Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” 7 MARS 1997, A DO TË SULMOHET NGA TRUPAT SPECIALE TË SHTETIT AERODROMI LUFTARAK I KUÇOVËS? Autokolona ushtarake enigmatike që shkon drejt Beratit


Shkrimi i dhjetë

Ishte një natë e pagjumë. Natë e pambarim, e pafund. Natë që shtyhej drejt agimit dhe përsëri kishte errësirë. Që dukej se më në fund do të zbardhte e veç një fije drite nuk depërtonte në të.
Nëpër terrin e thellë dhe të rënë mbi aerodrom, si të ishin nën një kapak i rëndë, merrej frymë me zor e ankth. Të gjithë ishin të sigurt se pas refuzimit të ardhjes së komandantit të Vendkomandës Qendrore baza do të sulmohej nga forca speciale, të cilat do të parashutonin natën. Mirëpo kishte nga ata diskutues që mendonin se pushtim të bazës nga ajri nuk do të kishte. Sipas tyre një variant i tillë nuk përbënte asnjë mundësi. Baza kishte aparatura lokacioni dhe artileri kundërajrore. Që nga koha e regjimit komunist e gjithë struktura e saj e vetmbrojtjes ishte mbështetur pikërisht tek përballimi stoik i një sulmi masiv armik nga ajri. Deri njëmijë parashutistë në një orë. Artileria kundërajrore, një regjiment i tërë, i kishte shpërndarë të gjashtë bateritë e saj në tre kodrat mes të cilave shtrihej aerodromi. Reparte këmbësorie, të vendosura në afërsi të tyre, ishin pajisur me armë automatike zjarri, në gjendje të bënin masakra të vërteta, nëse mbi kulmet e lartësive të kodrinave përpiqeshin të desantonin parashutistët e huaj.
“Atëhere mbetet toka”, ndërhynte dikush. “Nga toka po, përgjigjej pa hezitim një nga ushtarakët e vjetër të këmbësorisë, por edhe këtu kemi fat. Pozicioni i bazës ajrore është i tillë që u jep sulmuesve të mundshëm vetëm një drejtim: anën ku ajo kufizohet me rrugën kombëtare. Asnjë brinjë tjetër të saj nuk e ka të zbuluar. Patjetër, polemizonte një pilot i ri, baza nuk sulmohet dot as nga ana e qytetit të Kuçovës dhe as prej Beratit. Që në to të vendosen forca duhej të kalojnë më së pari nga rruga nacionale në brinjë të aerodromit”.
“As kanë për të na sulmuar, hynte në debat një tjetër, as kanë forca dhe as e kanë mendjen tek ne. Ata po i dërgojnë të gjitha trupat e freskëta e agresive në jug e prapë nuk po ja dalin dot të vënë nën kontroll qoftë edhe një qytet. Me ne do të sillen ndryshe, do të na neutralizojnë”. “Neutralizojnë!?” “Po, po. Kur nuk të eliminon kundërshtari përpiqet të të neutralizojë”. “Do të asgjësojë avionët?”, pyeste tërë ngulmim këmbësori. “Jo,jo avionët i duhen. Për sa kohë mbeten të sigurt se nuk janë mundur përfundimisht, ata do nuk do t\'i cënojnë aeroplanët. Kur të humbin edhe shpresën më të fundit atëhere Migët janë me të vërtetë në rrezik të madh”. “Po atëherë?”, ndërhynte i paduruar tjetri. “Oh, bënte piloti i ri, ne do të shmangemi nga detyrat luftarake. Nuk do të lejohemi të ngrihemi më. As për në jug, ku nuk duam vetë, as për në veri, ku nuk duan ata”. “Aha, e kuptova, tundëte kokën ushtaraku i vjetër, qerrata je, ke mend në kokë. Domethënë do të bëhemi hiç”. “Kjo edhe ka filluar, shtoi piloti i ri, ka ditë që detyrat tona luftarake ja kanë kaluar bazës ajrore të kryeqytetit. Aq më tepër që komanda qendrore ka urdhëruar ngrirje të përkohshme të veprimeve ushtarake”.
Kështu mbrojtësit e aeroportit ushtarak të Kuçovës diskutonin me njëri-tjetrin dhe përpiqeshin të zbonin natën, por ajo nuk ikte. Qe ende terr kur nga ana e rrugës nacionale u dëgjua të lëviste një autokollonë makinash. Ushtarët që vazhdonin të hapnin llogore, zunë menjëherë pozicione, por vargu i makinave të mbuluara me tenda e prej të cilave dëgjoheshin zëra, vazhdoi rrugën drejt Beratit. Fenerët i kishin maskuar. Kur bishti i saj preku skajin e bazës ajrore nga kështjella e qytetit fqinj u lëshua drejt qiellit vrulltazi një fashë verbuese drite. Retë në fillim u dukën sikur morën flakë, u përskuqën si t\'i depërtonte mes për mes një rrymë e fuqishme elektrike dhe prej tyre tashmë priteshin vetëm shkarkime rrufesh dhe bubullima.
Por e gjithë pamja u zhvillua pa zhurrmën më të vogël. Si në shurdhim. Shumë shpejt retë u bënë ngjyrë kafe. Atë çast fasha e dritës u shkëput nga qielli po aq vrulltas sa edhe i ishte vërsulur atij. Ra mbi bazë si një kometë e përflakur. Por edhe ky rrëzim u bë pa asnjë shurrmë. Shurdhët. Aeroporti u mbulua nga drita. Baza tashmë i ngjante një aerodromi kozmik, i vendosur në një planet të largët. Njerëzit, të stresuar gjatë nga ankthi i errësirës, befas u gjetën nën një dritë aq verbuese sa menjëherë u hutuan. Shihnin njeri-tjetrin me habi dhe nisën të thërrasin \"Prozhektori ynë, prozhektori ynë!\"
Pas pak fasha e dritës u zhvendos majtas dhe ushtarët që rrinin në pozicione luftimi përballë rrugës kombëtare, vunë re se si tehu i dritës goditi mbi autokolonën ushtarake dhe trupi i saj, i gjendur tashmë zbuluar, u drodh nga pasiguria.
Projektori në kështjellë më në fund u fik. Në bazën ajrore, edhe pse errësira që ra ishte më thellë, njerëzit brohoritën. Prova doli me sukses. Teknikët e aeroportit ja kishin dalë mbanë përpjekjes për ta montuar dritëhedhësin gjigand.
Kur më në fund gdhiu dita e 7 marsit dhe ende nuk pati mbaruar rreshtimi ceremonial i mëngjesit, u tha se pranë portës së madhe të hyrjes së aerodromit kishin ardhur disa banorë të Kuçovës dhe dëshironin të përshëndentin komandantin e gjithë pilotët për qëndrimin burrëror që kishin mbajtur.

Thashethemi i fundit

Njeriu që u përfol se e solli thashethemin e fundit nga Berati, ishte një ushtar i repartit të këmbësorisë që mbronte aeroportin. Ky kur për një çast lëvizi nga llogorja e tij deri tek telat rrethues të bazës, pa t’i afrohej nga përtej një person. I panjohuri i kishte ofruar ushtarit anonim një gjysmë pakete me cigare dhe, në bisedën e shkujdesur që kishin bërë, pati shtuar edhe fjalët “Thonë që baza juaj do të shkatërrohet”. “Kemi dëgjuar që do të sulmohet nga trupat qeveritare”, e pati shtyrë më tej bisedën ushtari. “Jo, jo, thjesht do të shkatërrohet”, shqiptoi i sigurtë e madje indiferent tjetri. Pastaj kjo temë u ndërpre dhe shkëmbimi fjalëve pati temë çupat e bukura. Ushtari, disi i shushatur nga gjysmëpaketa e dhuruar kaq zemërgjerësisht, në mos edhe nga ëmbëlsia e asaj bisede me një \"civil\", ua zbrazi të gjithë thesin e fjalëve shokëve të tij. Kështu nisi nëpër bazë vërtitja e atij orteku që përmbante lajmin ndjellakeqas \"baza do të shkatërrohet\". U shfaqën edhe ata që ishin mjaft të sigurt se kjo gjë do të ndodhte të nesërmen. Kur ndonjë nga dëgjuesit pyeste se cilët ishin autorët e këtij plani shkatërrimi, përgjigja nuk vononte: qeveria. Qeveria!? Jo pak ngrinin supet. Përse do ta bënte ajo këtë gjë, kur e baza ishte e saj?!
Sidoqoftë shqetësimi dhe fantazia qenë përndezur. Menjëherë të gjithë ushtarëve, pilotëve dhe teknikëve iu ndanë nga tre-katër komplete me fishekë automatiku kallashnikov. Depua e vetme e municionit këmbësor gati u zbraz. Ndërkohë u caktua një makinë e posaçme me truproja të armatosura gjer në dhembë që e shoqëronin komandantin e bazës në çdo hap që bënte.
Në rrugën nacionale që kalonte pranë bazës ajrore, në orët e paradites së atij 7 marsi 1997 kaloi me shpejtësi një autokolonë e re ushtarake. Tendat mbi karroceritë ishin krejtësisht të mbyllura. Rrotat e makinave misterioze fishkëllyen mbi asfalt dhe lanë pas sytë e ushtarëve të mbrojtjes së aerodromit të ngurrosur mbi shënjestrat e automatikëve.
Në ora 13.42 u njoftua nga televizioni italian se “Presidenti shqiptar Sali Berisha do të pranonte zgjedhje të parakohshme për 45 ditë në qoftë se rebelët dorëzojnë armët. Këtë gjë e ka deklaruar një burim pranë OSBE në Tiranë. Lajmi vjen pas shtatë javësh rebelim kundër regjimit në jug të vendit si pasojë e skandalit të mashtrimit financiar”. Në 14.50: Udhëheqësit e rebelimit në Vlorë u kanë bërë thirrje pasuesve të përgatiten për të mbrojtur qytetin e tyre. “Jo” për propozimin e Berishës vjen edhe nga Saranda. Thonë se janë pak 45 ditë dhe nuk kemi besim tek Berisha”. Në orën 17.45: “Janë sulmuar dy kazerma të mëdha me armë në Gjirokastër. Kështu bie edhe Gjirokastra”.

Mosbesimi i pilotëve dhe teknikëve ndaj Presidentit

Shefi i shtabit endej gjithë kohën nëpër bazë me shalët e tij të gjata dhe përherë pas jo më shumë se gjysmë ore sillte në komandë të rejat më të fundit. Njëherë tha se ministri i Mbrojtjes kishte mbërritur në Përmet dhe po i drejtonte operacionet ushtarake prej andej. Më pas tha se teknikët e ndërlidhjes me anë të disa radiove të vogla po kapnin komanda të shumta ushtarake që jepeshin në jug të vendit. Qenë urdhra apo raportime për lëvizje autokolonash ushtarake, repartesh, komandosh, artilerie e tankesh. Kishin mbërritur të interceptonin edhe komanda që jepeshin në det. Madje edhe në gjuhë të huaj. Më vonë shefi i shtabit i bazës ajrore njoftoi se komandantit i kishte ardhur prej një ish-partizani të njohur të qytetit, një vit i mbyllur në kampet naziste të shfarrosjes, një faqore me dru të gdhendur. Në të ishte vizatuar një shqiponjë dhe shkruar fjalët \"Për qëndrimin që mbajtët për të mos goditur popullin\".
Një çast tjetër erdhi e tha se tek porta qenë shfaqur gjashtë ushtarë rezervistë të bazës, banorë të fshatrave në rrethinat e saj. Kërkonin armë. “Ose më saktë, sqaroi menjëherë, kërkojnë të vishen e armatosen me uniformat dhe kompletin e tyre luftarak e të shërbejnë për mbrojtjen e bazës”. Komandanti iu përgjegj prerë: Jo.
Herën e fundit, kur rihyri në komandë, shefi i shtabit nuk foli për disa minuta. Të tjerët që ishin mësuar të sillte lajmin e radhës, iu u sulën me pyetje, deri sa ai u dorëzua e foli: Teknikët e ndërlidhjes, duke përgjuar komandat që po jepeshin në të gjitha rajonet e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut këmbëngulnin se edhe pse nga Presidenti pati ngrirje të veprimeve luftarake, qe në dinamikë përgatitja e një operacion i madh ushtarak kundër kryengritësve. Autokolona të shumta dhe mjete të panumërta po lëviznin drejt qyteteve të jugut në tre drejtime tokësore dhe në një detar. “Drejtimi i pestë do të jetë nga ajri, mëshoi rrëfyesi, por bazën tonë e kanë spostuar përfundimisht. Në sulmet ajrore do të marrë pjesë vetëm baza pranë kryeqytetit dhe ajo e Veriut”.
Pastaj shefi i shtabit kishte mbajtur frymën vetëm për pak sekonda dhe fjalët e fundit të lajmit më të ri qenë: Teknikët e ndërlidhjes kanë vënë re se prej disa pikave të jugut nisen drejt qendrës raportime jo të qarta dhe lajme që synojnë të çorodisin komandën qendrore e të prishin kompaktësinë e veprimeve luftarake të operacionit. Madje pak çaste më parë nga radio të vendosura në jug e që deklarohen se janë të ushtrisë qeveritare, ka nisur një breshëri e vërtetë hutuese lajmesh e kundërlajmesh që mund ta paralizojnë të gjithë operacionin. Me një fjalë po luhet një lojë dhe një kundërlojë”.
Ndërkohë radiot e vogla operative të ndërlidhësve të bazës atë 8 mars patën kapur edhe këtë të dhënë që dilte prej eprorësh të Ushtrisë: “Pas orës 20.00, do të bëhet kapja e portit dhe e bazës së Sarandës, çbllokimi e kapja e qyteteve Sarandë dhe Delvinë”.

Tek porta e madhe e bazës grumbullohen njerëz të revoltuar

Kolonelit as do t\'i shkonte në mendje që shefi i SHIU-t për bazën vazhdonte të ekzistonte. E kishte harruar. Ose të paktën e kishte shtyrë imazhin e tij të turbullt deri në qoshet më të largëta të trurit. Herë pas here siluetën e trupit të tij të rrumbullt ja kishte zënë syri rrëshqitas si vetmitar nëpër gjysmë errësirë apo në periferi të grumbujve të pilotëve.
Qe orë e herët dhe e mugullt e mëngjesit, kur i thanë se njeriu i shërbimit të fshehtë ushtarak ishte parë të dilte nga zyra e tij me një çantë të madhe fushimi. E pati hedhur shtrembëras mbi shpinë. “Ishte krejt i kërrusur, sqaronte me zë të tronditur njëri nga kuzhinierët që e kishte parë nga dritaret e mencës”. “Nxitonte shumë”, plotësonte një nënoficer i magazinës së ushqimeve. “Çanta ushtarake qe e madhe dhe e mbushur plot”, këmbëngulte një teknik.
Atëhere komandanti i bazës e kuptoi menjëherë se shefi i SHIU-t pati marrë me vete dokumentet komprometuese të përgjimeve të tij dhe ndërkohë duhej të ishte larguar nga reparti.
Fillimisht i shkoi ndërmend të urdhëronte eskortën e që e shoqëronte me një xhip, që ta braktisnin dhe të fillonin ndjekjen e të ikurit, por u mundua ta përballë atë dallgë inati. Le të ikte, të shporrej me atë pirg letra, ku do të kishte derdhur vrerin e tij. Në orën dhjetë njeriu gjysmë çantë e fryrë e gjysmë bark i kërcyer që lëkundej lart-poshtë, qe fshirë nga kujtesa e kolonelit.
Pas pak minutash e lajmëruan se tek porta e madhe qenë grumbulluar shumë rezervistë të bazës dhe kërkonin patjetër takim me komandantin. Lajmin në fillim ai e priti ftohtë dhe pa vëmendje. Përgjegjësi i rojeve të përforcuara në hyrjen e bazës i përsëriti: \"Ju kërkojnë. Janë mbi dhjetë veta që dëshirojnë. Vetëm me ju duan të takohen. Zoti komandant, ata këmbëngulin\". Atëherë ai erdhi në vete dhe iu përgjigj shpejt se po vinte. Pastaj kërceu mbi makinën e tij. Duke shfryrë tym të zi skapamentoje dhe fishkëllimë rrotash, pas erdhi edhe xhipi i shoqërimit.
Ata që kërkonin ta takonin patjetër, po qendronin të zymtë dhe gojëkyçur tek hekurat e portës së madhe të hekurt e të rëndë. E ndoqën vëngër afrimin e tij. Komandanti u afrua drejt tyre me ngut dhe buzëgaz. Të gjithë i njihte. Një pjesë qenë prej qytetit dhe të tjerët nga periferia. Një mësues, dy mekanikë, pesë bujq, një ish-ushtar i bazës... Por ata e shpërfillën gazin në fytyrën e tij dhe nuk e zbuan zymtinë nga balli i rrudhur apo sytë e picërruar. Folën duke penguar njëri tjetrin: “Duam të vishemi, të mobilizohemi. Dje janë armatosur shumë të besuar të Partisë Demokratike”.
Ndërkohë filluan t’i preknin duart, duke iu lutur. U tha se ishte ushtarak dhe se zbatonte vetëm urdhrat. Do t\'i mobilizonte të gjithë brenda pak minutave në rast se do t\'i vinte urdhri. Por ata nuk qetësoheshin. Flitnin të pezmatuar: “Nuk ka për të ardhur kurrë ai urdhër, sepse ata që drejtojnë shtetin duan të armatosin njerëzit e tyre”.
U ndanë prej njëri-tjetrit shumë vonë. Ata ikën të pabindur e të paqetë. Edhe ai iku, pa hipur në makinë. I dëshpëruar. Edhe shumica e njerëzve të eskortës zbritën prej xhipit të tyre. E shoqëruan në këmbë.

(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com