vjena do të shkoni në Stamboll”. Dhe kështu bëra, vendosa e ika në Stamboll. Mirëpo nuk sqarova dot se kush do të më priste, Megjithatë thashë me vete se këta me siguri e kanë organizuar pritjen. Zbrita në Stamboll dhe pasi kalova doganën u bëra kurioz se kush do të më priste. Dallova një burrë të gjatë që ma bënte me dorë nga larg dhe unë u drejtova tek ai. Kur iu afrova pashë se ishte djali i axhës. Ishte refugjat në Gjermani. Sa e takova, sa i dhashë dorën, nuk vonova ta pyetja “Edhe ti me të kuqtë qenke?” “Po” më tha “Me të kuqtë“. “Epo në dreq të vejë kjo punë!” thashë me vete. Kjo pritje me njeriun tim më bëri të qartë se komunistët e Tiranës nuk do të më dorëzonin te serbët. Djali i axhës më mori, më futi në hotel dhe më porositi “Të lutem, mos dil, sepse të njohin shumë kosovarët. Ata nuk duhet ta dinë që je këtu”. Dhe nuk dola nga hoteli. Pas tre ditësh më mori dhe çoi në aeroport “Tani do të nisesh për në Athinë. Në Athinë do të shkosh në filan hotel, të është prenotuar edhe dhoma e do të vijnë të takojnë persona që do të shoqërojnë aty”. Vajta në Athinë. Gjeta hotelin dhe sa bëra një dush e isha duke fshirë trupin kur trokiti dera. Çila derën me atë zinxhirin që e mban pak të hapur, kur pashë dy djem të rinj. Më folën në emrin tim dhe më thanë “Duam t’ju takojmë”. Hapa derën dhe i futa. Më lanë porosi “Shih të lutem, mos dil jashtë se edhe në Athinë ka shqiptarë që mund të të njohin”. Këtu njëlloj, mbeta në hotel. Ata erdhën një ditë tjetër, prenë biletën e më dërguan në aeroport. Mora avionin e linjës Athinë-Tiranë. Më shoqëruan dhe më thanë “Rruga e mbarë!“ Më lanë këtë porosi “Të lutem kur të zbrisni në Rinas do të hiqni kapelen, do ta mbani në dorë dhe do të kruani kokën që t’ju njohin personat e duhur”. Kështu bëra, por nuk na zbritën në Rinas por në një aeroport afër Tiranës, në atë të Laprakës. Ishte e organizuar ajo punë. Sapo zbrita më dolën përpara, më thanë “Mirserdhë!” dhe më çuan në Hotel Dajti. Më mbajtën një javë në hotel, më thanë se ditën nuk duhej të dilja, kurse në mbrëmje, ora 20.00, më merrnin dhe më shëtisnin në Durrës, në Krujë dhe në Elbasan. Një natë të bukur, pasi më bënë një xhiro në Tiranë, më thanë se “Tani do të shkojmë te kryeministri”. Nga ora 10 deri në dy të natës unë kam bërë bisedë me Mehmet Shehun. Në dyzetë vite në shërbim të CIA-s, mund të kem takuar 40 burra shtetesh, por burrë më të zgjuar në jetën time nuk kam kontaktuar asnjëherë. Ma bënte pyetjen dhe që në fjalën e parë e merrje vesh përgjigjen. Më në fund më tha “Bacë Hysen, kemi vendosur të shpërthejmë kryengritjen në Kosovë. Ne duam vetëm sebepin që të shpërthejë kjo kryengritje, duam shkakun që të mund të ndërhyjmë. Ndryshe nuk e justifikojmë dot në Kombet e Bashkuara. Këtë kryengritje dëshirojmë tua ngarkojmë juve. E merrni përsipër? Mbrapa keni shtetin shqiptar”. Dhe unë pranova”.

Çfarë ndodhi më pas?
Ngjau një tradhëti nga brenda dhe kryengritja e përgatitur dështoi nëpërmjet stimulimit të saj për ta shpërthyer para kohe e të papërgatitur plotësisht. Por rrëfimi i pjesës së dytë përbën një intrigë tjetër që i paharruari atdhetar Hysen Tërpeza e ka treguar tashmë tek ata bashkëkombas ku mund të besonte çdo sekret. Ne në këtë shkrim nuk po e shtyjmë më tej historinë e kësaj ngjarjeje, sepse nuk ishte ky qëllimi kryesor. Donim të nxirrnim në pah një fakt të gëzueshëm, aspak atë që përbën hidhërim, natyrën e mbrapshtë të ideologjisë komuniste. Dëshironim të nderonim një ballist nacionaldemokrat të madh.
Hysen Tërpeza kishte lindur më 15 qershor 1923 dhe ndërroi jetë në vendlindjen e tij në një qershor tjetër, në datën 23 të vitit 2002. Për tre vite nëntëdhjetë e dyvjeçari iu gëzua ëndërrës së tij të pafikur kurrë: Kosovës së çliruar. E pati fatin ta shihte atë të kryer jo nga kundërshtarët e tij ideologjikë, por nga demokracitë më të zhvilluara e më të fuqishme të botës.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com